Zoti Kryeministër, lexova në shtypin e majtë se keni dhënë urdhër në mbledhjen e grupit PS që të vini zv.ministra politikë për të dëgjuar hallet e popullit, pastaj këta t’ua u thonë deputetëve dhe deputetët t’i sjellin shqetësimet në Grupin Parlamentar.
Ajo kapja e veshit të majtë me dorën e djathtë qenka lule këtë duhet me e rrotullu dy herë që ta kapësh.
Ka 4 mënyra për ta dëgjuar popullin para se ai të revoltohet. Se po u revoltua, e dëgjon drejtpërdrejt.
1/ Kur deputetët zgjidhen nga populli shkojnë direkt në zonën e tyre dhe dëgjojnë popullin, ndërsa kur zgjidhen nga kryetarët e partive në tavolinë me lista të mbyllura dhe me lekë nën tavolinë nuk kanë mendere të shkojnë në popull kështu që këtë variant e keni djegur ju kryetarët e dy partive.
2/Nëse presidenti zgjidhet nga populli, ia qajnë hallet atij dhe ai pra presidenti, ua thotë juve ose parlamentit. Por edhe këtë variant e keni djegur ju politikanët, sepse doni që edhe presidenti të zgjidhet nga ju dhe t’ju shërbejë juve. Meqë ra fjala, dini gjë ku ndodhet dhe a është mirë me shëndet të paktën se për të tjerat e dimë që si keni lënë gjë në dorë.
3/Nëpërmjet këshillit kombëtar të shoqërisë civile e ashtuquajtura KKSHc ku edhe C e keni vënë me germë të vogël. Por edhe këtë e keni zaptuar ju politikanët të majtë e të djathtë, sepse KKSHc përbëhet ligjërisht nga 13 anëtarë të qeverisë dhe 13 kryetarë të OJF të ngritura po prej politikës plus 1 biznesmen. Në vend që të ishte e kundërta ku 13 anëtarë të shoqërisë civile të merrnin pjesë në mbledhjet e qeverisë, sepse në fund të fundit pagat tuaja nga shoqëria civile dalin pra nga populli.
Meqë ra fjala, gojët e liga thonë se edhe këtu luhet leku i madh dhe ndahet midis tyre jo për të zhvilluar shoqërinë civile por për ta bllokuar dhe lënë jashtë loje. Pra, kur ju thoni si qeveri që ky ligj u konsultua edhe me shoqërinë civile është një gënjeshtër e madhe sepse aty jeni prapë ju. Nuk e kam me ju personalisht më ndjeni, por me klasën tuaj politike majtas dhe djathtas. Së bashku i keni ujdisur ligjet thotë populli i kini kopsitur mirë që të mos keni probleme më pas.
4/Nëpërmjet anëtarëve dhe të zgjedhurve në partitë tuaja sepse edhe ata anëtarë pjesë e popullit janë në fund të fundit. Por edhe aty në partitë tuaja nuk dëgjohen nuk ka demokraci nuk ka meritokraci, madje kush ka mendim ndryshe nga kryetari i partisë eliminohet politikisht ose përjashtohet fizikisht. Pra, politika nuk lë të dalë asnjë gjel tjetër brenda partisë, lëre më pastaj të lejojë apo të stimulojë daljen e një gjeli nga shoqëria civile.
Prandaj ju keni sot një popull të revoltuar në rrugë e sheshe, sepse ia keni zënë të gjitha hapësirat ku ai të shprehet. I keni lënë vetëm të drejtën e votimit 4 minuta në 4 vjet. I keni hequr kontrollin mbi pushtetin.
Prandaj aty dalin e flasin të gjithë, prandaj s’kanë kokë, por del hera-herës ndonjë i vetëquajtur përfaqësues që nuk di akoma t’i vendosë pikat mbi i me qëllim apo pa qëllim, këtë nuk e di. Prandaj protesta mund të marrë ngjyra të ndryshme çdo ditë dhe mund të përvetësohet nga dikush tjetër për qëllime të tjera.
Zoti kryeministër, po jua them popullorçe, juve ju kanë roitur bletët nga kosherja e madhe dhe po kërkojnë një mbretëreshë të re, për një jetë të re, prandaj derisa ato të gjejnë mbretëreshën e tyre, ju mbani fort kosheren tuaj. Por nga momenti që do gjejnë dhe nëse e gjejnë mbretëreshën e tyre, do roisi e gjithë kosherja PS dhe PD. Megjithëse kam frikë se ndonjë gredh do hiqet si mbretëreshë e pastaj do hajë të gjitha bletët e roitura.
Nëse ju doni të dini vërtet pakënaqësitë e popullit, do t’ju nis edhe një letër të tretë që të mos përdorni atë dorën rretheqark veshit se çfarë mendon populli.
Duke ju uruar shëndet, shpresoj në mirëkuptimin tuaj dhe ju përshëndes me këngën..
ERAVAMO QUATRO AMICI AL BAR di GINO PAOLI
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












