EKSKLUZIVE/ “Dita e Verës” erdhi me “luftë” në Vlorë, sherri nisi me Mustën e përfundoi me tre lojtarë të lënduar (E PLOTË)
Kaos, përplasje dhe ofendime në kor. Ndeshja Flamurtari-Elbasani ishte e tensionuar që para, gjatë dhe në përfundim të aktivitetit. Elbasani e feston mes dhunës dhe pa ballokume “Ditën e Verës”, në Vlorë. “Panorama Sport”, e paralajmëroi se çfarë do të ndodhte, duke publikuar edhe planin masave të policisë e cila ndryshe nga zakonisht kishte shtuar forcat.

Përplasjet nisin sapo tifozët e Elbasanit mbërrijnë në Vlorë, përpara impiantit. Policia i shoqëron të hyjnë brenda stadiumit por tensioni është i dukshëm. Ofendimet dhe hedhjet e sendeve në fushë vijojnë por situata është tensionuar më shumë gjatë pushimit të pjesës së parë. Tifozët e të dyja skuadrave kanë hedhur fishekzjarrë në tribunë, ndërsa nuk kanë munguar edhe fjalët fyese dhe provokimet ndaj njëri-tjetrit.
Atmosfera në stadium është nxehur ndjeshëm për shkak të rivalitetit mes dy ekipeve, ndërsa forcat e sigurisë janë vendosur pranë tribunave për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të shmangur përshkallëzimin e saj. Shpesh pranë shikohet të shkojë sekretari i përgjithshëm i klubit, Alfred Ferko, ndërsa përveç nëndrejtorit të Policisë Shpëtim Hasanaliaj, në stadium mbërrin edhe drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës, Elidon Çela që shkon tek ultrasit.
Përplasjet mes tifozerive edhe brenda ambienteve të stadiumit kanë bërë që efektivë të Ndërhyrjes së Shpejtë të marrin në mbrojtje tifozët e Elbasanit. Miqtë spostohet në mesin e hapësirës dhe në të gjitha anët janë rrethuar me efektivë të FNSH-së. Disa tifozë të skuadrës së Elbasanit hedhin fishekzjarrjë në drejtim të sektorit ku ndodheshin tifozët e Flamurtarit, duke krijuar momente tensioni dhe përplasje. Situata është përshkallëzuar për disa minuta, ndërsa tifozët vendas kanë reaguar ndaj provokimeve. Për të qetësuar situatën policia ka shoqëruar katër tifozë të ekipit mik.
PAS NDESHJES – Fillimisht skuadra e Elbasanit shkoi të festonte me tifozët e vet në fund të ndeshjes, e më pas iu drejtua dhomave të zhveshjeve. Por situata u tensionua mes tifozëve elbasanas dhe forcave të policisë në stadium teksa kishte edhe përplasje mes tyre për disa momente. Edhe drejtori i Flamurtarit, Alfred Ferko, u desh të afrohej te tribuna në fjalë për të qetësuar gjakrat, ndërsa tifozët vendas nuk kursyen gjuajtjet me sende dhe fishekzjarrë ndaj elbasanasve. Incidentet vazhduan më pas në ambientet e brendshme të stadiumit.
Në momentin që skuadrat do të futeshin në tunel Emiliano Musta debaton me një zyrtar të Flamurtarit. Përfaqësuesi i klubit i thotë: “Nuk të takon ty Musta të sillesh kështu në Vlorë. Musta kundërpërgjigjet dhe në këto momente afrohet edhe Skuadrone që nis debatet me kapitenin. Në konflikt përfshihen më pas të gjithë lojtarët e të dyja skuadrave që po futeshin për në tunel. Situata u përshkallëzua më tej, duke degjeneruar në përplasje mes lojtarëve, teksa bëhet e ditur se kishte edhe dhunë fizike. Kjo solli ndërhyrjen e forcave të rendit që tentuan të qetësonin palët, me trajnerin Gvozdenoviç, i cili u ndalua të shkonte të qetësonte futbollistët, ndërsa sipas klubit të Elbasanit është goditur edhe Lukili. Por edhe tifozët e Flamurtarit tentuan të hynin në dhomat e zhveshjeve të kuqezinjve për të “shfryrë dufin” ndaj skuadrës ndërsa nuk munguan as fjalët e hedhura kundër lojtarëve të tyre, por nuk lejohen nga policia. Ndërkaq presidenti Sinan Idrizi zbret me vonesë nga kati i dytë. “Çfarë po ndodh”, ka pyetur ai dhe më pas ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.
TË LËNDUAR PAS DHUNËS – Por përplasjet mes futbollistëve kanë qenë të ashpra saqë kanë mbetur edhe të lënduar. Shikohet që autoambulanca të vijë pas sherrit pranë pankinave për të ofruar mjekimin. Konfirmohet, por jo zyrtarisht ende se mes të dëmtuarve kanë mbetur futbollistët Skuadrone dhe Bolzan, por edhe të tjerë. Dyert i mbyllën dhe ky moment mbeti pak si hermetik nga klubi.
NGUJOHET SKUADRA DHE TIFOZËT – Pas ndeshjes tifozët e Elbasanit mbeten brenda stadiumit, policia ndërhyn për të parandaluar përplasjet. Për më shumë se 30 minuta ata mbahen brenda impiantit ndërsa shoqërohen më pas me polici drejt autobusit të tyre, por kaosi dhe përplasjet në rrugë janë të pashmangshme. Skuadra e Elbasanit është larguar nga stadiumi “Flamurtari” më shumë se një orë pas ndeshjes me ekipin vendas. Sfida u shoqërua me trazira pas përfundimit të saj dhe situata e tensionuar bëri që të pritej pak për transportin e ekipit verdheblu jashtë qytetit. Forcat e policisë rreth stadiumit kanë qenë në gatishmëri dhe derisa është qetësuar gjithçka është lejuar nisja e skuadrës. Polica e Vlorës bëri shoqërimin e ekipit mik deri në Levan. Aty më pas autobusin e Elbasanit “e mori në dorë” një patrullë e Fierit deri ne daljen e Lushnjës, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.
NJOFTIMI I POLICISË – Në gjithë ato ngjarje dhe dhunë, Policia e Vlorës ka habitur me hetimin. Dje ajo ka nxjerrë në pah vetëm një tifoz të Elbasanit, i cili e ka pësuar keq pas një kapsolle në drejtim të rivalëve nga Vlora. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin: Sh. B., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi në stadiumin “Flamurtari” gjatë ndeshjes së futbollit Flamurtari-Elbasani, ky shtetas ka hedhur kapsollë në drejtim të tifozëve të klubit Flamurtari”, thuhet në njoftimin e policisë.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













