Editoriali i kampionatit/ Renditja dramatike e Javës 25 dhe një kundërshtim i fortë që mungon
Nga BESNIK DIZDARI

Kam përpara Renditjen e Javës 25 të Kampionatit të Shqipërisë. Nuk dua të merrem as me kryesimin bindës të Vllaznisë, as me garën interesante për vendin e katërt (Dinamo 36, Partizani 36, Teuta 33). Po më “pëlqen” të merrem me fundin e Renditjes. I fundit është Flamurtari i Vlorës. I parafundit është Sportklub Tirana e Tiranës. Pra Vlorë dhe Tiranë! Tash po pyes: nëse ato mbeten këtu, vërtet do të zbresin nga Kategoria?
E pra si i bëhet, që kjo të mos ndodhë?
Shumë thjeshtë: të shtohen skuadrat deri në 14, madje edhe më bukur: deri në 16. Këte e kam shkruar me dhjetra e dhjetra herë. Dhe prap e shkruaj, ndonëse ndodhem përballë një kështjelle burokratike a të një konservatorizmi “të ri”, që me sa duket në këte rast mund të jetë Federata Shqiptare e Futbollit. Ajo e cila vetëm për shkak të zvoglimit të numrit të skuadrave, tash 11 vjet (11 edicione) të zhvilluar me vetëm 10 pjesëmarrëse, ka shkaktuar rradhazi rënien në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është) të këtyre skuadrave tona të famshme:
Të Elbasanit më 2015 – e 10-ta në atë Kampionat!
Të SK Tiranës më 2017 – e 9-ta në atë Kampionat!
Të Vllaznisë më 2018 – e 9-ta në në atë Kampionat!
Të Flamurtarit më 2020 – e 9-ta në atë Kampionat!
Të Luftëtarit më 2020 – e 10-ta në atë Kampionat!
Të Dinamos më 2021 – e 9-ta në atë Kampionat
Të Skenderbeut më 2022 – e 10-ta në atë Kampionat!
Të Skenderbeut më 2025 – i 9-ti në atë Kampionat!
Këtu merr fund kjo “poezi” me rimë. Shqipëria është padyshim i vetmi vend në Europë që prej 11 vjetësh përplas mbrenda çdo viti në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është) një, dy, pse jo edhe tri prej 10 skuadrave më të mira të saj!
E shihni! Elbasani, Tirana, Shkodra, Gjirokastra, Dinamo, Korça!
Janë skuadra themeluese dhe zhvilluese të Kampionatit të Shqipërisë – përfaqësuese të qyteteve ndër më të mëdhejtë e shqiptarëve. Të gjitha të rëna thjesht për shkak të numrit të vogël, ” fatal “10”, të skuadrave pjesëmarrëse.
E tash, përsëri edhe Tirana e Vlora?…
Nuk do ta zgjas fort kësaj here. Por do të pyes se si ka mundësi që këto qytete – më sportivët e Shqipërisë – klubet e tyre, mjedisi i tyre, janë nënshtruar deri këtu? Një nënshtrim shembullor ky, që duket qartë në heshtjen e tyre po shembullore. Merre me mend se sa të nënshtruar që janë. Nuk bëzajnë assesi. Vetëm nuk harrojnë të duartrokasin pa ndonjë shkak parësor, siç ndodhi qoftë dhe në zgjedhjet e fundit të FSHF.
Nuk bëzajnë as për “zhdukjen”e Ligës Profesioniste të Futbollit të Shqipërisë. Vërtet nuk arrijnë të kuptojnë se themelimi i kësaj Lige, që e kanë gjithë shtetet e Europës, do të thotë që klubet të jenë vetë ata zot të vetvetes? Pra jo “të pushtuar” kësisoji nga Federata e Futbollit?
Kampionati don edhe nja 11 javë për të përfunduar, pa përfshirë këtu ndeshjet e katërshes për titull. Kisha me thënë se është koha për një kundërshtim të fortë për ta detyruar FSHF-në që urgjentisht të ndryshojë për mirë fatin e Kampionatit. Dhe të vendosë qysh sot shtimin e skuadrave për Kampionatin tjetër, çka do të thotë që sivjet të mos ketë rënie të skuadrave. Nuk është ndonjë shpikje. Federata e hershme e Futbollit, madje Ministria përkatëse, për shtime të tilla kanë vendosur kështu disa herë. Këto ndryshime deri në vitin 1964 do t’i gjeni edhe te 6 librat “Historia e Kampionateve të Shqipërisë” të autorit të këtij editoriali, ndonëse ndoshta e keni të vështirë të prekni libra me dorë. Dhe nga librat marr vetëm këto tre shembuj që janë të kundërt me shembujt e fillimit:
Më 1947 Luftëtari i Gjirokastrës u rendit i 9-ti, i fundit, por nuk zbriti nga kategoria sepse edicionin e ardhëshëm (1948) skuadrat e Kampionatit u shtuan nga 9 në 14.
Më 1954 Puna e Elbasanit u rendit e 12-ta, e fundit, por nuk zbriti nga kategoria, sepse edicionin e ardhëshëm (1955) skuadrat e Kampionatit u shtuan nga 12 në 16.
Më 1974 17 Nëntori (SK Tirana) u rendit e parafundit, e 13-ta, por nuk zbriti nga kategoria sepse u ndesh me të dytën e Kategorisë së dytë, natyrisht për të mos rënë dhe pra, nuk ra.
Ky shembull i tretë që përveç të tjerave, na kujton edhe se vetëm skuadra e fundit zbriste drejtpërdrejt, na vlen fort. Na vlen për të kuptuar absurditetin e sotëm të një rregulloreje “primitive”. Një rregullore që jo vetëm “urdhëron” të zbresin dy skuadrat e fundit nga 10 që janë, pra 20 përqind. Por që edhe skuadra që zë vendin e 8-të të shkojë në ndeshje për mos rënie, duke na çuar në mundësinë e përjashtimit të 30 përqind të skuadrave! Nuk e gjen në asnjë vend të botës këte teori e praktikë “revolucionare” kësisoj përmbysëse!
Cilin model ka marrë Shqipëria e 10 skuadrave? Andorrën? Armeninë? Bosnje Hercegovinën? Estoninë? Faroen? Gjeorgjinë? Kosovën? Letoninë? Lituaninë? Malin e Zi? Slloveninë? I rreshtova simbas alfabetit këto shtete të një futbolli mbase më inferior se sa Shqipëria ose baraz me te, të cilët kanë po 10 skuadra në Kampionatet e tyre. Sigurisht nuk harroj dy shtetet e vetme me futboll të cilësisë së lartë si Kroaci e Irlandë të vetmet e këtij rangu që për çudi zhvillojnë kampionate me 10 skuadra.
Nuk ka nevojë për koment. Shqipëria në këte (ç)organizim nuk anoka te shkollat më të përparuara të Europës së 55 kampionateve kombëtare. Ia ka kaluar edhe Azerbaixhani, Biellorusia, Qipro, Finlanda, Islanda, Izraeli, Kazakistani, Luksemburgu, Malta, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, madje edhe mikroshtetet Gibraltar e San Marino të cilët zhvillojnë Kampionate me 12, 14 e 16 skuadra. Te perëndimorët e mëdhej nuk guxoj të shkoj. Se më duket që i fyej po t’i përfshij në këto lloj krahasimesh.
Kam tash 11 vjet që mundohem të gjej përgjigjen e pyetjes se përse Shqipëria e ka mpakur deri në këte skaj forcën, traditën, historinë, qytetarinë (po, po, qytetarinë) e Kampionatit të saj Kombëtar të Futbollit që është ndër më të vjetrit në Europë (1930). Nuk e gjej askund përgjigjen apo shkakun. Të jeni të sigurtë se jo vetëm unë. Aq më tepër kur mendoj se sa nivel të ultë ka Kampionati i Kategorisë së Dytë (se e Dytë është) ku mund të vazhdojnë e të përfundojnë skuadrat e qyteteve tonë të famshëm të futbollit siç janë këto të Tiranës e të Vlorës.
Mirë pra, mos kundërshtoni dhe vazhdoni të thelloni edhe më tej këte boshatisje të paparë të stadiumeve të qyteteve kryesorë të Shqipërisë.
PANORAMASPORT.AL













