KUR PROTESTA NUK KËRKON MË VETËM NDRYSHIM QEVERIE
Në ditën e tridhjetë të protestës, një fakt bie më shumë në sy sesa numri i pjesëmarrësve apo sloganet politike. Për herë të parë pas shumë vitesh, në shesh nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë së radhës. Në pankarta, në rrjetet sociale dhe në intervistat e protestuesve përsëritet një mesazh që shkon përtej rotacionit politik: ‘Larg politikës së vjetër’.
Në shumë raste, slogani shoqërohet edhe me një kërkesë tjetër: ‘Burg për Ramën dhe Berishën’.
Për dikë kjo mund të duket një parullë e zakonshme proteste. Por nëse dëgjon me kujdes argumentet e protestuesve, kupton se mesazhi nuk ka të bëjë vetëm me dy emra. Ai lidhet me një ndjenjë të akumuluar gjatë tri dekadave të fundit, bindjen se tranzicioni politik shqiptar prodhoi një elitë që ndryshoi partitë në pushtet, por jo mënyrën e ushtrimit të pushtetit.
Brezi që sot mbush sheshet nuk është brezi që përjetoi rrëzimin e regjimit komunist. Shumica e tyre nuk e kanë jetuar vitin 1997, nuk mbajnë mend tragjedinë e Gërdecit dhe ishin fëmijë kur ndodhën ngjarjet e 21 janarit. Megjithatë, këto episode përmenden vazhdimisht prej tyre si pjesë e së njëjtës histori, historia e një tranzicioni që, sipas tyre, nuk arriti të ndërtojë institucione të besueshme dhe një kulturë të përgjegjësisë.
Protestat e majit dhe qershorit 2026 nisën si reagim ndaj dy projekteve turistike në Zvërnec dhe Sazan. Brenda pak ditësh u shndërruan në diçka tjetër, debat kombëtar mbi qeverisjen, pronën publike, korrupsionin dhe legjitimitetin e pushtetit. Bloomberg i cilësoi si valën më të madhe të protestave në 30 vjet. Por pyetja e vërtetë nuk është sa janë të mëdha. Pyetja është, pse ndodhën tani, dhe pse me këtë karakter?
Kjo analizë nuk synon të japë verdikt për figura politike apo çështje ende objekt hetimi. Synon të kuptojë si u ndërtua ky mosbesim, pse ai është më i fortë sot se në çdo moment tjetër të tranzicionit, dhe pse një brez që nuk e jetoi fillimin e tij po kërkon me këmbëngulje mbylljen e këtij kapitulli.
THYERJA E PARË E KONTRATËS SOCIALE
Kur historianët do të shkruajnë një ditë historinë e tranzicionit shqiptar, viti 1997 nuk do të përshkruhet vetëm si viti i firmave piramidale apo i një rebelimi të armatosur. Ai do të kujtohet si momenti kur u thye kontrata e parë e madhe e besimit midis qytetarit dhe shtetit.
Në fillim të viteve ’90, Shqipëria doli nga një prej diktaturave më të izoluara të Europës. Demokracia nuk përfaqësonte vetëm pluralizmin politik. Ajo përfaqësonte shpresën për jetë normale, ekonomi të lirë, drejtësi, për një shtet që do të mbronte qytetarin e jo pushtetin. Entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm.
Megjithatë, institucionet e reja shtetërore u ndërtuan shumë më ngadalë sesa pritshmëritë e shoqërisë. Në atë boshllëk institucional u zhvilluan skemat piramidale, të cilat për vite me radhë arritën të mbledhin kursimet e qindra mijëra familjeve shqiptare. Kur ato u shembën, nuk humbën vetëm miliarda lekë kursime. U shemb edhe besimi se shteti ishte në gjendje të parandalonte katastrofa që preknin jetën e qytetarëve.
Pasojat dihen. Shqipëria rrëshqiti në krizë të thellë politike, ekonomike dhe të sigurisë. Depot e armëve u hapën, autoriteti shtetëror u dobësua dhe vendi u përball me një nga periudhat më dramatike të historisë së tij pas vitit 1990.
Për brezin që proteston sot, 1997 është simbol. Simbol i dështimit të institucioneve. Simbol i mungesës së përgjegjësisë politike. Simbol i fillimit të një tranzicioni që shumë shqiptarë besojnë se nuk u mbyll kurrë.
2005–2013 GËRDECI, 21 JANARI DHE KRIZAT E BREZIT TË DYTË
Periudha e qeverisjes së dytë të Sali Berishës u shoqërua me një seri ngjarjesh që e rikthyen vazhdimisht në qendër të debatit pyetjen mbi përgjegjësinë e pushtetit.
Rruga Durrës–Kukës
Autostrada që lidhte Shqipërinë me Kosovën u konsiderua si projekti infrastrukturor më i rëndësishëm i pas viteve ’90. Mënyra e prokurimit, ndryshimet e vazhdueshme të kostos dhe mungesa e transparencës mbi kontratën krijuan polemika të forta. Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi shifra të konsiderueshme të dëmit ekonomik të dyshuar, ndërsa prokuroria nisi hetime ndaj zyrtarëve të lartë.
Gërdeci: 15 mars 2008
Shpërthimi në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec shkaktoi 26 viktima dhe qindra të plagosur. Hetimet zbuluan lidhje mes kompanive të përfshira, zyrtarëve shtetërorë dhe personave pranë pushtetit. Për familjet e viktimave dhe për opinionin publik, Gërdeci nuk ishte thjesht aksident industrial. Ai u bë simbol i një shteti që kishte dështuar të garantonte sigurinë minimale të qytetarëve. Dosja e Gërdecit mbeti për vite me radhë pa vendim përfundimtar. Kjo zvarritje u bë vetë argument për ata që flasin sot për kulturën e pandëshkueshmërisë.
21 Janari 2011
Asnjë ngjarje e asaj periudhe nuk ndikoi në opinionin publik aq sa 21 Janari. Gjatë protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, nga të shtënat e Gardës së Republikës humbën jetën katër protestues. Ngjarja tronditi vendin dhe u bë ndër episodet më të debatuara të pluralizmit shqiptar. Familjet e viktimave vijojnë të kërkojnë drejtësi.
Kur shihen së bashku, rruga Durrës– Kukës, Gërdeci dhe 21 Janari krijojnë tablo të një periudhe ku projektet e mëdha dhe krizat ndërthureshin me akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe ndërhyrje në institucione.
2013–2026, RILINDJA DHE PYETJA QË NUK U MBYLL
Kur Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vitit 2013, pritshmëritë ishin të mëdha. Premtimi nuk ishte vetëm rotacioni i pushtetit, por një mënyrë e re qeverisjeje: transparencë, institucione të forta, meritokraci. Reforma në drejtësi u mbështet gjerësisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Krijimi i SPAK u konsiderua hapi më i rëndësishëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Megjithatë, paralelisht me këto zhvillime, qeverisja u përball me një seri çështjesh që ngritën pikëpyetje mbi administrimin e fondeve publike dhe raportin mes politikës, biznesit dhe interesit publik.
Koncesionet dhe PPP-të
Një nga debatet më të gjata të dekadës lidhet me kontratat e partneritetit publik– privat. Qeveria i mbrojti si instrumente për të përshpejtuar investimet. Shoqëria civile dhe ekspertët ngritën shqetësime për mungesën e konkurrencës, kostot afatgjata për buxhetin dhe transparencën e kontratave.
INCENERATORËT
Pak çështje kanë dominuar debatin politik aq gjatë sa kontratat për inceneratorët. Hetimet e SPAK çuan në procedime penale ndaj disa ish-zyrtarëve. Për opinionin publik, kjo u bë shembulli paradigmatik i mënyrës se si edhe projektet më të mëdha shtetërore mund të shndërroheshin në objekt kontrolli penal.
ZVËRNECI , PIKA QË DERDHI KUPËN
Në qershor 2026, projektimi i dy resorteve të mëdha turistike me vlerë rreth 5 miliardë euro, me lidhje të raportuara me Jared Kushner, nxiti valën e fundit të protestave. Por, siç tregon analisti Fitim Zekthi, ky nuk ishte fillimi. ‘Kjo është ndoshta protesta e parë në Shqipëri në 30 vjet ku njerëzit dalin në shesh krejtësisht vetë, pa ndonjë shtysë të madhe politike.’ Zvërneci ishte pika. Historia ishte shumë më e gjatë.
SPAK hapi hetim paraprak për mënyrën e transferimit të titujve të tokave bregdetare brenda zonës së zhvillimit. Komisioni Europian paralajmëroi se projekti mund të ndërlikonte negociatat e anëtarësimit.
SPAK DHE KUVENDI, KU QËNDRON REALISHT BLLOKADA
Nëse ka një moment që kondenson në mënyrën më të qartë pse besimi ndaj institucioneve është në krizë sot, ai moment ka emër dhe datë, 12 mars 2026.
Atë ditë, 82 deputetë të Partisë Socialiste votuan kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Por historia nuk nisi me atë votim. Nisi me heshtjen.
Kronologjia e bllokimit.
Kërkesa e SPAK kishte mbërritur në Kuvend më 16 dhjetor 2025. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nuk thirri mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Kaluan dy muaj. Afati ligjor 3-mujor pas të cilit çdo kërkesë konsiderohet automatikisht e rrëzuar po i afrohej. Vetëm nën presionin e limitit kohor u mbajt seanca.
Më 12 mars 2026, 82 vota kundër. Ishte hera e parë në historinë e pluralizmit shqiptar që mazhoranca bllokoi një kërkesë të SPAK për heqjen e imunitetit të njërit nga anëtarët e vet. BE, BIRN dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit e quajtën atë që ndodhi me një emër, pengim i drejtësisë. Refuzimi u reflektua edhe në raportin IBAR.
Kërkesa e dytë e njëjta heshtje
SPAK dërgoi kërkesën e dytë në Kuvend me akuza shumë më të rënda,pastrim parash, korrupsion pasiv i funksionarit të lartë publik, grup i strukturuar kriminal. Edhe kjo kërkesë ndodhet sot në Kuvend. Kuvendi nuk ka shpallur publikisht nisjen e procedurave.
Gjeometria është e qartë, SPAK ka vepruar. Kuvendi kontrollueshëm nga mazhoranca socialiste ka heshtur ose ka bllokuar. Por , kush e mban peng drejtësinë brenda Kuvendit dhe me çfarë leve?.
Cili është statusi aktual i protokollimit të kërkesës së dytë? A ka thirrur Peleshi mbledhjen e Këshillit të Mandateve? Afati ligjor kur skadon?
Pse kjo ushqen rrugën dhe daljen e njerwzve nw shesh. Protestuesit e ditës së tridhjetë e dijnë këtë kronologji. Ata nuk janë thjesht kundër Zvërnecit. Ata janë kundër një sistemi ku institucioni i drejtësisë kërkon arrestimin e numrit dy të qeverisë, dhe parlamenti voton kundër dy herë.
Ky paradoks SPAK vepron, Kuvendi bllokoi është boshti real i mosbesimit të brezit të ri ndaj institucioneve. Nuk është mosbesim ndaj drejtësisë. Është mosbesim ndaj politikës që mban drejtësinë peng.
BREZI QË NUK KËRKON LIDERË, POR INSTITUCIONE
Të rinjtë që kanë lindur pas vitit 2000 nuk kanë kujtime personale për 1997-ën, Gërdecin apo 21 Janarin, por janë rritur duke dëgjuar për to. Për ta, këto ngjarje nuk janë episode të veçuara. Janë pjesë e një historie që lidhet me mënyrën se si është ushtruar pushteti në Shqipëri.
Shumica prej tyre nuk i përkasin një partie politike. Shqetësimet e tyre lidhen me arsimin, punësimin, meritokracinë, emigracionin dhe bindjen se institucionet funksionojnë njësoj për të gjithë. Kur shohin SPAK-un të veprojë dhe Kuvendin të bllokojë, ata nuk shohin luftë partish. Shohin konfirmim të asaj që kanë besuar gjithnjë, se sistemi është i bllokuar nga brenda.
Slogani ‘Burg për Ramën dhe Berishën’ nuk duhet lexuar si vendim gjyqësor. Është mënyrë për të shprehur kërkesën që askush të mos jetë mbi ligjin, pavarësisht rolit apo kohës kur ka qeverisur.
Kjo është edhe arsyeja pse protesta nuk ka lider. Mungesa e lidershipit të centralizuar është njëkohësisht forcë dhe dobësi e vështirë ta kapësh, po ashtu e vështirë ta konsolidosh.
Analiza mbi si u ndërtua mosbesimi është e nevojshme, por nuk mjafton. Materialet investigative që rrjedhin prej saj janë:
1. Zinxhiri i bllokimit parlamentar
Cili është mekanizmi i saktë procedural me të cilin Peleshi ka zvarritur secilën prej dy kërkesave të SPAK? Cilat janë komunikimet zyrtare ndërmjet Kryesisë së Kuvendit dhe Këshillit të Mandateve? A ekziston precedent tjetër i zvarritjes 3-mujore?
2. Transferimi i tokave bregdetare
Cili është zinxhiri i plotë i transferimit të titujve të pronave në Zvërnec, Sazan dhe lagunën e Nartës? Kush i ka miratuar ato, kur dhe mbi çfarë baze ligjore? Çfarë ndryshimesh ligjore u bënë në 2024 dhe kush votoi?
3. Statusi i hetimeve aktive
Çfarë është statusi aktual i hetimit të SPAK për tokat bregdetare? Janë identifikuar të dyshuarit? Cilat janë akuzat e mundshme penale?
4. Dimensioni ndërkombëtar i Zvërnecit
Cili është roli i saktë i kompanive të lidhura me Kushner-in në procedurat administrative shqiptare? Cilat janë dokumentet publike disponibël?
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












