Nga Agron Gjekmarkaj
Sot mbushen dy vjet nga ndarja me Ismail Kadarenë, shkrimtarit më të madh të letërsisë shqipe dhe njërit prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore.
Kadareja ishte njeriu që emancipoi letërsinë shqipe, e çliroi nga provincializmi dhe e vendosi në hartën e kulturës universale. I përkthyer në 48 gjuhë, fitues i çmimeve më prestigjioze në Evropë dhe Amerikë, ai u bë ambasadori më i madh kulturor që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Ai ishte ideologu modern i identitetit evropian të shqiptarëve, njeriu që me veprën e tij dëshmoi se kultura shqiptare i përket natyrshëm qytetërimit evropian. Një nga tre shqiptaret më të respektuar në Boten e gjerë nder shekuj me Skënderbeun e Nënë Terezen !
Veprat e tij madhështore e shndërruan në një klasik të letërsisë botërore. Lavdia e tij nuk ka nevojë për monumente. Ai e fitoi pavdekësinë me penën e tij. Në të vërtetë, jemi ne që kemi nevojë për të. Por të goditur nga banaliteti duket sikur refuzojmë ushqimin shpirtëror që na shtroi në tryezen e fisme të artit të madh!!
Prandaj dhemb më shumë heshtja e shtetit, fjala e pambajtur e Edi Ramës!
Në korrik 2024, gjatë ceremonisë mortore, Edi Rama premtoi solemnisht një varr monumental dhe një nderim të denjë për Ismail Kadarenë. Kanë kaluar dy vjet dhe ai premtim mbetet i pambajtur. Kryeministri nuk po i kthehet me asaj teme! Kujtimi i shkrimtarit e bezdis! Pra këto lloj betejash, e kam fjalën për ato të imazhit i fitojnë shkrimtaret jo mbretërit, të gjithë kujtojnë Servantesin jo Mbretin e Spanjës! E pat gënjyer mendja Enver Hoxhën por Kadareja e mundi dhe atë siç do mund këdo që mendon se pushteti e shndërron në referencë!
Ceremonia mortore ndaj Kadaresë ishte mediokre, zhgënjyese e padenjë, si nxitim për t’u çliruar prej tij! Po të ishte gjallë Kadria e njohur si Kakuja, motra e Kadaresë me humorin e hollë që e karakterizonte, me siguri do kishte thënë “nuk po kuptoja më kush ishte motra e Ismailit unë apo ministreshat veshur me të zeza që e rrethuan si të ishte Basri Hankoni i Hankonateve, personazhi, jo krijuesi i tij”.
Sot lind hidhërueshëm vjen pyetja: ku janë ata, emisarët, që i kërkuan Helena Kadaresë t’i besonte fjalës së Kryeministrit, vetë shtetit shqiptar? Ku janë ata që garantuan se premtimi do të mbahej? A i mundon ndërgjegjja që nuk e mbajtën fjalën dhe u përdoren si çirakë të rëndomtë të cilët nuk ndiejnë përgjeqësi !
Ndoshta të vjen edhe keq sot duke parë trajektoren e kësaj historie që familja nuk pranoi alternativa të tjera për prehjen e tij, qoftë në Kosovë, pranë Memorialit të Jasharëve, si bashkim simbolik i heroit dhe shkrimtarit në historinë shqiptare, apo pranë Ibrahim Rugovës, figurës tjetër emblematike të kombit. Atje mbase shndërrohej në gur kufiri i Shqipërisë tjetër asaj “atlantikes”!
Sepse sot, dy vjet më vonë, premtimi i shtetit shqiptar mbetet vetëm një zhgënjim fyes.
Kontrasti është i dhimbshëm. Shteti, me konkretisht Ministria e Kultures e drejtuar nga një njeri i pakulturë e grotesk, po shpenzon miliona euro për një stadium provizor për një këngëtar racist, antihebre, të dëbuar nga shumë vende perëndimore për gjuhë shoviniste dhe mos të habitemi kur një ditë të na dalë si histori korrupsioni, por nuk gjen dot vullnetin për të përmbushur detyrimin moral ndaj njeriut që i dha Shqipërisë prestigjin më të madh kulturor në historinë e saj.
Sa ishte gjallë, Kadareja nuk mund të shpërfillej. Fjala e tij rëndonte. Asaj ja kishin frikën!
Ndër vite kemi parë një pafundësi emërtimesh rrugësh, institucionesh, sheshesh e veprash publike, njerëz me vlerë e krejt pa vlerë për historinë tonë!
Kemi parë memoriale, buste, ceremoni e dekorata për shumëkënd. Por për Ismail Kadarenë? Asgjë. Asnjë institucion kombëtar me emrin e tij. Asnjë projekt madhor në lartësinë e veprës së tij. Asnjë përpjekje që të shprehë mirënjohjen e një kombi ndaj njeriut që e bëri letërsinë shqipe pjesë të letërsisë botërore.
Dhe kjo nuk e zvogëlon aspak Kadarenë. Përkundrazi, na zvogëlon ne. Të mëdhenjtë e këtij kombi na i ka ruajtur Europa kur ne i harruam dhe i nxorrëm nga kujtesa! Kadare ishte bir e qytetar i saj, emblemë e këtij qytetërimi!
Ai nuk ka nevojë për monumente, për rrugë apo për ceremoni. Ai është tashmë pjesë e pavdekësisë së letërsisë botërore. Por ne kemi nevojë t’i nderojmë njerëzit tanë më të mëdhenj, sepse mënyra se si një komb sillet me ta është prova më e mirë e cilivizimit të tij.
Mos vallë mosmirënjohja po bëhet tipari ynë modern? Nëse po, atëherë nuk kemi dështuar ndaj Ismail Kadaresë. Ai është përtej nesh. Kemi dështuar ndaj vetes, ndaj kujtesës sonë dhe ndaj brezave që do të na gjykojnë për mënyrën se si trajtuam shqiptarin më të madh të letrave. Kombi nuk varfërohet vetëm kur gjeniu vdes por shumë më tepër kur ai harrohet!
© Panorama.al












