Marrin fund dilemat, mesfushori që ka piketuar Silvinjo rinovon me Dinamon
Dinamo ka zgjidhur që tani një problem që mund t’i lindte në fund të sezonit, atë të largimit të një futbollisti i cili po spikat në radhët e bluve si Klevi Qefalija.

Mesfushori 21-vjeccar ka qenë një nga emrat më të dalluar edhe në sezonin e kaluar, por sidomos në këtë aktual dhe blutë janë ngutur që të sigurohen që ai të mos largohet në fund të edicionit, kur mbyllej edhe marrëveshja mes palëve.
“Panorama Sport” ka mësuar se mesfushori 21-vjeccar, i cili është kthyer në një nga emrat e piketuar nga trajneri Silvinjo i cili e ka monitoruar vazhdimisht dhe e ka përfshirë edhe në listën e pritjes së Kombëtares, ka firmosur një marrëveshje të re me klubin.
Tashmë lojtari i cili është një titullar fiks te blutë, ka një marrëveshje të re deri në vitin 2028 me Dinamos e cila duket kërkon vazhdimësi në projektin që ka nisur me këtë grup lojtarësh por edhe të sigurohet që të ketë mundësi për të negociuar me klube të huaja që mund të interesohen për Qefalijan.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













