NGA PROF. DR. EDMOND PANARITI
Tokat e Shqipërisë nuk janë thjesht mall tregu. Ato janë themeli i sovranitetit kombëtar janë siguria e ushqimit, janë historia dhe identiteti i kombit. Projektligji që hap rrugën për shitjen e tyre tek blerësit e huaj paraqitet si reformë modernizuese, por në të vërtetë është dorëzim i pasurisë më të çmuar të vendit. Një herë e shitur, toka nuk kthehet më. Me të humbet kontrolli mbi prodhimin ushqimor, mbi jetën rurale dhe mbi vetë shtetin. Shqipëria mund të fitojë teknologji dhe kapital afatshkurtër, por rrezikon të humbasë sovranitetin afatgjatë. Dorëzimi i tokave është dorëzim i Shqipërisë.
Rrënimi i bujqësisë shqiptare nuk është rastësi. Ai është i qëllimshëm. Politikat e dekadave të fundit nuk kanë synuar ringritjen e bujqësisë, por shkatërrimin e saj. Shkatërrimi i zinxhirit të prodhimit, mungesa e subvencioneve reale, braktisja e fshatit dhe emigrimi masiv i fermerëve kanë krijuar një boshllëk. Ky boshllëk nuk është i rastësishëm – është përgatitja e terrenit për shitjen e tokave tek të huajt. Kur bujqësia bie, toka humbet vlerën e saj si burim prodhimi dhe kthehet në mall spekulativ.
Dhe ky është qëllimi final: të shitet toka, jo të ringrihet bujqësia. Një element i rëndësishëm në këtë proces ka qenë ndërprerja për tri vite e fondeve IPARD nga Bashkimi Evropian. Këto fonde ishin instrumenti kryesor për modernizimin e bujqësisë shqiptare, për rritjen e konkurrueshmërisë dhe për përafrimin me standardet evropiane. Bllokimi i tyre i privoi fermerët nga mundësia për të investuar në teknologji, për të ulur kostot e prodhimit dhe për të hyrë në tregjet evropiane. Pa mbështetje, bujqësia shqiptare u dobësua edhe më shumë, duke e bërë tokën të pavlefshme për prodhim dhe të gatshme për shitje. Ky nuk ishte thjesht një dështim administrativ, por një strategji që çoi drejt rrënimit të prodhimit vendas dhe përgatitjes së terrenit për dorëzimin e tokave. Një tjetër mekanizëm që i shërben këtij qëllimi është statusi i paqartë dhe konfliktual i pronësisë mbi tokën. Fragmentimi i pronësisë, mungesa e dokumentacionit të qartë, proceset e gjata gjyqësore dhe kadastra e pasaktë e paralizojnë investimin dhe e bëjnë tokën të papunueshme. Tokat e mbetura në konflikt ligjor nuk prodhojnë, nuk zhvillohen, por mbeten të gatshme për t’u kapur nga interesa të fuqishme. Në këtë mënyrë, paqartësia e pronësisë nuk është thjesht problem juridik, por mekanizëm i dorëzimit të tokave. Ajo shndërron tokën nga burim prodhimi në mall spekulativ, duke i hapur rrugë shitjes tek të huajt. Pasojat janë dramatike.
Shqipëria tashmë importon mbi 70% të ushqimeve bazë. Nëse tokat kalojnë në duar të huaja, kontrolli mbi prodhimin ushqimor humbet përfundimisht. Do të jemi të varur nga importet dhe nga politikat e korporatave të huaja. Siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare. Një vend që nuk prodhon bukën e vet, nuk është më i lirë. Shitja e tokave është rruga më e shpejtë drejt varësisë totale. Toka është më shumë se prodhim. Ajo është kulturë, traditë, identitet. Fshati shqiptar ka qenë gjithmonë shtylla e kombit. Nëse toka kalon në duar të huaja, fshati humbet kuptimin e tij. Fermeri shqiptar nuk do të jetë më pronar, por qiramarrës ose punëtor në tokën e vet. Kjo është shkatërrim i dinjitetit dhe i identitetit. Pa fshat, pa tokë, kombi humbet rrënjët e tij. Precedentët ndërkombëtarë janë të qartë.
Në Afrikë dhe Azi, shitja e tokave tek korporatat e huaja ka sjellë zhvendosje masive të popullsisë, varfëri dhe konflikte sociale. Toka është burim pushteti. Kush kontrollon tokën, kontrollon kombin. Shqipëria nuk duhet të përsërisë këto gabime. Ne kemi një histori të dhimbshme me humbjen e tokave – nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë sërish në kohë paqeje, përmes ligjeve të brendshme. Mesazhi im është i qartë: mos e shisni Shqipërinë. Tokat nuk janë mall tregu, janë pasuri kombëtare. Politikat duhet të synojnë ringritjen e bujqësisë, jo shitjen e tokave. Duhet të mbështesim fermerin shqiptar, të rikthejmë prodhimin vendas, të garantojmë sigurinë ushqimore. Dorëzimi i tokave është dorëzim i sovranitetit. Kush e voton këtë ligj, voton kundër Shqipërisë.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












