A ka Shqipëria luksin të shesë tokën?

Jun 27, 2026 | 7:17

zef preçi

NGA ZEF PREÇI

Në ditët kur po diskutohet hapja e tregut të tokës bujqësore për të huajt, projektligji po paraqitet si hap modernizues, i domosdoshëm për integrimin në BE dhe për tërheqjen e investimeve të reja. Por pyetja e vërtetë është shumë më e thjeshtë: a ka Shqipëria, si vend i vogël dhe i varfër, luksin ta trajtojë tokën bujqësore si mall të zakonshëm në tregun global të kapitalit? Projektligji parashikon që të huajt të mund të blejnë tokë bujqësore private dhe tokë shtetërore “të disponueshme”, me kufij formalë prej 2 hektarësh në një bashki dhe deri në 30 hektarë në gjithë vendin, shtatë vite pas anëtarësimit në BE.

Në gjuhë të thjeshtë, shteti po përgatitet të hedhë në treg një pasuri strategjike, me argumentin se pa pronësi të huaj nuk ka zhvillim. Le të përpiqemi në vijim të arsyetojmë përfitimet e ekonomisë sonë kombëtare nga këndvështrimi i interesit publik dhe përgjegjësisë sonë përpara brezave që vijnë. Problemi i parë është se kjo po ndodh në një kohë kur vendi ende nuk i ka mbyllur llogaritë me të shkuarën e pronësisë. Edhe sot, dekada pas ndarjes së tokës me AMTP, shteti nuk ka arritur t’i regjistrojë të gjitha parcelat në Kadastër për shkak të gabimeve në ndarje, mbivendosjes së titujve, kufijve të paqartë dhe konflikteve midis përfituesve dhe ish pronarëve. Në këtë realitet, ku çdo dosje mund të fshehë një problem juridik, futja e investitorëve të huaj në të njëjtin treg nuk duket si reformë, por si shtresë e re paqëndrueshmërie mbi një themel edhe kështu të pasigurt.

Problemi i dytë lidhet me përfshirjen e kapitalit të huaj në këtë aset të pazëvendësueshëm të kombit. Vetë qeveria pranon se rreth 100 mijë hektarë tokë bujqësore mbeten ende në duart e shtetit dhe konsiderohen “të disponueshme” për shitje. Kjo është afërsisht një e shtata e tokës bujqësore të vendit, në një kohë kur mijëra familje fshatare ende nuk kanë përfituar ose regjistruar si duhet tokën që u takon. Në këto kushte, hapja e tregut nuk është thjesht hapje ndaj investimeve; ajo rrit rrezikun që konfliktet e brendshme të pronësisë të eksportohen në arbitrazhe ndërkombëtare, me kosto që në fund i paguan buxheti publik. Shqipëria ka kaluar tashmë në disa procese të tilla dhe ekspozimi financiar nga arbitrazhet është bërë prej kohësh një barrë reale për shtetin. Por a gjen vërtet justifikim ekonomik qeveria në hedhjen e këtij hapi në ditët e sotme? Për shembull, a e ka penguar deri më sot mungesa e pronësisë mbi tokën ardhjen e investitorëve? Në fakt, përvoja tregon të kundërtën.

Në turizëm, resortet, marinat dhe komplekset e mëdha janë zhvilluar kryesisht mbi tokë të marrë me qira nga shteti ose përmes koncesioneve, jo përmes pronësisë së plotë mbi tokën bujqësore apo bregdetare. Kjo do të thotë se një investitor serioz nuk është ndalur nga mungesa e pronësisë; atij i kanë mjaftuar kontrata afatgjata, siguria juridike dhe lejet e ndërtimit. Ndërsa historitë me përfshirjen e ndonjë investitori serioz, por më shumë me penetrimin e parave nga segmentet e krimit të organizuar dhe trafikantëve vendës, tashmë janë të njohura dhe përbëjnë një akuzë publike ndaj vendimmarrjeve të qeverisë. Sidomos në zbulimin e strategjive të saj “zhvillimore” përballë klientëve të saj dhe trafikantëve shumë kohë përpara se të “konsultohet” me komunitetet lokale që ndëshkohen nga këto vendimmarrje, madje edhe me pronarët e tokave bujqësore, një pjesë e mirë ende pa dokumente të ligjshme pronësie. Historia e hetimeve në proces e sipër për tokat e resortit të Zvërnecit provon pikërisht këtë: rrjetet e investitorëve të ligjshëm dhe eksponentëve të krimit të organizuar, bankat dhe fondet e investimeve të interesuara për blerje të lira tokash dhe fitime të shpejta janë të informuara vite përpara dhe kanë ndërtuar skema përfitimesh që ndëshkojnë jo vetëm fermerët e zonës, por edhe degën e bujqësisë në tërësi.

Prandaj pretendimi se pa pronësi të huaj nuk vjen zhvillimi bie vetvetiu. Deri më sot investimet kanë ardhur edhe me kuadrin ligjor në fuqi. Problemi nuk ka qenë mungesa e pronësisë mbi tokën, por korrupsioni, pasiguria juridike, infrastruktura e dobët dhe një administratë që shpesh punon me standarde të dyfishta. Mjafton të kujtojmë se të gjitha abuzimet me pronat janë iniciuar nga përfituesit biznesmenë e “të fortë”, janë mbështetur nga persona të veshur me pushtet politik (edhe këta vetë përfitues) dhe janë legjitimuar nga administrata e politizuar dhe thjesht në shërbim të klanit që sundon vendin.

Çfarë sigurie ka që, nëse procesi i shitjes, siç parashikon ligji i qeverisë, do të ndodhë një ditë, për shembull dhjetë vjet prej sot, toka bujqësore do të mbetet e tillë, domethënë do të përdoret vetëm për qëllime bujqësore, pavarësisht se kush e punon? Duke njohur realitetin, qeveria po përpiqet ta zbusë shqetësimin duke thënë se toka do të shitet vetëm për qëllime bujqësore dhe se nuk do të lejohet ndryshimi i destinacionit. Në letër kjo duket garanci. Në praktikë, është po kjo qeveri që prej vitesh ka lehtësuar kalimin e tokës bujqësore në truall për agroturizëm, fabrika apo projekte turizmi. Mjafton një vendim i ri, një plan urbanistik i ndryshuar ose një ligj i rishkruar pas disa vitesh që toka “bujqësore” të përfundojë nën beton. Këtu mund të përmendim edhe përvojën komprometuese me investitorët strategjikë, ‘Paketën e Maleve’ dhe projektet e mëdha turistike të promovuara nga qeveria.

Ato kanë treguar se, kur shteti e sheh tokën si instrument klientelist, përfitues nuk bëhen komunitetet lokale, por një grusht aktorësh të fuqishëm të lidhur me të. Nëse ky ka qenë modeli i deritanishëm, për të cilin unë nuk kam asnjë diskutim, nuk ka arsye të besohet se me shitjen e tokës bujqësore për të huajt do të ndodhë papritur e kundërta. Ligji mund të ndryshohet, vendimet mund të merren rast pas rasti, dhe “Albanian Files” na tregon se sa shumë projekte po presin vetëm dritën jeshile për t’u zbarkuar mbi tokën reale. Kështu që pyetja nuk është nëse qeveria mund ta pengojë ndryshimin e destinacionit; pyetja është nëse ajo ka vullnet të mos e bëjë këtë, kur i njëjti aparat politik e sheh tokën si sfond për 500 e ca resorte, kulla dhe komplekse të vizatuara paraprakisht. Një rrezik tjetër është përqendrimi i pronësisë.

Shqipëria e ka ndërtuar bujqësinë e tranzicionit mbi fermën familjare, me parcela të vogla dhe të fragmentuara. Liberalizimi i shitjes së tokës për të huajt, në një fshat të varfër dhe të braktisur nga emigracioni, krijon terrenin që shumë familje të shesin për nevojë, ndërsa toka të përqendrohet pak nga pak në pak duar. Në fund, fermeri shqiptar rrezikon të kthehet nga pronar i tokës së vet në punëtor sezonal në tokën e dikurshme të familjes së tij. Domethënë ndodh ajo që qeveria de facto ka bërë në rastin e Thethit, apo në zona të tjera, në emër të zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit, etj. Të mos harrojmë se deri dje biznese të njohura zinxhir si “Lidl” vinin për të shitur në tregun tonë; sot, me ligje si ky për tokën bujqësore, ata vijnë edhe për të kërkuar tokën – jo thjesht dyqanin, por tokën nën të, tokën rreth tij, tokën ku mund të ngrihen depo, qendra distribucioni apo edhe sera industriale. Dhe sapo toka kalon në pronësi të tyre, nuk është më thjesht çështje tregu; është çështje se sa territor kontrollon një korporatë globale në një vend të vogël si Shqipëria.

Pra përsëritet ajo që K. Marx e përshkruante në fillimet e historisë së kapitalizmit si procesin e akumulimit primitiv të kapitalit nëpërmjet ndarjes së pronës nga pronari dhe kthimin e këtij të fundit në punëtor me mëditje. Ndërsa argumenti i integrimit në BE nuk mjafton për ta justifikuar këtë hap sot. Edhe vende të tjera europiane kanë vendosur kufizime, periudha kalimtare dhe mekanizma mbrojtës për tokën. Shqipëria nuk është në pozitën e vendeve me kadastër të konsoliduar, me institucione të forta dhe me treg pronash të stabilizuar. Përkundrazi, është ende një vend me plagë të hapura në pronësi, me bujqësi në tkurrje dhe me fshat në zbrazje. Të jem i drejtpërdrejtë, nuk ekziston asnjë “autoritet i madh” europian që na detyron të shesim tokën; janë qeveritë me legjitimitet të cunguar si e jona ato që zgjedhin me vullnet të plotë t’ia dorëzojnë kapitalit të huaj tokën që duhej mbrojtur si pasuria e fundit e përbashkët e shoqërisë. Për më tepër, vendet përreth nesh në proces anëtarësimi në BE, të cilat për fatin tonë të keq kanë shtet më funksional se yni, si Serbia, kanë kushte më të forta për lejuar këtë proces në të ardhmen (psh., 10 vjet rezidencë).

Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut: e kanë të ndaluar, por lejojnë kompanitë vendase me kushte shumë të rrepta. Prandaj pyetja nuk është nëse Shqipëria duhet ta hapë një ditë tregun e tokës. Pyetja është nëse duhet ta bëjë këtë tani, në këtë formë dhe me këtë nivel dobësie institucionale. Përgjigjja, sipas meje, është jo. Shqipëria nuk duhet ta trajtojë tokën bujqësore si mall të zakonshëm. Ajo është burim ushqimi, mjet jetese për fshatin, pasuri territoriale dhe çështje sovranitetit dhe sigurisë ekonomike të vendit. Pa një kadastër të përfunduar, pa zgjidhur konfliktet e pronësisë, pa mbrojtur fermën familjare dhe pa garantuar se toka nuk do të ndryshojë destinacion sipas interesit të radhës, hapja e tregut për të huajt nuk është reformë. Është asgjë më shumë se një aventurë politike në dëm të interesit publik./Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura