Mijëra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e sotme (27 qershor) në Sheshin “Skënderbej”, në protestën e 28-të qytetare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta nisi në orën 19:00 në qendër të Tiranës dhe më pas vijoi me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë tubimit mbajtën fjalën protestues, aktivistë dhe qytetarë, të cilët shprehën kritika ndaj qeverisë dhe klasës politike në tërësi, duke kërkuar largimin e kryeministrit.
Pjesë e protestës ishte edhe eurodeputetja Ilaria Salis, e cila mbajti një fjalim mbështetës për protestuesit. Ajo deklaroi se “Europa është këtu në Shqipëri”, duke u shprehur në favor të mbrojtjes së pasurive natyrore. Ajo kritikoi modelet e zhvillimit që siç tha ajo bazohen te korrupsioni dhe privilegjet.
Pas përfundimit të fjalimeve, mijëra qytetarë marshuan në rrugët e kryeqytetit, duke brohoritur në kor slogane kundër qeverisë dhe klasës politike.
“Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “O Erion, o legen, prite Ramën se po vjen”, “O Ilir o legen priten Salen se po vjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Poshtë patronazhistët”, ishin disa nga thirrjet e qytetarëve.
Protesta masive për dorëheqjen e kryeministrit Rama u mbyll në mënyrë paqësore pas gati 5 orësh, duke bërë thirrje “nesër më shumë”.
KËRKESAT E PROTESTUESVE:
Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
© Panorama.al





































