Cilët bëjnë prokopi në këtë Shqipëri?

Jun 26, 2026 | 8:43

Xhevat MustafaXHEVAT MUSTAFA

Një intervistë e fantazuar, por, me shumë gjasa, edhe e përjetuar nga jo pak vetë, nëpër drejtori personeli të qeverisjes dhe administratës Rama…!

Je enverist?
-Jo!
Je socialist, anëtar i PS?
-Jo! Jam i pavarur! As i PD dhe i ndonjë partie tjetër…
Je tifoz personal i Edi Ramës apo edramist?
-Jo! As i Berishës apo berishian!
Je patronazhist?
-Jo!
Je spiun i moçëm apo i këtyre 12
viteve?
-Jo!
Je internacionalist dhe “openballkanist”?
-Jo!
Je agjent i huaj, serb, grek, rus,
francez…?
-Jo!
Je sorosian?
-Jo!
Ke kultivuar dhe tregtuar kanabiz si dhe a ke bërë tregti me banane Ekuadori, Kolumbie, Meksike,
Arube…?
-Jo!

PAK?
-Jo!
A i ke ndërruar disa herë emrin dhe mbiemrin dhe a je arrestuar e dënuar në vende të tjerë?
-Jo! Asnjëherë!
-Je investitor strategjik dhe tregtar
copash Shqipërie?
-Jo!
Je hajdut, jo të xhepit, por të buxhetit të shtetit?
-Jo!
Je imoral apo kurvar i kujdesshëm,
edhe me vartëse dhe kolege në zyra?
-Jo!
Je divorcuar më shumë se nga një
grua…?
-Jo!
-A pi dogra dhe shampanja, uiski, verëra… të shtrenjta?
-Jo!
Je nga Gjirokastra, Vlora, Tepelena, Skrapari, Fieri, Gjirokastra, Librazhdi, Dibra…?
-Jo!

Epo, me gjithë këto JO, ku mendon të vesh atëherë e të gjesh një vend pune, ku përveç pagës mujore, rrjedhin dhe pikojnë jo pak përfitime të tjera?! Po ta them fare troç: nuk ka vend për ty në këtë godinë e në të tjerat e kësaj qeverisjeje! Akoma, edhe pas 12 vitesh, nuk je bindur se je në shtetin e Edi Ramës?!

Me gjithë këto JO, të mira apo merita që paske ti, në këtë vend dhe qeverisjen e tij të PO- ve, ik shpejt në një vend të Perëndimit! Ik shpejt, sa këtu nuk të kanë futur për korrupsion e çmenduri, në ndonjë burg apo spital neuro- psikiatrik!?

Ky vend e ky popull do, voton, mbështet, mban me durim dhe kënaqësi mbi kokë e mbi kurriz, edhe 82 apo 35 vjet të tjerë, vetëm ata që kanë bërë maune me pisllëqe dhe të këqija e që janë për burgje e ferr dhe jo ata, që janë engjëj për parajsë e për qytetarë në Zvicër, Danimarkë, Finlandë, Suedi, Norvegji, Singapor…!

Hajt, thyej qafën e sikterrisu të gjesh një vend pune ose tek ndonjë kompani private, ose tek PD- ja dhe Berisha…!

Pra, siç thotë fare troç e shqip, miku dhe kolegu im, Filat Zane, në zyrat e “piramidës” qeverisëse dhe shtetërore Rama, kanë më shumë shanse e mundësi për punësim dhe karrierë:

Puthadorët
Lepirësit
Hipokritët
Maskarenjtë
Hajdutët
Mafiozët
Karagjozët
Të padinjitetët
Të pakarakterët
Tradhetarët…

Megjithëse këtë të vërtetë e shohin edhe të verbërit, Edi Rama ka kurajë dhe gojë të mburret se “ka bërë shtet modern”, kur për nga faktet, shifrat, treguesit e institucioneve statistikore shqiptare dhe ndërkombëtare, është larg shtetit modern, demokratik, ligjor e social funksional, të standardit të BE-së, sa ç’ janë larg më këmbë, me hapa “socialistësh allashqiptarë” apo breshkash e buburrecësh, Surreli nga Brukseli; Fieri nga Firence; Librazhdi nga Lioni; Ballshi nga Barce lona; Berati nga Berlini; Lushnja nga Luksemburgu…!?

© Panorama.al

Te lidhura