EKSKLUZIVE/ “Jemi të karikuar dhe me besim për fitore”, Raza: Nuk i trembemi Tiranës, Pogradeci në Superiore (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2025 | 13:10

EKSKLUZIVE/ “Jemi të karikuar dhe me besim për fitore”, Raza: Nuk i trembemi Tiranës, Pogradeci në Superiore (E PLOTË)

Pogradeci ndodhet vetëm një hap larg Superiores, si kurrë më parë. Pasi kanë kaluar me sukses finalet e “play-off”-it të Kategorisë së Parë, kur mundën matjanët brenda në Burrel 1-0, kavajasit në Elbasan po 1-0, liqenorët tashmë janë të fokusuar te finalja e së dielës.raza

Ata do të përballen me Tiranën për të realizuar ëndrrën e tyre të madhe, Superioren. Lojtarët dhe stafi teknik janë të fokusuar te mbarëvajtja e këtij takimi jetik për objektivat që klubi i ka vënë vetes këtë sezon. Edhe pse ju deshën tri ndeshje shtesë, pogradecarët besojnë te grupi i lojtarëve dhe ky objektiv do të jetë një realitet i pashmangshëm.

“Elbasani na sjell fat”, deklaron futbollisti dibran që luan për pogradecarët nga fillimi i këtij sezoni, Redon Raza.

Si po e prisni takimin me Tiranën?

Është një ndeshje teke dhe ne po e presim me padurim. Jemi të karikuar vetëm për fitore e këtë dëshirojmë ta mbyllim brenda 90-minutëshit. Të gjithë jemi të fokusuar te kjo ndeshje teke dhe e fundit për sezonin, ku dëshirojmë të realizojmë atë objektiv që kishte klubi ynë këtë sezon, t’u bashkëngjitemi ekipeve elitare.

A ju tremb kjo skuadër e madhe, Tirana e 26 titujve kampionë?

Ne nuk i trembemi asnjë kundërshtari, pavarësisht emrit apo kurorave që ka mbi krye. E respektojmë atë si një emër të madh, një klub që mbart histori të madhe në futbollin shqiptar, dhe për gjithçka që kjo skuadër i ka dhënë futbollit. Por kurrsesi ne nuk do të hyjmë si inferiorë përballë tyre. Do të tentojmë ta mposhtim dhe të jemi ne skuadra që do të shkojmë në elitë.

Ndeshja luhet në Elbasan, si është kjo fushë për ekipin tuaj?

Fusha e Elbasanit gjithmonë ka qenë fatsjellëse për ne. Shpresoj dhe besoj shumë që edhe këtë radhë fati nuk do të na zhgënjejë. Gjithmonë kemi fituar në “Elbasan Arena”, edhe kjo radhë nuk do të bëjë përjashtim.

Si ndihet Raza te Pogradeci?

Që kur erdha këtu, pashë ambiciet dhe projektin që kishte klubi, për t’iu bashkangjitur skuadrave elitare. Kjo më bindi që unë të vija këtu. Ndihem mjaft mirë te Pogradeci, sepse kemi një grup që lufton me mish e me shpirt për më të mirën e këtij klubi. Këtu mbizotëron harmonia dhe të gjithë luftojmë për një qëllim.

Shoh që para çdo ndeshjeje e pas saj ju kërceni e argëtoheni me muzikë?

Muzika është arti i shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve me anë të tingujve. Toni, melodia, ritmi, dinamika dhe kualitetit zanor sjellin më shumë adrenalinë që ne të jemi të karikuar para çdo ndeshje. Pas saj, kur fitojmë, vazhdojmë të festojmë gjatë. Kjo na është bërë ritual që e përjetojmë pas çdo ndeshje.

Dhe së fundi, cila do të jetë e ardhmja e Razës?

Ka ende kohë për të shprehur idetë e mia. Tani nuk dua të shpërqendrohem. Jemi të fokusuar te takimi i radhës, që është dhe finalja jetike e klubit tonë. Ta kryejmë me sukses edhe këtë ndeshje e më pas të mendojmë më tej

 A. DUSHKU-PANORAMASPORT.AL