SPAK kërkoi dënimin me burg, GJKKO shpall të pafajshme kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi

Jul 1, 2026 | 10:50

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshme kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila ishte marrë e pandehur nga SPAK për akuzën e përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike.

Majlinda Bufi spak (5)

Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila arsyetoi se gjatë gjykimit nuk u provua që Bufi të kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Majlinda Bufi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë gjatë gjithë procesit. Më herët, Prokuroria e Posaçme (SPAK), në pretencën e saj, kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakes me 1 vit e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi do të zbriste në 1 vit burg, ndërsa prokuroria kishte kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë dyvjeçare.

Megjithatë, GJKKO vendosi ta shpallë të pafajshme Majlinda Bufin, duke rrëzuar akuzën e ngritur nga SPAK.

© Panorama.al

Te lidhura