“Lum ne” sa pensionet kanë me na u rrit, sot më 1 korrik!

Jul 1, 2026 | 7:57

Xhevat MustafaXHEVAT MUSTAFA

Dialog me gruan, nisur në sy të arkëtares, në një supermarket, më 28 qershor 2026 dhe vazhduar rrugës për në shtëpi…

-Hej, grua, mos harro e mos harxho shumë, edhe për xhingla-mingla e për artikuj bizhuterie prej llamarine e bakri, lyer me bojë floriri dhe argjendi! Jemi pensionistë dhe jo deputetë e ministra.. !?

Gruaja- Hë, more ti, mos u bëj kaq kurnac, se një grua ke! Pastaj, mos harro se nga 1 korriku do të na rriten pensionet!?

-E si mund ta harroj, moj grua?! Mezi e kam pritur ardhjen e kësaj “dite historike”…! Prej ditësh kam bërë edhe llogaritë se çfarë mund të blejmë me lekët që do të na shtohen…Kur nuk ia dola me gishtërinjtë e dy duarve, gjeta ndihmë tek kalkulatori i celularit…

Dhe sipas llogarive të mia, del se do të na “rriten” pensionet secilit 1.5 kg. fiq apo qershia; 1 kg. ullinj ose 05- 1 litra vaj ulliri…Ose sa për një shalqi 5-6 kg… Ose 0.5 kg mish viçi apo qengji i paprerë, 0.5 kg mish i grirë; 1 pulë jo fshati, por pularie Driza, EHV, Boboshtica…; 1 kg sardele; 0.5 kg djathi të bardhë a kackavall; 1 kg gjizë apo salcë kosi…Për të kuptuar më mirë se sa fitojmë nga kjo rritje e re pensionesh në artikujt e bulmetit, na ndihmon një e dhënë fare taze.

Sipas një klasifikimi të freskët europian, dt.29 qershor 2026, për lartësinë e çmimeve të artikujve të bulmetit zëmë vendin e 3- të në Europë, pas Zvicrës me paga mesatare 7030 sfr ose 7300 euro dhe pas Norvegjisë, me paga mesatare nga 4900- 5500 euro, kur dihet se ne i kemi rreth 10 herë më të ulët!? Me aq lekë sa “do të na mbushen kuletat dhe xhepat” më 1 korrik mund të blejmë çdo muaj edhe 1 kg arra apo bajame të paqëruara. Me aq shumë lekë sa “do të na shtohen” pensionet më 1 korrik mund të blejmë për çdo muaj edhe 1 kg bamje ose kordhëza deleje ose dhie, qingji a keci…!? Por, edhe 0.5 kg ose 4 kaushë akullore të freskët apo 1 kuti gjysmë kilogrami akullore të konservuar prej vitesh…!? Për ty që i ha shumë ëmbëlsirat, nga 1 korriku pensioni do të na rritet edhe nga 1 pako bakllava, kadaif ose tollumba “Like”! Për pak, harrova, më 1 korrik do të na rriten pensionet edhe nga 1 kanotiere e 1 palë brekë të lira, për popull të thjeshtë e jo për politikanë, deputetë, pushtetarë, drejtora të përgjithshëm dhe agjencish shtetërore, sidomos në vartësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe zv.kryeministreshave…!? Sipas praktikës apo traditës 13-vjeçare, do të na rriten edhe çmimet e shumicës së ushqimeve, artikujve të higjienës dhe kozmetikës, të ilaçeve, 1 muaj apo 1 javë më parë se të fillojë tërheqja e lekëve të shtuar nga “bujaria qeveritare”, nga 1 korriku, kur piqet edhe fiku i dytë…!? Po sipas një “tradite të moçme” rritja e çmimeve nuk do të shoqërohet me rritje të sigurisë dhe të cilësisë së ushqimeve dhe të ilaçeve, siç ndodh, në shumicën e vendeve të BE-së, ku, “dehur” edhe nga deklaratat e Marta Kosit, pandehim si të sigurt anëtarësimin më 2029, më 2030…!? Meqenëse dolëm tek tema e cilësisë dhe sigurisë së ushqimeve, mund t’i referohem vetëm Gjermanisë… Ama, një lutje, mos harroni se atje shumica e artikujve janë me çmime 25-50% më të ulët se sa në Shqipërinë e sotme apo të këtyre 10 viteve! Sidomos, mos harroni se sa fish më të larta janë pagat dhe pensionet në Gjermani se sa tek ne, në Shqipëri…(5- 10 herë)! Për më tepër, shumica e artikujve ushqimorë, të higjienës, kozmetikës, të ilaçeve mjekësore nëpër supermarketet e Gjermanisë janë 100 bio, me cilësi të kontrolluar dhe shije shumë më të mirë se tek ne. Kush guxon të luaj me nivelin e cilësisë dhe afatet e prodhimit e të skadencës, ndëshkohet me gjoba falimentuese ose me vite burg, kur përmasat e abuzimit janë me shtrirje të gjerë dhe rrezikshmëri të lartë. Ndërsa në Shqipërinë tonë shumica e prodhimeve ushqimore janë të përmbytur me hormone, vaj palme, ujë, niseshte, miell, kunguj të miellzuar, kimikate, çka ua ka mbyllur dyert nëpër tregjet gjermane, franceze, holandeze, belge…Edhe në ato raste të pakta, kur domate, tranguj, speca…, nga Shqipëria kanë mundur të futen në këto vende, pas ankesave të shumta nga konsumatorët, janë hequr me shpejtësi dhe groposur…Për më tepër e më keq, tek ne, ndryshe nga sa ndodh në Gjermani, plot artikujve ushqimorë, të higjienës, kozmetikës, farmaceutikës…, u ndërrohen “artistikisht” datat e prodhimit dhe të skadencës…!? Hë, vrite mendjen, grua, sa pas kësaj “rritjeje marramendëse” apo çmendëse” të pensioneve, do të na rriten edhe tensioni arterial, niveli i diabetit, i kolesterolit…, nga “shtimi i ndjeshëm” i konsumimit të mishrave!? Sa do të na rriten pagjumësia dhe sherret nga kjo “rritje e çmimeve në nivele stratosferike apo edramiste”? Sa do të na rriten për çdo ditë edhe të rrahurat e zemrave, zhgënjimi dhe zemërimi ndaj Rama- qeverisë, kur të bëjmë mirë llogaritë e shtëpisë…? Edhe nëse do të na mbetet mënjanë apo në ndonjë xhep ndonjë lek për të shkuar në këto ditë Saharaje në Tiranë, qoftë edhe 1 javë me pushime në Pogradec, Vithkuq, Dardhë, Kelmend, Theth…!? Kështu që mjerë ne shqiptarët që qeveria na do aq shumë sa na përmbyt shpesh me rritje pensionesh! Edhe më tepër mjerë ne, për faktin se këto rritje na dalin për hundësh, na ikin për duarsh apo për lesh nga rritja e mëhershme dhe e mëvonshme e shumicës së çmimeve! Kështu që një lutje përgjëruese për qeverinë:

-Të lutemi, “mos na i ngri më pensionet kaq shumë”, sepse nga llogaritjet dhe sherret, na le pa gjumë!

Në fund, në shenjë mirënjohjeje për Rama-qeverinë na takon të brohorasim, sa të trembim dhe çudisim gjithë njerëzinë:

-”Lum si ne” për shtesën e pensionit më 1 korrik, do të marrim më tepër aq shumë pare, sa mund të blejmë çdo muaj, edhe dy copa… sheqerpare!

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura