Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, denoncoi sot një vendim të qeverisë, përmes të cilit, sipas tij, Edi Rama ka shpallur investitor strategjik kompaninë RAMS Albania, duke i dhënë në përdorim rreth 88.8 hektarë (gati 1 milion m²) tokë në Vlorë.
Gjatë deklaratës së tij, Shehaj publikoi dokumentin e vendimit të qeverisë dhe tha se kompania ka si përfaqësues publik aktorin turk të njohur si “Osmani”, duke e cilësuar këtë si një tjetër rast të dhënies së pronës publike për interesa të tijat (video poshtë)
“Tani, është e qartë që Edi Ramës i ka ardhur fundi dhe po kërkon në çdo mënyrë të shpëtojë, t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mbajë pushtetin.” – thekson Shehaj.
Deklarata e Agron Shehajt:
“Ky është Osmani, aktori i famshëm. Tani, në 2026, gjithçka prisnim. Por që Osmani të pushtonte Vlorën, nuk e prisnim. Duket e pabesueshme, por Edi Rama, me vendim qeverie, i ka dhënë Osmanit pothuajse 1 milion m² tokë në Vlorë.
Ky është vendimi i Edi Ramës nëpërmjet të cilit vendos që kompania RAMS Albania, që ka si përfaqësues publik Osmanin, shpallet investitor strategjik dhe i falen 88.8 ha tokë.
Osmani do të investojë në Vlorë.
Ne e kishim parë Osmanin të vinte vërdallë në Vlorë para një viti, thuajse. Kishte dalë në fotografi edhe me kryetarin e Bashkisë dhe thoshte se sa e bukur është Vlora dhe sa punë të jashtëzakonshme kishte bërë kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe Partia Socialiste.
Por kurrë nuk mund të mendonim se po përgatitej pushtimi i Vlorës. Falja e mbi 88 ha tokë në Vlorë.
Ndërkohë që qytetarët e Vlorës, jo vetëm qytetarët e Vlorës, por të gjithë Shqipërisë në fakt, kërkojnë pronat e tyre, kërkojnë tokat e tyre, Edi Rama i përdor ato për të bërë pazare me qëllime okulte dhe me Osmanin.
Tani, është e qartë që Edi Ramës i ka ardhur fundi dhe po kërkon në çdo mënyrë të shpëtojë, t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mbajë pushtetin.
Por kjo nuk ka për të ndodhur sepse njerëzit nuk e durojnë dot më. Duan dorëheqjen e tij, duan që ai të dalë para drejtësisë.” – u shpreh Shehaj.
© Panorama.al












