Shpëtoi Shqipërinë nga gola të sigurt, Alen Sherri tregon emocionet si titullar: Nuk e prisja, nëna e mori vesh e para
Alen Sherri e nisi titullar te Kombëtarja e Shqipërisë, që u mposht me rezultatin 0-1 nga Izraeli. Miqësorja në “Air Albania” ishte e dyta e portieri Sherri me fanellën kuqezi, ndërsa e para si titullar.

“Të them të drejtën duke marrë parasysh situatën tek ekipi, që vi nga një ekip që jam aktivizuar shumë pak, nuk e prisja të them të drejtën. U mundova të jap maksimumin. Nuk ke nevojë për motiv, kur luan për Kombëtaren. Unë e provoj për herë të parë sot. Kur luan me Kombëtaren është ndjesi që të ecin këmbët vetë, hidhesh vetë, është ndjesi komplet tjetër. Më vjen mirë për paraqitjen, por shumë keq për rezultatin. Duke parë dhe lojën, shpresoja shumë që minimumi të merrnim nga kjo ndeshja një barazim. Krijuam shumë raste, kishim mundësi për të fituar ndeshjen, por që u ndëshkuam nga një kundërsulm.
I pari që njoftova? Ia them nënës, por me raste se është pak problem dhe kur ia them dhe kur nuk ia them. Kur nuk ia them, mërzitet që nuk luaj. Kur ia them ka shumë emocione se do luaj. Këtë herë i thashë rri e qetë. Krenar për fëmijën e vet. Është diçka shumë e rëndësishme për familjen tonë, e kam pritur shumë gjatë. Më erdhi në një moment që nuk e prisja, por që jam shumë krenar që ndodhi në vendin tim. Para prindërve të mi, familjes sime dhe djalit tim, është shumë e veçantë për mu. Dhe kjo gjë më bën shumë të lumtur”, u shpreh Sherri për “SuperSport”.
PANORAMASPORT.AL













