SHBA sulmon Iranin pas goditjes ndaj një anijeje tregtare në Ngushticën e Hormuzit, palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit

Jun 27, 2026 | 9:14

Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara sulmuan të premten Iranin, në përgjigje të një sulmi me dron iranian ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit. Dy vendet tashmë akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të kushteve të marrëveshjes së armëpushimit të arritur javën e kaluar.

strike_arthrou

Komanda Qendrore e Forcave të Armatosura të SHBA-së (CENTCOM), përgjegjëse për operacionet në Lindjen e Mesme, njoftoi se ka goditur depo raketash dhe dronësh, si dhe pika të radarëve bregdetarë në Iran. Më vonë publikoi një video bardhë e zi me cilësi të ulët, ku shfaqej një shpërthim, e shoqëruar me etiketimin “e paklasifikuar”. Një zyrtar amerikan tha se operacioni kishte përfunduar.

Irani njoftoi se një raketë goditi zonën pranë një moli në Sirik, në jug të vendit, dhe se forcat detare iraniane u kundërpërgjigjën duke goditur objektiva ushtarake amerikane në rajon. Teherani nuk bëri të ditur se çfarë objektivash ishin goditur.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, pati shenja përparimi drejt përfundimit të konfliktit katërmujor, pasi Izraeli dhe Libani nënshkruan një marrëveshje për përfundimin e luftimeve mes Izraelit dhe organizatës Hezbollah, e mbështetur nga Irani.

Të dyja palët e paraqitën marrëveshjen si një hap të parë, që kërkon çarmatimin e Hezbollahut dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Libani, por ende nuk është e qartë se si do të zbatohet. Hezbollahu deklaroi se nuk do të bashkëpunojë.

Teherani ka deklaruar se do të kontrollojë trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit dhe u ka paralajmëruar vendeve të Gjirit që të mos mbështesin Uashingtonin, pas sulmit të së enjtes ndaj një anijeje tregtare që lundronte pranë brigjeve të Omanit.

Presidenti amerikan Donald Trump ia atribuoi përgjegjësinë Iranit për sulmin dhe tha se Teherani kishte shkelur marrëveshjen e përkohshme të armëpushimit të arritur javën e kaluar.

“Sulmi i pajustifikuar ndaj një anijeje tregtare nga forcat iraniane përbën qartësisht shkelje të armëpushimit”, deklaroi CENTCOM, duke njoftuar sulmet ndaj Iranit dhe duke i cilësuar ato si “një përgjigje të fuqishme ndaj sulmit të djeshëm ndaj një anijeje tregtare që kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit”.

Forcat amerikane deklaruan se do të vazhdojnë të ofrojnë “koordinim për kalim të sigurt dhe mbështetje” për anijet tregtare që kalojnë në këtë ngushticë strategjike.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se SHBA-të kanë respektuar marrëveshjen e armëpushimit, e njohur edhe si memorandum mirëkuptimi (MOU).

“Irani nënshkroi një marrëveshje armëpushimi. Ne e kemi respektuar atë. Nëse kanë mosmarrëveshje për mënyrën e zbatimit të MOU-së, mund të marrin telefonin”, shkroi Vance në platformën X. “Por dhuna do të përballet me dhunë”, shtoi ai.

Mediat shtetërore iraniane, duke cituar një burim ushtarak pa emër, raportuan për goditjen në portin e Sirikut pas një shpërthimi të dëgjuar në zonë.

Sipas këtij burimi, rreth pesë orë më herët ishin kryer disa të shtëna paralajmëruese nga Siriku ndaj anijeve që kishin shkelur rregullat e kalimit në Ngushticën e Hormuzit. Ai shtoi se ishin lëshuar gjithashtu dy raketa paralajmëruese nga zona pranë Karpanit drejt këtij korridori detar me rëndësi strategjike.

Agjencia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se nuk ka pasur dëme në Sirik pas sulmit amerikan. Sipas një zyrtari lokal të porteve, aktiviteti në port ka vijuar normalisht dhe nuk janë raportuar dëmtime në infrastrukturë apo pajisje.

Gardat Revolucionare të Iranit njoftuan se në përgjigje të sulmeve, marina iraniane “goditi vendet ku ushtria terroriste amerikane është vendosur në rajon”. Ata paralajmëruan se çdo sulm tjetër amerikan do të sillte një përgjigje më të madhe.

Sipas Gardës Revolucionare, marrëveshja e armëpushimit i jep Iranit kontrollin mbi lëvizjen e anijeve në ngushticë.

“Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, duke hapur fronte të ndryshme, kërkuan të shkelin këtë angazhim dhe përgjigjja e nevojshme u dha dhe do të vazhdojë të jepet. Nëse agresioni përsëritet, përgjigjja jonë do të jetë më e madhe se kjo”, thuhej në deklaratë.

© Panorama.al

Te lidhura