PIKANTE/ Nuhiu zbarkon te të kuqtë, Partizani “gjymtohet” sërish. Çfarë nuk u pa gjatë sfidës me Vorën (E PLOTË)
Partizani dhe Vora luajtën mes tyre ndeshjen e katërt në histori, që u mbyll me barazim pa gola. Kështu pasi tre të mëparshmet janë humbur nga vorakët, tashmë gëzojnë një barazim. Në anën tjetër rekordi mbetet 5 gola të shënuar nga Partizani dhe asnjë i pësuar.

-Sfida luhet tek “Arena e Demave” me Vorën që konsiderohet ekip pritës. Megjithatë është Partizani që e organizon në shtëpinë e tij. Klubet kanë rënë dakord, që dy takimet e ardhshme të luhen në Vorë, pasi stadiumi aty akoma nuk ishte gati. Ashtu siç edhe pritej, vetëm rreth 600 tifozë janë të pranishëm.
-Ndeshja e programuar për të hënën në orën 17:00, u shty për të martën në orën 16:00. Shkak për këtë u bëndarja nga jeta e ish-kryeministrit Fatos Nano. Ky i fundit i ndarë nga jeta më 31 tetor(e premte).
-Sfida nis fazën e dytë për të dyja ekipet, ndërsa respektohet në fillim një minutë heshtje në nderim të Fatos Nanos.
Ky vendim ishte marrë për të gjitha takimet nga FSHF. Partizani më parë i kishte dedikuar një postim, për shkak se ish-kryeministri njihej si tifoz i të kuqve dhe si mik i presidentit Gazment Demi.
-Ardian Nuhiu është “tifozi” special në stadiumin e Partizanit. Tekniku i ri i Tiranës ka preferuar të ndjekë nga afër këtë takim. Kjo pasi përpara është ndeshja me Vorën, për javën e 11-të të Superiores. Interesant është fakti që ka zgjedhur pikërisht tribunën qendrore, të dedikuar për tifozët e Vorës. Kështu është pranë pankinës ku në krye qëndron Arjan Bellaj.
-Partizanit i përsëritet makthi i ndeshjeve të mëparshme në “Arena e Demave”. Pas pjesës së parë, Skuka dhe Marku largohen nga fusha e blertë. Për Skukën është e nevojshme barela, teksa shfaqet edhe në lot.
Në minutën e 54-t, për ekipin e Kërnajës vjen tronditja e radhës. As Marçelino Preka nuk mund të vazhdojë, ndërsa duke mos pasur qendërmbrojtës të tjerë në dispozicion aktivizohet Mehmeti. Shiriti kaloi nga Skuka te Preka dhe më pas Atanaskoski.
-Fatmir Prenga ndodhet në “Arena e Demave”. Pasi mbylli aventurën te Tirana kur po rikuperohej nga dëmtimi i rëndë, shfaqet në kërkim të një skuadre të re. Sulmuesi kujtohet edhe si “ish” i Vorës ku ka spikatur në Kategorinë e Parë.
-Vusal Isgandarli zëvendësohet dhe zgjedh anën tjetër të fushës për t’u larguar. Sulmuesi azer fiton duartrokitjet e tifozëve të kuq.
Fakt është që si asnjëherë më parë, Partizani ka vetëm një golashënues në përfundim të 10 javëve. Bëhet fjalë për Isgandarlin, që një gol e ka shënuar me penallti dhe tjetrin me aksion në Shkodër. Sfida që janë humbur nga Partizani.
-Vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit Indrit Myrtja pritet me lehtësim nga futbollistët e Vorës. Kampi i vorakëve shfaqet i gëzuar me 1 pikë të regjistruar nga ky takim.
Kjo pasi ndodhen 2 pikë para Partizanit dhe jashtë zonës së ftohtë. Në anën tjetër, futbollistët e Partizanit shfaqin trishtim. Shtrihen në fushë të rraskapitur, ndërsa fitorja nuk vjen prej tri javësh.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













