EKSKLUZIVE/ Ish-sulmuesi rrëfen karrierën dhe analizon kampionatin, Pero Pejiç: Dinamo afër zemrës, Shqipëria më mungon
I sh-sulmuesi Pero Pejiç, ka fituar gjithçka në kampionatin shqiptar me klube të ndryshme, e duke qenë një nga futbollistët e huaj më të dalluar që ka luajtur ndonjëherë në Shqipëri. Sulmuesi kroat, luajti për herë të fundit me Kukësin, teksa më parë luajti edhe Skënderbeun, Flamurtarin apo Dinamon.

Ndeshja e futbollit, Kukesi-Kairat Almatye i Kazakistanit, 0-0, e vlefshme per fazen Play-Off te kupes UEFA Eur, e luajtur ne stadiumin Qemal Stafa, ne Tirane.
Këta të fundit, Pejiç i sheh si favoritë për të fituar titullin kampion. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi ka pranuar se i mungon Superiorja, teksa u ndal edhe te talentet që luajnë në Shqipëri.
Pero, një kohë e gjatë që jeni larg Shqipërisë. Vazhdoni ta ndiqni Superioren? Po, po e ndjek. Jo si më përpara, por e ndjek disi kur ka derbi dhe çdo javë kontrolloj tabelën, kush fiton, kush humbet, por po e ndjek Superioren më shumë për rezultatet sesa në televizor. Por e kontrolloj, e ndjek herë pas here.
Me kaq sa keni parë, cila skuadër ju ka bindur deri më tani? Shiko, deri tani është herët të flasësh për ndonjë që më ka lënë përshtypje, por, Egnatia, Elbasani dhe Dinamo janë tre klubet që i kam ndjekur. Janë stabile, kanë lojtarë të mirë, kanë përvojë në dy-tre vitet e fundit në Superiore, dhe ndoshta Elbasani është më interesant, sepse e drejton Ivan Gvozdenoviç, një trajner shumë i mirë që ka menaxhuar ekipin shumë mirë për dy vitet e fundit. Dhe nëse sheh tabelën, ata janë të parët, por kanë shënuar vetëm katër gola. Kjo do të thotë që luajnë shumë mirë taktikisht. Sipas mendimit tim, ky do të jetë një kampionat shumë interesant, sepse në Shqipëri ka shumë klube të mira dhe do të jetë me të vërtetë interesante.
Flamurtari, një ish-skuadër e juaja rikthehet më në fund në Superiore… Po, po, kam luajtur te Flamurtari. Është edhe klubi im. Kam luajtur atje për gjashtë muaj dhe kam vetëm kujtime të mira e të shkëlqyera nga aty. Unë jam shumë i lumtur që ky klub është kthyer në Superiore, sepse Flamurtari duhet të jetë në Superiore. Është një klub shumë i mirë, me shumë traditë, lojtarë dhe njerëz shumë të mirë. Mendoj se e meriton të jetë në Superiore. Tani duhet të qëndrojë në ligë dhe të përshtatet, të mbetet aty.
Këtë javë luhet ndeshja Dinamo-Flamurtari, si e sheh duke qenë se ke luajtur me të dyja? Po, Dinamo është klub serioz. Nëse kthehesh një muaj pas, shikon që Dinamo e eliminoi Hajduk Split. Hajduku është klub shumë serioz dhe ka trajner të mirë, ish-trajneri im Ilir Daja. Do të jetë një derbi i bukur sepse Dinamo tani është një klub i qëndrueshëm, me trajner të mirë dhe president të mirë. Për Flamurtarin, është shumë e rëndësishme të mos humbasë. Pse? Sepse është kthyer këtë sezon në Superiore dhe objektivi kryesor është që të qëndrojë në ligë. Ndoshta sezonin tjetër do të synojnë Europën, por tani duhet të mos humbasin. Dinamo është pak më e fortë, por do ta shohim në ndeshje. Në futboll asgjë nuk dihet.
A është Pejiç tifoz me ndonjë skuadër të Superiores? Jo, nuk kam ndonjë klub të preferuar. Kam luajtur në shumë klube dhe nuk kam favorit. Nga të gjitha klubet kam përvoja dhe kujtime të mira. Por Dinamon e pëlqej si luan. Ndoshta sepse kur erdha për herë të parë në Shqipëri, ishte Dinamo klubi im i parë. Tani janë të fortë, kompakt dhe luajnë shumë mirë. Por nuk jam fans i ndonjë klubi të caktuar si Skënderbeu apo Kukësi, i respektoj të gjitha klubet shqiptare. Por ndoshta, në këtë moment, Dinamo është më afër zemrës sime.
Prej kohësh, jeni pjesë e stafit të Dinamo Zagreb. Si po shkojnë gjërat? Po, tani jam te Dinamo Zagreb dhe punoj me sulmuesit dhe anësorët, në mënyrë individuale, sidomos me video. Jam te Dinamo prej një viti dhe gjithçka po shkon mirë. Dinamo është klub i madh, jo vetëm në Kroaci, por në gjithë Ballkanin. Të punosh në këtë klub është privilegj. Jam i lumtur që mund të sjell përvojën time dhe t’i mësoj lojtarët e rinj si të shënojnë, si të krijojnë hapësira dhe të kuptojnë momentet e një sulmuesi të mirë.
Në Kroaci ka shumë lojtarë shqiptarë. Sa e lehtë është për ta të ambientohen? Po, ka shumë lojtarë shqiptarë këtu në Kroaci. E kam thënë edhe më parë që Shqipëria ka shumë talente, vetëm se i duhet pak përmirësim në shkollat e futbollit. Nëse përmirësoni shkollat, do të keni edhe më shumë talente. Shkolla është shumë e rëndësishme për çdo lojtar. Për shembull, tani kemi në klub Hoxhën dhe deri tani është shumë i mirë. Ka përparuar mirë. Edhe në ndeshjen e fundit kundër Dinamos shënoi dhe luajti mirë, pastaj edhe kundër Fenerbahçes. Shqipëria ka talente dhe është mëkat që i ka, por ndoshta mungojnë kushtet. Shpresoj që në të ardhmen të gjitha klubet shqiptare të ndërtojnë kampe trajnimi për të zhvilluar talentin dhe për të investuar te fëmijët, sepse ata janë e ardhmja.
A ka interes nga klubet kroate për futbollistët e Superiores shqiptare? Sigurisht që e ndjekim kampionatin shqiptar. Kemi shumë skautë nga Shqipëria. Kemi Kujtim Shalën, një ishlojtar shumë i mirë. Ai është një nga skautët që mbulon këtë pjesë të vëzhgimit. Sepse kemi në ekip Hoxhën, dhe ai tregoi që lojtarët shqiptarë mund të luajnë në Dinamo. Dhe sigurisht, kemi shumë skautë që kontrollojnë jo vetëm Shqipërinë, por gjithë Ballkanin. Dhe kjo është rruga normale kur punon në një klub të madh, të kesh të gjitha këto kushte. Është normale të kontrollosh gjithë Ballkanin. Nëse gjen një talent të mirë, të ri, është e rëndësishme ta kapësh menjëherë dhe pastaj ta zhvillosh në aspektin teknik, taktik dhe fizik. Sepse, siç ta thashë edhe më parë, Shqipëria ka talente shumë të mira. Dhe sigurisht që ne e ndjekim kampionatin shqiptar si pjesë e skautimit në Dinamo Zagreb.
Në të shkuarën keni luajtur me Dinamon dhe pas shumë kohësh, Dinamo shihet si favorit për titullin kampion. A mendon se mund ta bëjë diçka të tillë? Po, Dinamo është një nga klubet që do të luftojë për titull. Edhe Elbasani dhe Egnatia janë aty. Këto tre klube, sipas mendimit tim, do të luftojnë për titullin. Por nuk mund të thuash që Dinamo do të jetë kampione 100%. Sepse ka edhe 2-3 klube që mund ta pengojnë. Kjo është bukuria e futbollit – kur ke disa ekipe që luftojnë për titull, kampionati bëhet interesant. Në Shqipëri ka shumë klube të forta dhe nuk mund të thuash që kur shkon në Vlorë do fitosh lehtë. Jo, të gjithë e dinë që për të fituar në Vlorë duhet të jesh 100% gati dhe i përqendruar. Kjo është dashuria për futbollin. Sipas meje, Dinamo, Egnatia dhe Elbasani do të jenë në garë për titullin. Por do të shohim është vetëm fillimi.
A i mungon Pejiçit kampionati shqiptar? Po, sigurisht që më mungon Shqipëria, Superiorja, gjithçka atje. Sepse kur je futbollist, kalon shumë përvoja dhe kujtime të bukura. Jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj kam kaluar momente shumë të mira në Shqipëri. Është një nga ato vende që do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Kam kujtime shumë të mira nga futbolli shqiptar, qytetet, njerëzit, vetëm gjëra pozitive. Sigurisht që më mungon, por herë pas here vij në Shqipëri për të vizituar miqtë e mi. Kam shumë miq atje, dhe është normale të mbash lidhje me ta. Nuk është vetëm për jetën si futbollist, por edhe jashtë saj. Për shembull po marr rastin me ty Erjon, të njoh që nga periudha kur ishim te Kukësi dhe jemi në kontakt, flasim, shkruajmë. Kjo është jeta, jo vetëm futbolli.
A mendon se një ditë mund të rikthehesh, ndoshta si trajner ose drejtor sportiv? Për t’u kthyer në Shqipëri në një moment të caktuar… pse jo? Por do të shohim. Tani jam më shumë i fokusuar te puna e trajnerit dhe puna që bëj te Dinamo Zagreb, sepse aktualisht jam në një pozicion të mirë, gjithçka po shkon mirë. Por kurrë nuk i dihet. Në jetë, nuk i dihet kurrë. Futbolli mund të të çojë kudo – jo vetëm të qëndrosh në Kroaci. Do të shohim. Për momentin, jam këtu dhe jam i lumtur. Por në të ardhmen, nuk e di se ku mund të më çojë futbolli. Ndoshta do të rikthehem në Tiranë, te Dinamo, te ndonjë klub i ri, te Skënderbeu, Elbasani, Egnatia, nuk i dihet. Në futboll mund të thuash gjithçka, por nuk mund të thuash: “Nuk do të shkoj atje, atje, atje.” Sepse ky është një profesion pa garanci. Sot jam këtu, ndoshta pas dy vitesh do jem në Shqipëri, ndoshta pas pesë vitesh do jem në… Gjermani. Në futboll nuk i dihet kurrë. Është një rrugë e vështirë. Dhe sigurisht, pse jo? Nëse kam ndonjë ofertë të mirë apo një mundësi në të ardhmen, pse jo? Sepse unë e njoh gjuhën, njoh të gjithë atje, dhe të gjithë më njohin mua. E dinë që jam njeri i rregullt, lojtar dhe person normal, i hapur për gjithçka, kështu që do ta shohim. Por tani, në këtë moment, jo, sepse edhe familja ime është këtu në Zagreb. Jam me ta, me tre fëmijët dhe gruan time. Nëse largohem nga Kroacia, gruaja ime mbetet vetëm me fëmijët dhe është shumë e vështirë të menaxhosh tre fëmijë vetëm. Ata kanë filluar të luajnë futboll tani, janë 10 vjeç, dhe ka shumë punë me ta. Tani jam në Zagreb, jam me familjen time, të katërt së bashku. Sigurisht që është shumë më e lehtë kështu. Por siç të thashë më parë, në të ardhmen, pse jo?
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













