Sa shumë lëvizje te Tirana, 419 lojtarë tranzit në 11 vite
Tirana afron dhe largon afërsisht 19 lojtarë në sezon. Skuadra më e titulluar e Shqipërisë, në 11 sezonet e fundit ia ka dalë që të afrojë 205 lojtarë dhe të largojë 213 futbollistë të tjerë.
Shkurt, një lëvizje shumë e madhe për ekipin 26 herë kampion të Shqipërisë. Gjatë më shumë se një dekade ku skuadra është në pronësi të Refik Halilit, lëvizjet kanë qenë të mëdha, si në hyrje dhe largime. Me një llogari të thjeshtë, Tirana çdo sezon ndërtohet nga fillimi, pasi mesatarja e afrimeve dhe e largimeve është shumë e lartë. Në fakt, edhe trajnerët e kanë prekur disa herë këtë temë, pasi çdo verë dhe janar skuadra rindërtohet, duke sjellë një problem për ndërtimin e një filozofie loje.
Një situatë që sigurisht, nuk sjell stabilitet në grupin bardheblu. Mirëpo, trendi i afrimeve dhe i largimeve do të vazhdojë edhe këtë sezon. Me bardheblutë, që në fund të këtij kampionati pritet të marrin një vendim përfundimtar se çfarë do të bëjnë me grupin e lojtarëve që kanë në dispozicion dhe sa prej tyre do të jenë të gatshëm për sezonin e ri futbollistik.
AFRIMET DHE LARGIMET – Tirana, si çdo skuadër tjetër, ka dëshira dhe zgjedhje në afrimet që bën. Kështu, veç ekipit të 19-vjeçarëve, nga ku furnizohet Tirana, Laçi është skuadra nga ku bardheblutë kanë dëshirë të marrin futbollistë. Disa prej tyre kanë ardhur direkt nga bardhezinjtë, për të mos folur për Flamurtarin, Vllazninë, Prishtinën, Kastriotin dhe Kukësin. Në dekadën e fundit, Tirana ka marrë nga Partizani vetëm dy futbollistë. Për sa u përket largimeve, lojtarët që braktisin Tiranën më së shumti shkojnë te Teuta, Dinamo, Skënderbeu Flamurtari FC, Kastrioti dhe Bylisi. Vetëm katër lojtarë kanë lënë Tiranën për t’iu bashkuar Partizanit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













