Bylisi, me katër mungesa në kryeqytet. Si pritet të rreshtohet kundër Tiranës
Ka qenë një javë e ngarkuar për skuadrën e Mezanit, pasi kanë vijuar stërvitjen me intensitet në prag të transfertës me Tiranën.
Ballshiotët janë të përqendruar te takimi që zhvillohet nesër në mbrëmje në kryeqytet më Tiranën. Një duel mjaft i rëndësishëm për Bylisin që shkon jo me skuadër të plotë në këtë duel deçiziv. Sfida që do të luhet të mërkurën ora 18:00, në “Arena Kombëtare”, i gjen me mungesa mallakastriotët, të cilët duket se do të jenë me lëvizje në 11-she. Janë plot katër lojtarë, të cilët prishin jo pak planet e trajnerit të mallakastriotëve Gentian Mezani.
Me Tofik Malomo, mesfushori që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, por nuk do të jetë për lojë as ganezi Ofori që është grumbulluar me U-20 e Ganës. Por nuk ndalet me kaq sepse, Aurel Marku, edhe ky një titullar në linjën e djathtë, ka qenë grumbulluar me U-21 e Shqipërisë. Pa thënë që Aboubakar Kamara është pjesë e ekipit kombëtar të Nigerit dhe në ndeshjen e shtetit të tij ndaj Eritresë pritet që të jetë sërish në fushë e kështu edhe ai është një mungesë e sigurt ndaj Tiranës në “Arena Kombëtare”.
Pra, duket se Bylisi do të jetë me gjysmë formacioni në mungesë dhe në një duel kaq të rëndësishëm, sigurisht që u prishet punë mallakastriotëve. Ndonëse Bylisi ka disa elementë të gatshëm, mungesa e katër lojtarëve të sipërpërmendur, që kanë qenë titullarë të rëndësishëm në ndeshjet e zhvilluara deri më tani, sigurisht që prishin jo pak punë.
EKIPI – Trajneri Gentian Mezani bashkë me stafin e tij pritet që të hedhin në fushë më të mirët. Nevoja për pikë e ka detyruar stafin mallakastriot që të mendohen gjatë dhe të shohin sinjalet e çdo lojtari në seancat prag-Tirana. Skema do të ndryshojë dhe nuk do të jetë ajo skuadër që zbriti në fushë me Laçin, në takimin e javës së shkuar, nisur edhe nga fakti se janë shumë mungesa dhe lojtarë në dyshim për të luajtur edhe për shkak të gjendjes jo të mirë fizike. Malomo me kartonë, Ofori, Kamara e Marku me kombëtaret dhe Berko në dyshim. Me shumë gjasa, pritet që të ketë këtë përbërje Bylisi sot ndaj Tiranës, në shtëpinë e këtyre të fundit, duke i besuar skemës 4-5-1.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













