Zbulohet kamera pranë burgut të Drenovës, dyshohet se u vendos për të monitoruar Brian Syzon para atentatit ku mbeti i plagosur

Jul 1, 2026 | 9:11

Një kamerë e vendosur pranë burgut të Drenovës dyshohet se është përdorur për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos, i cili u plagos me armë zjarri në Pogradec.

brian syzo

Sipas burimeve, rreth katër ditë më parë policia konstatoi një kamerë të montuar në një nga plepat përgjatë rrugës që të çon në burgun e Drenovës. Pas verifikimit të pamjeve filmike u identifikuan si autorë të vendosjes së saj vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli.

Nga hetimet rezultoi se kamera ishte instaluar për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos, me qëllim që ai të sulmohej në momentin kur do të shkonte për të takuar vëllain e tij, Sindi Syzo, i cili po vuan dënimin në burgun e Drenovës.

Motivi i dyshuar lidhet me hakmarrjen e Nikolla Agollit ndaj Brian Syzos, pas konfliktit që çoi në arrestimin e Sindi Syzos për plagosjen me thikë të Nikolla Agollit në një berberhane.

Ngjarja mori një kthesë të rëndë dy ditë më parë në Pogradec, kur Nikolla Agolli u arrestua pak minuta pasi dyshohet se qëlloi disa herë me armë zjarri ndaj Brian Syzos. Në pranga u vu edhe David Prifti, ndërsa në kërkim janë shpallur Edison Agolli dhe Meardi Berberi, i njohur me nofkën “Koro”.

© Panorama.al

Te lidhura