Prifti: Të gjithë “mëkatarë” për barazimin ndaj Tërbunit
Kapiteni i Apolonisë, Andi Prifti, në një bisedë për “Panorama Sport” i ka bërë skanerin barazimit të fundit të fiksuar ndaj Tërbunit. “Ndodh edhe kështu, që nga një ndeshje shumë të mirë, siç ishte ajo me Elbasanin, të pësojmë një luhatje të menjëhershme, duke mos arritur të dilnim në lojën tonë në sfidën ndaj pukjanëve. Në këtë ndeshje nuk arritëm të shfaqnim vlerat tona të vërteta, ndaj dhe barazimi i marrë i është përgjigjur më së miri lojës së zhvilluar. Fajtorë të vërtetë të këtij hapi fals jemi të gjithë ne si grup, që nuk mundëm t’i realizonim detyrat e ngarkuara dhe të triumfonim në këtë ballafaqim”. Më tej, mbrojtësi fierak është shprehur: “Nuk kemi qenë të qetë të gjithë pas asaj ndeshjeje, pasi ndjenim një trysni në vetvete. Gjithsesi, tashmë e kemi analizuar hollësisht dhe nuk kanë munguar kritikat. Ne jemi ‘zotuar’ se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më gjatë gjithë kampionatit. Ishte befasuese dhe zhgënjyese paraqitja jonë, ndaj dhe në emër të grupit premtoj se do të reflektojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që t’u rikthehemi fitoreve dhe ta mbyllim me dinjitet fazën e parë të kampionatit, ndonëse do të luajmë në transfertë ndaj Luftëtarit”.
Kupa – Mbrojtësi i fierakëve, Andi Prifti, sa i përket takimit të kthimit për kupë ka pohuar se, edhe pse e kanë fituar ndeshjen e parë 1-0 në Fier, nuk do të heqin dorë nga synimi i tyre për të kërkuar kualifikimin. Sipas tij, ata po marrin masat e nevojshme që në këtë ndeshje të kthimit të tregojnë më së miri vlerat dhe potencialin që kanë si skuadër. “Kemi fituar ndeshjen e parë me rezultatin 1-0, ndaj nesër në ndeshjen e kthimit do të luajmë të mirëorganizuar dhe të motivuar për ta menaxhuar këtë rezultat nëpërmjet një loje racionale të qetë dhe me veprime të qarta, të disiplinuara taktike. Kjo nuk do të thotë se do të luajmë në mbrojtje, përkundrazi, mbrojtja më e mirë është sulmi, ndaj duke ditur dhe presionin e kundërshtarit që do të sulmojë për të shënuar në portën tonë, jo vetëm do dimë të mbrohemi mirë, por me anë të kundërsulmit të shpejtë e të befasishëm do kërkojmë ta godasim atë. Pra, do të shkojmë në Kukës për të synuar kualifikuar për në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë”, – ka përfunduar kapiteni i Apolonisë, Andi Prifti.
MIKEL MBRIÇAJ













