Merkato e dimrit në futbollin shqiptar vendos rekorde të reja. Fluks lojtarësh “të papunë”, në 2026 u bëmë të 11-ët në Europë
Merkato e dimrit në futbollin shqiptar ka shënuar një fluks rekord sa i përket afrimeve të futbollistëve nga jashtë dhe ky konstatim tashmë vërtetohet nga raporti më i fundit i FIFA-s rreth veprimeve që janë kryer nga klubet shqiptare gjatë muajit të fundit në dritaren që sapo u mbyll.
REKORDI – Raporti i publikuar nga FIFA ka detajuar çdo transferim ndërkombëtar në kampionatet në të gjithë globin dhe sipas shifrave të tij, rezulton se Shqipëria është e 11-ta në Europë sa i përket numrit të transferimeve në hyrje, me 78 të tilla. Raporti saktëson gjithashtu se ndër këto 78 transferime ndërkombëtare në hyrje, që janë rekord për merkaton dimërore në vendin tonë, 2 janë ende në pritje të lejekalimit përfundimtar. Për të bërë një krahasim me sezonet e mëparshme, në vitin 2022 shifrat në hyrje gjatë merkatos së dimrit tregonin 68 transferimi, për të zbritur në 62 në vitin 2023, ndërsa ishin përkatësisht 67 dhe 53 në 2024 dhe 2025. Kësisoj, shifra e 78 transferimeve ndërkombëtare, përfaqëson rekordin e ri për kampionatin shqiptar për merkaton e dimrit. Sa i përket transferimve në dalje, sinjalizohen 26 të tilla, me 2 në pritje, duke shënuar numrin më të ulët që nga viti 2022. Rekordi në dalje i përkiste vitit të kaluar me 42 transferime ndërkombëtare gjatë merkatos së janarit.


Përfitimet e klubeve shqiptare nga shitja e lojtarëve në merkaton e dimrit

FITIMET DHE MOSHA – Nëse nga njëra anë klubet shqiptare nuk kanë shpenzuar për të afruar lojtarë, pasi rezulton se shpenzimi i tyre ka qenë 0 sipas të dhënave të FIFA, ata kanë përfituar financiarisht. Sipas saj, klubet shqiptare kanë fituar 383 mijë dollarë nga transferimet jashtë Shqipërisë të kryera gjatë kësaj periudhe. Mosha e lojtarëve që vijnë në futbollin shqiptar nga jashtë ndërkohë vazhdon të rritet, teksa ka shënuar mesataren 24,1 vjeç, me një rritje të vogël në krahasim me vitin e kaluar. Sipas FIFA-s, mesatarja e përgjithshme e futbollistëve të transferuar në janar 2026 në të gjithë botën është 24,9 vjeç.
KONTRATAT – Pjesa më interesante e raportit të FIFA-s ka të bëjë me llojin e transferimit të futbollistëve që kanë hyrë në futbollin shqiptar nga jashtë gjatë dritares së merkatos dimërore. Rezulton se 57 nga 78 transferimet janë nga lojtarë të cilët ishin pa kontratë, gjë që sigurisht e ka bërë shumë më të thjeshtë nënshkrimin e tyre. Ndërkohë, 15 transferime kanë qenë përfundimtare nga një klub në tjetrin ndërsa 5 kanë qenë huazime. Vetëm 1 transferim nga jashtë rezulton si një kthim nga huazimi drejt një klubi shqiptar. Sipas FIFA-s, rreth 59% e transferimeve në merkaton e janarit në gjithë botën kanë qenë të futbollistëve pa kontratë, ndërsa në futbollin shqiptar, ato në hyrje arrijnë një mesatare rreth 73%. Po ashtu, në dalje, janë 22 transferime të lojtarëve pa kontrata, që do të thotë se kanë mbyllur marrëveshjet me klubet në Shqipëri. Ka 2 transferime përfundimtare që janë bërë në formë zyrtare nga një klub në tjetrin, si dhe 2 transferime që rezultojnë në huazim.

KOSOVA, TREGU I PREFERUAR – Fluksi më i madh i merkatos në hyrje në Shqipëri ka qenë nga kampionati kosovar gjatë dritares së janarit, sipas këtij raporti, që numëron 11 të tilla. Vendin e dytë më pas e ndajnë në kuotën e 5 transferimeve Brazili dhe Greqia, me Portugalinë që mban vendin e tretë me 4 transferime, përkrah Nigerisë. Në dalje ndërkohë, rezulton se largimet kanë qenë më shumë drejt Brazilit, 5 të tilla. Më pas vjen Kosova me 4, Greqia me 3 e në vijim vendet e tjera me nga një transferim ndërkombëtar.

Të ardhurat nga shitja e futbollistëve sipas shteteve

ERMAL KUKA-PANORAMASPORT.AL













