“Nëndetësja” kërkon oksigjen ndaj Bylisit, Dinamo duhet të reagojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2026 | 10:00

“Nëndetësja” kërkon oksigjen ndaj Bylisit, Dinamo duhet të reagojë

Dinamo do të rikthehet sot në fushë në kuadër të javës së 22-të të Superiores, aty ku do të synohet vetëm rikthimi te fitorja, që natyrisht e mban Dinamon në zonën e “Final 4”.

DINAMO

Skuadrat e tjera të kësaj zone janë shkëputur disi me pikë dhe për blutë nuk lejohen hapa fals edhe pse përballë do të ketë një kundërshtar aspak komod si Bylisi. Dy skuadrat kanë në krye të tyre për trajnerë dy strategë të futbollit shqiptar si Ilir Daja te Dinamo e Mirel Josa te Bylisi, të cilët kanë treguar shpesh herë se kur u është dashur fitore, kanë ditur ta marrin. Dhe, në “Air Albania” të dyja skuadrat do të tentojnë për më të mirën në mënyrë që të jenë sa më afër me objektivat që të dyja skuadrat kanë për këtë sezon.

NDESHJA– Sfida mes Dinamos dhe Bylisit do të zhvillohet në kryeqytet duke nisur nga ora 19:00, aty ku skuadrat vijnë nga një moment jo i mirë. Duke qenë orar i vonë, pritet që edhe temperaturat të jenë relativisht të ulëta që arrijnë në 6-7 gradë celsius, por fati i mirë është që nuk do të ketë reshje shiu dhe ndeshja do të luhet në një mot të kthjellët, çka mund të sjellë edhe më shumë tifozë në tribuna.

GJENDJA E SKUADRËS- Dinamo ka rikuperuar disa nga lojtarët kryesorë dhe kështu, Neziri e Qefalija janë stërvitur normalisht me skuadrën dhe pritet që të jenë gati për këtë takim. Ditët e fundit, Beqja ka pasur një gjendje gripale dhe nuk do të jetë i gatshëm ndërkohë që as Aliji nuk do të japë kontribut. Mbrojtësi i Kombëtares ka lënë pas dëmtimin dhe ka nisur të stërvitet me grupin këto ditë, por i duhen edhe disa ditë pushim para rikthimit në fushë. Ndërkohë, me grupin është bashkuar edhe dyshja e afruar nga Bylisi, ku Malomo dhe Mustafa kanë kryer seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Daja.

FORMA E SKUADRAVE- Të dyja skuadrat e kanë nisur vitin thuajse në të njëjtën mënyrë. Si Dinamo, ashtu edhe Bylisi kanë fituar në Kupë megjithëse këta të fundit kanë vuajtur jo pak ndaj Laçit. Ndërkohë në këtë fazë të tretë, Dinamo dhe Bylisi kanë marrë nga një barazim dhe janë mundur nga dy herë, duke pasur të njëjtën ecuri. Në sfidën e sotme, si Daja ashtu edhe Josa do të tentojnë të dalin nga kriza që ka kapur skuadrat e tyre në këtë moment. Sa i përket klasifikimit, Dinamo e sheh veten në vendin e katërt dhe në garë për titullin kampion ndërsa Bylisi ka ndjerë të ftohtin e rënies nga Kategoria. Ballshiotët renditen në vendin e tetë, me 19 pikë 2 më shumë se Tirana e vendit të fundit dhe vetëm 1 më shumë se Flamurtari.

PËRBALLJET DIREKTE– Këtë sezon dy skuadrat kanë luajtur dy herë mes tyre, ku të dyja takimet janë mbyllur në barazim pa gola. Si në kryeqytet, ashtu edhe në Ballsh, ekipet janë mjaftuar me nga një pikë duke mos arritur t’i marrin më të mirën takimit.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL