Martini nuk flet më pas humbjeve të Vllaznisë, Borshi kërkon falje: Askush nuk e priste, presioni na bëri të çedojmë tre vite
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, nuk u shfaq përsëri para mediave në fund të ndeshjes që skuadra e tij humbi ndaj Elbasanit në “Air Albania” duke mbyllur si mos më keq pjesëmarrjen në “Final Four”. Para gazetarëve foli përsëri asistenti i tij, Ergi Borshi, i cili kërkoi falje në emër të ekipit për këtë paraqitje.

HUMBJA- “Keqardhje dhe donim të fitonim, pas kampionatit që kemi bërë duhej të mbyllnim me fitore dhe me titull kampion. Keqardhje për tifozët sepse kanë lënë çdo punë dhe na kanë ndjekur. I falënderoj dhe duhej të fitonim por nuk e arritëm. Na vjen keq dhe i kërkojmë falje çdo qytetari e tifozi shkodran”.
HUMBJA ME ELBASANIN- “Ishte ndeshje e bukur dhe e dominuar për 60 minuta deri kur u shënua goli. Kur lojtarët kuptuan se si është rezultati i ndeshjes tjetër, nuk e kishim motivimin për të bërë diçka të bukur dhe për t’i kënaqur të gjithë”.
TRE HUMBJE- “E vërtetë, askush nuk e priste. I kërkoj falje çdo tifozi dhe çdo qytetari. Besoj se presioni i madh, jo nga drejtuesit e tifozët por nga pesha e fanellës, presioni për të arritur fitimin e trofeut na ka bërë të çedojmë këtë vit dhe vitin e kaluar e para dy viteve. Kjo duhet analizuar për vitin e ardhshëm”.
NDRYSHIM- “Mua më mbaron kontrata sot dhe profesorit. Gjithashtu edhe disa lojtarëve dhe do të ulemi ta diskutojmë”.
LIGA E KONFERENCËS – “E thashë se sot mbaron kontrata dhe dua të flas me drejtuesit, si pjesëtar stafi mund të them se objektiv është Europa dhe Vllaznia duhet të luftojë për të shkuar në turin e tretë dhe për të synuar grupet”.
SEZONI PERSONAL- “Na iku kampionati për dy ndeshje, sepse sot nuk varej nga ne. Ishte kampionat i mirë dhe mendoj se ishte shumë pozitiv. E kam shijuar shumë, jam kënaqur me tifozët dhe qershia mbi tortë do të ishte titulli kampion. Ishte eksperiencë më shumë për mua por synim kemi të fitojmë titullin kampion”.
NDRYSHIME NË GRUP- “Duhet të ruhet boshti kryesor. Duhen disa afrime në hyrje dhe dalje dhe duhet motivuar më shumë për të na çuar drejt titullit. Na mungon vetëm hapi i fundit”.
PANORAMASPORT.AL













