Nga Dr. Diana Gëllçi
Një protestë e bukur vazhdon prej disa javësh në Tiranë. Interesante është se i njëjti përshkrim vjen edhe nga ana e qeveritarëve apo mediave pranë tyre. “Protesta në vetvete është e bukur”, thonë edhe ata. Amplifikimi i idesë së “protestës së bukur” nga përfaqësues të qeverisë në Tiranë më kujton, sidoqoftë, shembullin e famshëm të “përshëndetjes së ushtarit me ngjyrë” (The Negro’s salute) në esenë e Roland Barthes, Myth Today (Le Mythe, aujourd’hui), e cila mbyll librin e tij Mythologies, botuar në vitin 1957.
Barthes analizon kopertinën e revistës Paris Match, ku shfaqet një ushtar i ri me ngjyrë, me uniformë franceze, duke përshëndetur flamurin kombëtar të Francës. Në pamje të parë, fotografia duket krejt e pafajshme, madje patriotike. Por, sipas Barthes, ajo funksionon si mit: e paraqet si të natyrshme dhe të padiskutueshme idenë se Perandoria Franceze është legjitime dhe harmonike, ndërsa përshëndetja e ushtarit shërben si dëshmi e besnikërisë së tij të vullnetshme ndaj Francës. Kështu, realiteti historik i kolonializmit fshihet pas një imazhi të thjeshtë patriotik.
Për këtë arsye, Barthes e konsideron këtë fotografi një nga shembujt më domethënës të mënyrës se si mitet ndërtohen përmes imazheve. Ajo që në sipërfaqe duket një gjest i pafajshëm, në një lexim kritik shndërrohet në një alibi të kolonializmit.
Tek Barthes, nuk është fotografia ajo që “gënjen”, sepse ushtari ekziston. Edhe përshëndetja ekziston. Miti krijohet nga nënkuptimi që i vishet fotografisë kur ajo vendoset në kopertinen revistës: “Shikoni sa harmonike është Perandoria Franceze”.
Nga kjo analizë mund të nxirret një përkufizim i thjeshtë i mitit politik: miti politik është transformimi i kuptimit të një objekti, ngjarjeje ose diskursi ekzistues, në mënyrë që ai të marrë një domethënie të re politike, e cila paraqitet si e natyrshme dhe e vetëkuptueshme.
Kështu, qeveria shqiptare ndërton një narrativë publike që prodhon mitin e “protestës së bukur”. Askush nuk thotë se protesta nuk është e qetë, qytetare apo edhe estetikisht e bukur. Përkundrazi. Por, në momentin që pushteti e përfshin shprehjen “protestë e bukur” në narrativën e vet, qendra e kuptimit zhvendoset nga pyetja:”Pse po protestojnë?” te vlerësimi: “Sa e bukur është protesta!”
Pse?
Pikërisht kështu funksionojnë mitet. Duke e quajtur protestën “të bukur”, pushteti sigurisht nuk ka fuqinë ta ndryshojë vetë protestën, por ai synon të transformojë kuptimin publik të saj. Protesta nuk paraqitet më si një akt kundërshtimi politik, por si një shprehje qytetarie që mund të admirohet pa u marrë seriozisht si sfidë ndaj pushtetit.
Në këtë mënyrë, hapi i parë nuk është shtypja e protestës, por transformimi i kuptimit të saj: protesta zhvendoset nga fusha e konfliktit politik në fushën e estetikës qytetare. Me fjalë të tjera, konflikti politik synohet të neutralizohet simbolikisht.
Në kuptimin bartesian, miti i protestës së bukur nuk e mohon realitetin e protestës (protesta është e bukur!); ai e ripaketon atë. Duke e zhvendosur vëmendjen nga arsyet e protestës te estetika e saj, diskursi synon të zbusë forcën politike të ngjarjes dhe ta bëjë atë më të pranueshme për vetë pushtetin.
Në fund të fundit, miti nuk e shuan dot protestën. Ai kërkon t’i ndryshojë kuptimin. Dhe pikërisht aty fillon puna e leximit kritik të miteve politike, përfshirë edhe mitin e “protestës së bukur”.
© Panorama.al












