Mrekullia shqiptare që po mrekullon botën

Jul 1, 2026 | 8:30

gaqo apostoliGAQO APOSTOLI

Protesta e datës 29 qershor 2026 u nis fare thjesht nga sheshi “Skënderbej” me parullat tashmë të zakonshme për kërkesën e dorëheqjes së Ramës dhe të kërkesës së dyfishtë për burg të binomit Rama dhe Berisha, si edhe dhe një parullë gjigante për marrjen fund të klasës politike dhe, që mbaronte në fund me shprehjen lapidare që “Shqipëria nuk është në shitje”.

Mbas mbylljes së incidentit me policinë që hoqi parullën gjigante nga Korpusi i Universitetit Politeknik dhe u detyrua ta vinte sërish nga presioni i masës së studentëve që dyndën me guxim në korpusin e tyre, protesta u shndërrua në një mrekulli nga ndërhyrjet e njëpasnjëshme të grave europarlamentare dhe të një europarlamentari, që për gati një orë e zotëruan ambientin e sheshit përballë Kryeministrisë, me fjalimet e tyre bindëse dhe entuziaste, duke i mbështetur protestuesit në qëndrimet e tyre të guximshme dhe të drejta gjatë 29 ditëve të protestave të tyre, kundër qëndrimeve qeveritare e kryeministrore të Edi Ramës.

Europarlamentarët u angazhuan bindshëm nën jehonën e fjalëve miratuese të protestuesve, për ta përcjellë tërë këtë frymë rinore dhe njerëzore edhe në vendet e tyre dhe, veçanërisht në Parlamentin Europian, sidomos për qëndrimet e rinisë në luftën kundër korrupsionit, të një qeverisje të korruptuar dhe që shfrytëzon fare pa kriter mjedisin dhe hapësirat publike. Në mënyrë eksplicite, thuajse të gjithë europarlamentarët u shprehën se shembulli i shoqërisë shqiptare, prej kësaj proteste me vlera të dukshme qytetare, po ndiqet në botë jo vetëm nga vendet e zhvilluara të Europës, por edhe në botë, ndaj protesta duhet të vazhdojnë deri në fundin e merituar. Veç të tjerash, kjo mbështetje e dukshme e europarlamentareve tregoi se falsitetit politik dhe elektoral të Ramës i erdhi fundi.

Kjo protestë e mbrëmshme, por edhe tërë protestat e ditëve të tjera, duhen vlerësuar si një proces i tërë, që po e ngre lart nivelin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, përse jo, në trajtën e një mrekullie!

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura