Flamurtari debuton në elitë, Garsia: Gati për fitoren, djemtë të respektojnë qytetin dhe fanellën
Pas pesë vitesh mungesë, Flamurtari rikthehet sot në Superiore, duke debutuar në “Elbasan Arena”.

Për kuqezinjtë kjo është një ditë e veçantë, jo vetëm për rikthimin në elitën e futbollit shqiptar, por edhe për shumë elementë të rinj që do të prezantohen: trajneri spanjoll Karlos Garsia, një skuadër thuajse e re, blerjet e bujshme të verës dhe logoja e re e klubit. Skuadra mbylli dje përgatitjet me seancën e fundit stërvitore, ndërsa tekniku spanjoll testoi formacionin që pritet të zbresë sot në fushë. Përpara nisjes drejt Elbasanit, presidenti i klubit Sinan Idrizi zhvilloi një takim motivues me lojtarët në ambientet e stadiumit të rikonstruktuar në Vlorë.
“Djema, është shumë e thjeshtë: unë kërkoj nga ju të respektoni fanellën dhe qytetin. Ju uroj suksese dhe të na prijë e mbara”, tha shkurtimisht Idrizi, i cili si rrallë herë u shfaq para skuadrës i veshur me kostumin sportiv dhe me logon e re të Flamurtarit.
Në emër të presidencës, fjalën e mori edhe anëtari i bordit drejtues, Rinald Bezhani, i cili nënvizoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe të gjithë sezonit: “Keni në dorë të shkruani një kapitull të ri të historisë së Flamurtarit. Ky është ekipi më i mirë që Vlora ka pasur në vitet e fundit, ndoshta më i miri që prej kohës kur skuadra shpallej kampione e Shqipërisë. Jemi ekipi më i vlerësuar në ‘Transfermarkt’ në Shqipëri, çka tregon qartë forcën dhe kualitetin që kemi. Sot ju nderoni emrin e 150 mijë vlonjatëve. Investimi i bërë në stadium, rreth 1 milionë euro, është më i madhi në këto 30 vite. Tani është radha juaj të nderoni emrin e Flamurtarit. Zoti ju bekoftë, suksese dhe me fitore!”, përfundoi Bezhani, mes duartrokitjeve dhe thirrjes së njëzëshme të skuadrës: “Para Flamurtari!”
GARSIA: TË TREGOJMË PUNËN NË FUSHË Trajneri spanjoll Karlos Garsia shprehu besimin se skuadra është e gatshme për të nisur me këmbë të mbarë kampionatin, duke kërkuar maksimumin nga lojtarët e tij. “Besoj se jemi të gjithë gati. Kemi punuar shumë dhe jam i kënaqur me përkushtimin që keni treguar. Tani është koha ta shfaqim këtë punë në fushë. Sigurisht, duhet të përmirësohemi çdo ditë, por objektivi ynë është të japim maksimumin dhe të dalim me rezultat pozitiv ndaj Elbasanit”, deklaroi Garsia pas seancës së fundit stërvitore.
TIFOZËT- Flamurtari kërkon mbështetjen e tifozëve sot në “Elbasan Arena”, për ndeshjen që do nis në orën 20:00. Për këtë klubi ka vendosur në dispozicion autobusë falas. Ata do të nisen nga Vlora në orën 16:00. “Të shtunën në Elbasan, luajmë bashkë! Forca jonë është në fushë, por fuqia jonë e vërtetë jeni ju në tribuna. Nisja me autobus falas nga stadiumi, ora 16:00”, thuhet në thirrjen e klubit.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













