Lexova se një ish-koleg i imi, ish-deputet i Partisë Demokratike, në një postim në “Facebook” thoshte se Edi Rama nuk duhet të japë dorëheqjen tashti, pavarësisht nga thirrjet e presioni i protestës flamingo. Kolegu sqaronte se u qëndronte njëmijë e një të zezave që kishte thënë për Ramën në dy dekadat e fundit, por meqë sipas tij, Shqipëria, për motive gjeopolitike, ka shumë shanse të anëtarësohet në BE lipset që Rama, i cili e ka çuar vendin afër stacionit final, të qëndrojë e t’a kryejë këtë punë.
Ky arsyetim bazohet në dy premisa të thjeshta por që, sipas meje, janë të gabuara:
Premisa 1: “Shqipëria ndodhet në prag të anëtarësimit në BE që pritet të ndodhë në v2030”. Këtë e thotë qeveria “Rama” si synim madhor. Nga ana e BE, Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos e ka quajtur të mundshme nëse 1) realizohen reformat e përmbushen standardet e kërkuara dhe nëse përveç Komisioni Europian që ajo përfaqëson edhe Këshilli (shtetet anëtare) e Parlamenti Europian bien dakord.
Parlamenti Europian në rezolutën e fundit ka qenë jo negativ por më pak entuziast se znj. Kos duke theksuar reformat e kushtet.
Shtetet anëtare janë një histori tjetër, siç u vu re në fillim të vitit kur një shumicë relative domethënëse bllokoi IBAR-in dhe më vonë e zhbllokoi atë duke shtuar kushte të rrepta përfshi edhe zgjidhjen e problemeve të krijuara nga qeveria “Rama”.
A do t’i përmbushë kushtet qeveria “Rama”? Deri tashti qeveria ka qenë e zonja “të bëjë letra” e të adopotojë formalisht ligje sipas direktivave europiane pa u angazhuar seriozisht për zbatimin e tyre. Periudha IBAR mbyllje e kapitujve do të jetë e fokusuar në zbatimin real të ligjeve e përmbushjen faktike e të provuar të kushteve. Në këto të fundit, qeveria “Rama” nuk ka shkëlqyer ndonjëherë për arsye të njohura.
Përtej deklarimeve zyrtare ajo që thuhet është se Komisionerja Kos mbajtur qëndrime të pakonsultuara për Shqipërinë e më gjerë; ajo po konsiderohet nga shtete anëtare, por edhe nga brenda Komisionit si njëlloj “soliste” irrituese, e cila flet për hesap të vet. Por edhe Parlamenti Europian, që si edhe Komisioni kanë një refren inkurajues për vendet kandidate, ka kufijtë e tij. Psh., zëdhënësi i grupit parlamentar më të madh (PPE) në Komisionin e Jashtëm (AFET) mbas një vizite në Shqipëri në shkurt të këtij viti deklaroi në komision “se po fshinte për momentin nga kujtesa çfarë i tha qeveria e opozita; por me çfarë i kishte treguar shoqëria civile në Tiranë për infiltrimin e shtetit nga krimi i organizuar çdo diskutim serioz për anëtarësim është shumë i parakohshëm”.
Që prej tre vjetësh BE diskuton edhe publikisht “staged açession” apo “anëtarësimin gradual” të shteteve kandidate dhe pro kësaj ideje janë shprehur Komisioni e Parlamenti si dhe një numër shtetesh anëtare. Një letër e përbashkët e Presidentit francez dhe e Kancelarit gjerman para tri javësh shprehet specifikisht në favor duke sinjalizuar se së afërmi ky pozicion do të bëhet zyrtar në BE. Çfarë do të thotë se aktualisht vetëm Mali i Zi që po negocion prej disa muajsh me BE për traktatin e anëtarësimit ka shanse (të vogla) që të arrijë anëtarësim të plotë si Kroacia në vitin 2013; ndërsa Shqipëria e shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor sipas meritës do të përfshihen pak nga pak në institucionet dhe programet europiane gjatë dekadave në vijim.
Premisa 2: Kryeministri Rama e ka çuar deri këtu procesin me BE dhe nuk do të ishte e udhës të zëvendësohej sipas parimit “nuk ndërrohet kali në mes të lumit” .
Para disa vitesh një deputet socialist e quajti Kryeministrin Rama si brand ndërkombëtar për Shqipërinë. Kjo deklaratë u prit me shpoti në opozitë e më gjerë si edhe krahasimet e po asaj kohe me Skënderbeun. Nuk e dimë sa të sinqertë ishin socialistët pro brandit Rama, por asokohe argumenti i tyre ishte se si personazh ekcentrik e sharmant Rama i Shqipërisë së vogël arriti të ketë aksese miqësore në kancelari të mëdha. Në fakt, për vite të gjata shumë ndërkombëtarë zgjodhën të heshtnin apo edhe të gënjenin para erozionit të demokracisë dhe narkokriminalizimit të ekonomisë e pushtetit. Ky ishte një dëm për një Shqipëri europiane dhe një turp për ta. Por ky episod, i diskutuar gjerësisht, duket se ka një fund. Kuraja e shumë shqiptarëve për të ekspozuar realitetin dhe ndryshime politike në Perëndim kanë sjellë qasje e fjalor tjetër ndaj qeverisë Rama në dy vitet e fundit. Një kontribut të veçantë ka dhënë edhe protesta qytetare njëmujorshe Flamingo me tubimet e përditshme në bulevard. Mediat kryesore në Europë e SHBA nuk po shkruajnë më për pikturat e atletet e Ramës, por po e paraqesin si shef qeverie abuziv, i përfshirë në trafiqe kriminale dhe që pluskon i kënaqur në pellg korrupsioni. Shihni psh., çfarë shkruan sot e përditshmja belge “Le Soir”. A është ky udhëheqësi i duhur për ëndrrën europiane”? Në BE, hiq mënjanë Marta Kosin e dashuruar dhe ca të ngjashëm, po dyshojnë përditë e më shumë për këtë.
Ka edhe një premisë të tretë të gabuar në postimin në fjalë: ish-kolegu e anatemon protestën Flamingo si islamiste, marksiste dhe ekstremiste. Qeveria, duke kërkuar në turmë hudutet me lupën në njërën dorë e me karafermanin në tjetrën po rreket të damkosë si të tillë tërë lëvizjen. Çdo mobilizim popullor në shesh mbledh edhe lloj-lloj tipash me ide të papërputhshme. Por lëvizja në fjalë në këtë fazë gjysmë të organizuar të saj objektivisht duhet të gjykohet nga proklamatat publike që lëshon. Sipas tyre, Flamingot kërkojnë konkretisht dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij pasuar nga qeveri teknike, reformë zgjedhore, shfuqizim të ligjit për investitorët strategjikë dhe amendimeve të fundit në ligjet mjedisore. Kush i thërret kujtesës, do të gjejë se këto kërkesa janë afro 100% si ato të opozitës parlamentare në vite. Edhe diskursi ditor i protestës nuk është më për Zvërnecin, por për katrahurën e përgjithshme ku ndodhemi e si do dalim prej saj. Prandaj edhe thirrja robespierriane “Rama n’burg, Berisha n’burg” që dëgjoj herë pas here në bulevard nuk lipset të merret më seriozisht se një kokërr hudhër që largon syrin e keq.
Autori, President i Paneuropa-Shqipëri
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












