Josa skicon formacionin e Bylisit, Përgjoni rikthen ndjesinë: Me Partizanin mbi maksimumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2025 | 10:46

Josa skicon formacionin e Bylisit, Përgjoni rikthen ndjesinë: Me Partizanin mbi maksimumin

Bylisi rikthehet në transfertë, teksa luan një ndeshje delikate sot në orën 16:30, në “Arenën e Demave”, me të kuqtë. Ballshiotët rikthehen në transfertë pasi javën e shkuar barazuan në fushën e tyre me një tjetër ekip kryeqyteti si Dinamo. Në këtë sfidë, trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij e kanë karikuar skuadrën për të synuar maksimumin.

pergjoni

Mallakastriotët në këtë fazë të dytë kanë vetëm 4 pikë, në 4 duele, ndërsa synimi është që të largohen sa më parë nga pozicioni që aktualisht mbajnë në renditje. Në prag të duelit me të kuqtë ka optimizëm te ballshiotët, teksa për “Panorama Sport”, ka folur një nga lojtarët titullarë dhe deçizivë të mallakastriotëve, mesfushori me tipare sulmuese, Arli Përgjoni.

Ky i fundit luan sezonin e tij të dytë te Bylisi, ku dallohet edhe për gjuajtjet e forta, ndërsa përpara sfidës me të kuqtë për “Panorama Sport”, ka pohuar se skuadra është gati.

“Për arsye shëndetësore nuk kam luajtur në ndeshjen e parë me të kuqtë, ku ne fituam 3-1, ndërsa në këtë duel ne shkojmë të mobilizuar dhe synojmë që të japim maksimumin, pasi edhe Partizani ashtu si ne, pavarësisht pozitës po bën lojëra të bukura dhe ka një ekip me traditë dhe me cilësi. Vijmë në këtë ndeshje nga një barazim me Dinamon në fushën tonë, në një ndeshje ku duhej dhe meritonim ta fitonim, por futbolli ka të papriturat e veta që ja shtojnë bukurinë.

Në katër sfida e kemi luajtur kemi 4 pikë, pra janë pak pasi synimet tona kanë qenë për më shumë. Tani duhet që të mobilizojmë të tëra forcat dhe ndaj Partizanit të japim mbi maksimumin e mundësive tona, sepse çdo ndeshje që kalon duhet të dalim me pikë. Gjatë javës është punuar shumë nga stafi jo vetëm në aspektin fizik e teknikotaktik, por edhe psikologjikisht.

Gara tashmë është në kulmin e vet, ne jemi një ekip, ku pjesa dërrmuese e lojtarëve ka shumë kohë së bashku, kjo është pozitive dhe mendoj se do të ndikojë që ne këtë sezon jemi me një “marsh” më shumë se vjet në kampionatin elitar. Kalendari është i vështirë, sepse e atillë është kjo formulë, por ne t’i marrim ndeshjet radhë, të bëjmë maksimumin në çdo fushë, duke filluar që nga dueli i radhës me Partizanin, ku synimi është që të dalim me pikë”, tha mesfushori shtatlartë i Bylisit, Arli Përgjoni.

Josa nuk përjashton risitë me të kuqtë

Barazimi me Dinamon nuk ka kënaqur ballshiotët. Bylisi ndodhet afër zonës së rrezikut, ndaj edhe trajneri Mirel Josa kërkon kthesën, duke guxuar ndaj Partizanit sot edhe pse është një ndeshje delikate, e për këtë lëvizjet janë sa të detyrueshme aq edhe të nevojshme për duelin e radhës në kampionat. Kane mund ta nise nga stoli, nisur nga ndeshja në Rrogozhinë, por alternativat djathtas nuk mungojnë, aty ku edhe Koxhi shkoi mjaft mirë. Në dyshim është ende edhe Kamara, që është drejt përmirësimit të plotë dhe klubi nuk ka dashur që ta rrezikojë në sfidat e mëparshme. Me shumë mundësi kjo pritet që të jetë 11-shja anti-Partizan sot, ku Josa nuk përjashton ndonjë lëvizje surprize…

Screenshot 2025-12-03 104607

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL