Në ditën e 47-të të protestës kundër qeverisë, qytetarët kanë lënë një mesazh gjigant të shkruar në tokë, në sheshin përballë Kryeministrisë, aty ku zhvillojnë çdo ditë tubimet e tyre.
Në shkrimin e madh drejtuar klasës politike, protestuesit kanë vendosur frazën: “Rama-Balluku, SPAK YOU!”, duke iu referuar thirrjeve të tyre për hetime nga SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Edhe gjatë protestës së sotme, të shumtë ishin qytetarët dhe aktivistët që shprehën mbështetjen e tyre ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, por theksuan se kërkojnë prej tyre hetime ndaj zyrtarëve të korruptuar, duke nisur nga kryeministri, të cilin e konsideruan edhe si “kokën e një bande kriminale”.
“Sigurisht, e kemi thënë dhe do ta themi, kërkojmë nga SPAK hetimin e Edi Ramës si koka kriminale e këtij sistemi të korruptuar“, tha aktivisti Edison Lika.
Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi nga protesta se qytetarët kërkojnë hetim për të gjithë zyrtarët e dyshuar për korrupsion, duke nisur nga kryeministri Edi Rama.
“Kemi thënë që i mbështesim, por jemi kërkues. Jemi mbështetës të procesit të hetimit ndaj zyrtarëve, por kërkojmë që të hetohen të gjithë, duke filluar nga Edi Rama, si koka e një organizate kriminale dhe jo më si një kryeministër”, tha ajo.
© Panorama.al















