Dilema mbi Kodin e ri Penal

Jun 27, 2026 | 9:30

Florjan Kalaja

NGA FLORJAN KALAJA

Megjithëse kam shkruar disa artikuj më parë se e mbylla radhën e kritikave për Ligjin nr. 8/2026, konkretisht ndryshimin e njëzetepestë të Kodit Penal, do të më duhet sërish t’i kushtoj këtij ndryshimi ligjor edhe këtë shkrim të radhës. Shkrimi u kushtohet ndryshimeve të nenit 20 të Ligjit nr. 8/2026 në nenin 149/a të Kodit Penal dhe ndryshimeve të nenit 21 të Ligjit nr. 8/2026 në nenin 149/b të Kodit Penal.

Paraprakisht më duhet të shpjegoj se Kodi Penal në fuqi dhe projekti i Kodit të ri Penal parashikon një kategorizim dualist të veprave penale. Kështu veprat penale ndahen në dy kategori, konkretisht: (i) krimet; dhe (ii) kundërvajtjet penale. Paragrafi i dytë i nenit 1 të Kodit Penal parashikon se dallimi i veprave penale në krime dhe në kundërvajtje në çdo rast bëhet në dispozitat e Pjesës së Posaçme të këtij Kodi. Më tej paragrafi i parë i nenit 29 i Kodit parashikon se për krimet ligji cakton dënimin me gjobë, dënimin me burgim dhe dënimin me burgim të përjetshëm. Paragrafi i dytë i kësaj dispozite parashikon se për kundërvajtjet penale ligji cakton dënimin me gjobë apo dënimin me burgim. Duke pasur parasysh rrezikshmërinë ndjeshëm më të theksuar të krimeve në raport me kundërvajtjet penale, paragrafi i parë i nenit 32 të Kodit Penal parashikon se dënimi me burgim për krimet parashikohet nga ligji nga 5 ditë deri në 35 vjet.

Ndërkohë paragrafi i dytë i kësaj dispozite parashikon se dënimi me burgim për kundërvajtjet penale caktohet nga ligji nga 5 ditë deri në 2 vjet. Të njëjtën logjikë shkallëzimi të dënimit në raport me rëndësinë penale ndjek edhe neni 34 i Kodit Penal në rregullimin e minimumit dhe maksimumit të dënimit me gjobë. Kështu paragrafi i tretë i kësaj dispozite parashikon se gjoba për krimet caktohet nga ligji nga 100.000 deri në 10.000.000 Lekë dhe paragrafi i katërt parashikon se gjoba për kundërvajtjet caktohet nga ligji nga 50.000 deri në 3.000.000 Lekë. Këto janë rregullime ligjore të Pjesës së Përgjithshme dhe se ato në çdo rast përcaktojnë konturet juridike penale të rregullimeve të Pjesës së Posaçme të Kodit Penal, konkretisht të manualit penal normativ që liston në mënyrë ezauruese çdo vepër penale si të tillë në Republikën e Shqipërisë.

Kjo do të thotë se Pjesa e Posaçme duhet të ndjekë dhe të ndërtohet në çdo rast duke pasur parasysh regjimin juridik të Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal. Siguria juridike dhe kohezioni normativ kushtetues kërkon që të mos ketë kundërthënie apo autonomi apo pavarësi normative tërësia e dy pjesëve kryesore të Kodit Penal, pasi, megjithëse ato janë entitete të ndara për qëllimet e teknikës legjislative, secila prej tyre është pjesë integrale e tërësisë së Kodit dhe se ai përbën kostelacionin normativ penal unitar në të gjithë ekzistencën e tij. Kjo nuk është karakteristikë vetëm e Kodit Penal por është e tillë e çdo kodi tjetër apo e çdo ligji që sistemohet prej teknikës legjislative në një mënyrë të tillë.

Dallimi i qartë dhe i paekuivoktë ndërmjet kundërvajtjeve penale dhe krimeve nuk ka rëndësi vetëm për individualizimin e dënimit por edhe për shumë çështje të tjera juridike të zbatimit të ligjit penal material dhe procedural. Për shembull ka rëndësi për caktimin e periudhës së sigurisë ligjore në rastin e zbatimit të institutit të lirimit me kusht (neni 64 i Kodit Penal); në rastin e zbatimit të institutit të parashkrimit të ndjekjes penale (neni 66 i Kodit Penal); në rastin e zbatimit të institutit të amnistisë parlamentare apo faljes presidenciale (praktika ka provuar se amnistitë dhe faljet e kundërvajtjet penale janë më masive se sa krimet). Nga ana tjetër, mbi bazën e ndarjes së veprave penale që përbëjnë krime nga ato që përbëjnë kundërvajtje penale, rezulton se regjohet proceduralisht edhe instituti juridik i pushimit të çështjes apo akuzës penale, sipas parashikimeve të nenit 328 dhe 329/a të Kodit të Procedurës Penale. Kështu në rastin e kundërvajtjeve penale organi kompetent për pushimin e çështjes apo akuzës është prokuroria. Në rastin e veprave penale që përbëjnë krime prokuroria i kërkon gjykatës së seancës paraprake të vendosë pushimin e çështjes apo akuzës penale. Nga ana tjetër pika 4 e nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale parashikon ndalesën kategorike të arrestimit të personave me moshë 16 deri 18 vjeç për kundërvajtje penale, duke lejuar arrestimin e tyre vetëm për veprat penale që përbëjnë krime. Gjithashtu neni 251 i këtij Kodi nuk lejon arrestimin në flagrancë të personave që kanë kryer kundërvajtje penale, duke e lejuar këtë formë kufizimi të lirisë vetëm për krimet. Më tej neni 253 i këtij Kodi nuk lejon ndalimin nga prokurori apo nga oficeri i policisë gjyqësore i personave që kanë kryer kundërvajtje penale, duke e lejuar këtë formë kufizimi të lirisë vetëm për krimet.

Duhet të sjell në vëmendje se kjo qytetari normative në hartimin e Kodit Penal, konkretisht, mbi paekuivoksinë e ndarjes së prerë ndërmjet veprave penale që përbëjnë krime dhe ato që përbëjnë kundërvajtje penale, ka qenë e padiskutuar në një hapësirë kohore dhe tradicionale prej 99 vitesh në Shqipëri. Nga analiza sistematike që kam bërë në mënyrën se si ndërtohej Kodi Penal i vitit 1927, Kodi Penal i vitit 1952, Kodi Penal i vitit 1977 dhe Kodi Penal i vitit 1995, ky i fundit deri në datën 28.01.2026, kam konstatuar se nuk ka pasur asnjë përplasje juridike ndërmjet ndarjes së veprave penale dhe dënimeve të caktuara për to nga pjesa e përgjithshme dhe nga pjesa e posaçme. Por një qartësi dhe siguri e tillë juridike konstatoj se është prishur për herë të parë në Kodin Penal në fuqi në ndërhyrjen e njëzetepestë legjislative, pikërisht me Ligjin nr. 8/2026. Ndërhyrje të tilla plangprishëse në dispozitat e këtij ligji rezulton se janë dy. Konstatoj se në relacionin shoqërues të tij, nga Ministria e Drejtësisë deri në Kuvend, nuk ka asnjë fjalë që të shpjegojë se pse një kundërvajtje penale dënohet sikur të ishte krim. Kështu, para ndryshimeve të Janarit të vitit 2026, neni 149/a, dispozitë e cila parashikon veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, në të dy paragrafët sanksiononte se kjo vepër penale, pavarësisht formave të shfaqjes së saj objektivisht, përbën në çdo rast kundërvajtje penale. Paragrafi i parë parashikonte dënimin me gjobë ose me burgim deri në 1 vit. Paragrafi i dytë parashikonte se, kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një here, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet. Me nenin 20 të Ligjit nr. 9/2026 sanksioni në paragrafin e parë “gjer në 1 vit” u rrit, duke u parashikuar “gjer në dy vjet”. Ndërkohë edhe sanksioni “gjer në dy vjet” i paragrafit të dytë u rrit, duke u parashikuar “gjer në tre vjet”. Por, megjithëse ligjvënësi e rriti sanksionin nga 2 në 3 vjet burgim, paragrafi i dytë i nenit 149/a i Kodit Penal sërish, që prej vitit 2012 e deri sot, vetëshpallet si kundërvajtje penale.

Nga ana tjetër neni 149/b i Kodit Penal parashikon veprën penale “Shkelja e të drejtave të topografisë që qarkut të gjysmëpërçuesit” dhe se është e ndërtuar me dy paragrafë dhe në secilën prej tyre vetësh pallet kundërvajtje penale. Deri në Janarin e vitit 2026 kundërvajtja e paragrafit të parë dënohej me gjobë ose me burgim gjer në 1 vit. Ndërkohë që kundravajtja e paragrafit të dytë dënohej me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Me nenin 21 të Ligjit nr. 9/2026 sanksioni në paragrafin e parë “gjer në 1 vit” u rrit, duke u parashikuar “gjer në dy vjet”. Ndërkohë edhe sanksioni “gjer në dy vjet” i paragrafit të dytë u rrit, duke u parashikuar “gjer në tre vjet”. Por, megjithëse ligjvënësi e rriti sanksionin nga 2 në 3 vjet burgim, paragrafi i dytë i nenit 149/b i Kodit Penal sërish, që prej vitit 2012 e deri sot, vetëshpallet si kundërvajtje penale. Për herë të parë pas 99 vitesh qytetari normative penale në kohëveprimin e katër kodeve penale në historinë e Shqipërisë rezulton se Kuvendi në Janarin e vitit 2026 krijon mbivendosje dhe paqartësi juridike ndërmjet veprave penale që duhet të konsiderohen kundërvajtje penale dhe atyre që duhet të konsiderohen krime.

Edhe pse Kuvendi i quan kundërvajtje penale, figurat e veprave penale të parashikuara nga paragrafi i dytë i nenit 149/a dhe 149/b të Kodit Penal, i dënon ato sikur të ishin krime, nga 5 ditë deri në 3 vjet burgim, tërësisht në kundërshtim me parashikimin e paragrafit të dytë të nenit 32 të Kodit Penal, i cili ekziston dhe vepron i pandryshuar tashmë prej 31 vitesh. Kjo anomali normative penale, që duhet të jetë e mosndodhshme, ka ndodhur në ndryshimin e njëzetepestë të Kodit Penal, duke krijuar një përzierje të pasigurt ndërmjet kundërvajtjeve penale që janë krime dhe krimeve që janë kundërvajtje penale. Kufiri i qartë dhe i paekuivokshëm ndërmjet veprave penale që përbëjnë krime dhe veprave penale që përbëjnë kundërvajtje penale, pas 99 vitesh histori normative kodesh penale shqiptare, u prish, duke u paqartësuar jo vetëm individualizimi i dënimit penal me burgim, por edhe konkluzioni i organit procedues se çfarë vepre penale po procedon apo po gjykon, se si duhet të zbatohet lirimi me kusht, se si duhet të zbatohet parashkrimi i ndjekjes penale, se si duhet të zbatohen ligjet e amnistisë dhe si duhet të miratohen dekretet presidenciale të faljes, se si do të duhet të arrestohen të miturit, se si duhet të realizohet arrestimi në flagrancë dhe ndalimi i secilit person fizik dhe më tej cili do të jetë autoriteti procedural kompetent që do të vendosë pushimin e akuzës apo çështjes penale në të gjitha këto figura veprash penale.

E gjithë kjo, sikurse edhe analizat kritike të realizuara në shkrimet e mëparshme të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal” mbi ndryshimet e Kodit Penal në fuqi me Ligjin nr. 8/2026 (shih shkrimet Dilema mbi Kodin e ri Penal (18), (19), (20) dhe (21)), është e papranueshme në raport me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe qartësisë së paekuivoktë të ligjit penal dhe procedural penal, qoftë sipas nenit 29 të Kushtetutës dhe qoftë sipas nenit 7 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. E pikërisht këtë fillim mbrapshtësie të teknikës legjislative në hartimin e normave penale duket se e ndjek edhe projekti i Kodit të ri Penal në disa dispozita të tij të Pjesës së Posaçme në raport me parashikimet kuadër të Pjesës së Përgjithshme, duke bërë të duket sikur ka dy kode dhe jo një të tillë. Kështu për shembull në pikën 1 të nenit 72 parashikohet se maksimumi i dënimit me burgim për krimet është masa 30 vjet burgim.

Nga ana tjetër vepra penale “Trafikimi i personave madhorë”, konkretisht pika 4 e nenit 824 e projektit, parashikon se dënimi me burgim mund të caktohet deri në 35 vjet. Të ngjashme në këtë problematikë të teknikës legjislative janë edhe formulimet e pikës 8 të nenit 798; e pikës 4 të nenit 831; e pikës 4 të nenit 832 të këtij projekti, në të cilat, edhe pse në pikën 2 të nenit 72 sanksionohet se masa maksimale e dënimit me burgim është 30 vjet, në këto parashikime të Pjesës së Posaçme parashikohet se dënimi me burgim caktohet jo më pak se 30 vjet burgim, duke mos sanksionuar më tej se cilën masë kanë si kufizim këto sanksione që nuk u binden parashikimeve të Pjesës së Përgjithshme. Unike në këtë drejtim paraqitet pika 6 e nenit 586 të këtij projekti, ku parashikohet vepra penale “Dëmtimi i tokës dhe i fondit pyjor”, në të cilën krijohet një lloj dënimi plotësues kolektiv dhe universal krejt i ri nga sa ka parashikuar Pjesa e Përgjithshme, konkretisht urdhërimi i gjykatës të vendosë që klasifikimi i tokës në zonat e prekura nga zjarri në pyje nuk mund të ndryshohet brenda një periudhe deri në tridhjetë vjet dhe gjithashtu edhe lejimi i gjykatë të vendosë kufizime ose ndalime të shfrytëzimeve që po kryheshin në zonat e prekura nga zjarri, si dhe të ndërhyrjeve për administrimin e lëndës drusore të djegur nga zjarri. Rast akoma më i papranueshëm është pika 6 e nenit 288, në të cilën pavarësisht se gjoba është parashikuar të jetë dënim kryesor për kundërvajtjet dhe krimet (shih nenin 66) dhe pavarësisht se neni 67 dhe 69 nuk e listojnë gjobën si dënim plotësues, rezulton se Pjesa e Posaçme e përdor gjobën si dënim plotësues dhe ia atashon me detyrim çdo dënimi me burgim, edhe pse krimi në këtë rast mund të mos jetë kryer për qëllimet e përfitimit ekonomik. Nuk po zgjatem më tej pasi në të gjithë kaotikën e normave të Pjesës së Posaçme ka një rregulla që natyrshëm duhet të jenë të Pjesës së Përgjithshme por që në rastin më të mirë nuk janë të tilla apo në rastin më të keq kundërshtojnë ato.

Në tetorin e vitit 2025, kur e nisa rubrikën “Dilema mbi Kodin e ri Penal” në gazetën “Panorama”, pikërisht në shkrimin e parë të saj, ndava me publikun idenë dhe propozimin se ndoshta nga Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi do të ishte për e përshtatshme që të ndërhyjnë me ndryshime të Kodit Penal në fuqi, ndërkohë që lejonin më shumë kohë për debat konstruktiv dhe konsultim publik në hartimin e projektit të Kushtetutës Negative të Shqipërisë. Por në shkrimin e 40 të kësaj rubrike jam i bindur kryekrejt për të kundërtën e këtij propozimi, pasi ndërhyrje të tilla sikurse e njëzetepesta e Kodit Penal me Ligjin nr. 8/2026 duhet të jenë të kurrëqoftshme dhe të mospërsëritshme. Aq më tepër këtë bindje ma jep edhe shembulli i sipërmarrjes së hartimit të Kodit të ri Penal, projekt tek i cili nuk resht kohë pas kohe së gjeturi gabime të mosndodhshme.

Ndërkohë vlerësoj se eksperienca negative e procesit legjislativ të Ligjit nr. 8/2026 duhet të shërbejë si mësim për maturi të shtuar në ndërhyrjet e radhës në Kushtetutën Negative të vendit, qoftë nga grupi i punës që ka hartuar apo po retushon projektin e Kodit të ri Penal apo qoftë nga cilido grup pune që do të formohet në të ardhmen për ndërhyrje në ligje kaq të rëndësishme. Sigurisht që projekti i Kodit të ri Penal është një sipërmarrje e nevojshme dhe e domosdoshme e shtetformimit shqiptar por kjo mënyrë pune është e papranueshme, jo vetëm për hartimin e kodit të ri, por edhe për ndryshimet episodike të radhës që mund t’i bëhen dhe ka nevojë t’i bëhen Kodit Penal në fuqi.

* Autori, gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për korrupsion dhe krimin e organizuar

© Panorama.al

Te lidhura