Eurodeputetja gjermane e të Gjelbërve, Jutta Paulus, ka reaguar pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në Tiranë, duke deklaruar se “dhuna nuk është kurrë e pranueshme”.
Në një prononcim të cituar nga Politico, Paulus tha se gjatë protestës ku mori pjesë të hënën kishte parë ‘një atmosferë krejtësisht paqësore, me pjesëmarrjen e shumë familjeve dhe fëmijëve’. E pyetur për incidentet e së martës, ku nuk ishte e pranishme, ajo u shpreh se nuk mund të komentonte detajet, por nënvizoi se ‘çdo formë dhune është e papranueshme’.
Përplasjet e së martës para Parlamentit shënuan një përshkallëzim të protestave të cilat prej më shumë se një muaji zhvilloheshin kryesisht në mënyrë paqësore.
Rreth 200 protestues u mblodhën përpara Kuvendit ndërsa deputetët mbërrinin për seancën plenare. Mes thirrjeve për dorëheqjen e tyre dhe akuzave për korrupsion, disa protestues hodhën vezë drejt automjeteve të deputetëve, duke bërë që situata të përshkallëzohej dhe policia të shoqëronte me forcë 6 aktivistë.
Pas arrestimeve, protestuesit marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e të ndaluarve dhe duke akuzuar policinë për përdorim dhune.
Në mbështetje të protestuesve kanë qenë në Tiranë edhe eurodeputetet Ilaria Salis, Tineke Strik dhe Anna Strolenberg.
© Panorama.al












