Autoritetet franceze kanë nisur një hetim paraprak pas dyshimeve se platforma e shitblerjeve të produkteve të përdorura “Vinted”, mund të jetë përdorur për raste të mundshme të trafikimit të fëmijëve.
Lajmi u bë i ditur nga Prokuroria e Nanterrit, e cila konfirmoi se hetimi ka nisur pas raportimeve dhe denoncimeve të publikuara në rrjetet sociale.
Sipas autoriteteve, përdorues të platformës kishin identifikuar disa njoftime që i konsideruan të dyshimta, pasi në to ofroheshin lodra ose sende me vlerë të ulët për çmime jashtëzakonisht të larta.
Gjithashtu, disa përshkrime përmbanin referenca për moshën dhe gjatësinë, të cilat, sipas denoncuesve, mund të interpretoheshin si kode që lidhen me fëmijë.
Çështja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa TikTok u bë një nga platformat kryesore ku u publikuan pretendimet.
Në një video të publikuar në mesin e muajit qershor, një krijues përmbajtjeje përmendi rastin e një figure të “Harry Potter” të nxjerrë në shitje për 30 mijë euro, duke ngritur pikëpyetje për çmimin e pazakontë.
Në të njëjtën video u përmend edhe një njoftim që përfshinte të dhëna si “gjatësia 1.58 metra” dhe “mosha 13 vjeç”, duke ngritur dyshime se këto mund të përbënin një kod të përdorur për trafikimin e fëmijëve.
Komisionerja e Lartë për Fëmijët, Sarah El Haïry, deklaroi se kishte denoncuar pranë autoriteteve ekzistencën e disa “llogarive të dyshimta” në platformë.
Ndërsa të enjten, ajo e cilësoi si “tronditës”, nëse rezulton i vërtetë një publikim i portalit francez 20 Minutes, sipas të cilit gazetarët kishin kontaktuar me një person që pretendohej se po përpiqej të “shiste” një vajzë të mitur përmes një njoftimi në platformë.
Megjithatë, artikulli u korrigjua më vonë, pasi rezultoi se përdoruesi ishte një nxënës 17-vjeçar, i cili pretendoi se e kishte publikuar njoftimin si një kurth për të identifikuar persona me prirje pedofile.
Çfarë përgjigjet Vinted
Deri më tani, Prokuroria nuk ka bërë të ditur nëse dyshimet janë konfirmuar. Ndërkohë, disa nga shitësit që u përmendën publikisht deklaruan për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) se kishin nxjerrë në shitje vetëm lodra.
Nga ana e saj, Vinted njoftoi se shqyrtoi njoftimet në fjalë, por nuk gjeti prova që t’i lidhin ato me veprimtari kriminale.
Sipas kompanisë, referencat për moshën në përshkrimet e produkteve lidhen me grupmoshat e rekomanduara për përdorimin e tyre, ndërsa çmimet shumë të larta shpjegohen ose me vlerën koleksionuese të artikujve, ose si pjesë e strategjive tregtare të negocimit.
Platforma thekson gjithashtu se nuk lejon publikimin e përmbajtjeve të papërshtatshme, heq menjëherë njoftimet e dyshimta kur identifikohen dhe bashkëpunon me autoritetet sa herë që kjo kërkohet.
© Panorama.al












