NGA GËZIM TUSHI
Edhe pse shoqëria shqiptare ende nuk është në standardet europiane të mirëqenies dhe konsumit, në mënyrë evidente në përputhje me nivelin e zhvillimit tonë ekonomik, social, kulturor e shpirtëror, ka filluar të shfaqet dhe gradualisht të kristalizohet fenomeni social i “patologjisë së konsumizmit” ose dukuria e zgjeruar e konsumizmit si qëllim në vetvete.
Kjo është një nga arsyet, por me peshë ontologjike dhe efekte fenomenologjike, me shumë ndikim në ridimensionimin e natyrës së jetës sociale dhe marrëdhënieve midis njerëzve. Sepse konsumi si qëllim në vetvete, apo si patologji e imitimit “imperialist” po shoqërohet me një varg problemesh sociale. Të cilat shpesh nuk është e lehtë që sociologjikisht t’i diferencosh, nëse ato janë të ngjashme kur vijnë nga varfëria apo kur janë pasojë e mirëqenies si konsum i tepërt, si qëllim në vetvete, si tregues material për të evidentuar “statusin social”.
Përpjekjet individuale si prirje të theksuara tipike për natyrën e njeriut konsumistik, i cili kërkon përtej nevojave optimale të këtë atë sasi sendesh, që e bëjnë të kohës, superior, të modës, shoqërisht të dallueshëm nga të tjerët, duke siguruar përmes dukjes dhe pamjes së jashtme të sendeve që përdor, një status social sui-generis dhe të evidentuar. Këto tendenca tashmë janë realitet social i përgjithshëm, evident, i padyshimtë. Nëse bëjmë një vështrim mbi strukturën sociale, pasurore dhe stratifikimin material të shoqërisë së sotme shqiptare, në mënyrë evidente të shpie në konkluzionin fundamental se tashmë edhe njerëzit tanë në mënyrë të natyrshme lakmojnë konsum material, prestigj social dhe synojnë të sigurojnë një rang shoqëror të caktuar.
Edhe pse konsumi është problem privat, ai është i lidhur me statusin social dhe mënyrën e jetës së shtresave të ndryshme. Shoqëria shqiptare është në fazën e evidentimit të një realiteti, në të cilin njerëzit në mënyrë fare të natyrshme, janë të përfshirë nga fenomeni i gjerë i “konsumit të dallueshëm”. Kjo është kthyer në formatin e pandryshuar të një dëshirë jetike dhe organike, e lidhur jo vetëm me natyrën hedonistike, por edhe me një lloj “dinakërie të natyrës njerëzore”, për të theksuar dallimin dhe evidentimin e statusit social. Shoqëria shqiptare ka kohë që ka hyrë në një fazë të re të raporteve të saj me aspektet materiale, konsumin, paranë, qejfin social apo komponentët e tjerë të natyrshëm të shoqërisë si “shoqëri e dukjes dhe spektaklit”.
Analiza sociologjike e këtij realiteti, në mënyrë adekuate tregon se në jetën e sotme postmoderne, kur mirëqenia dhe konsumi janë bërë prirje me peshë sociale, është fare e natyrshme që jehona ideologjike, psikologjike dhe mekanizmat që përdoren të jenë prezente, të aktivizuara maksimalisht në jetën tonë shoqërore, duke u bërë tipare esenciale, diktuese të mënyrës së jetës. Tendenca këmbëngulëse e konsumizmit, thellimi i një lloj vartësie të njeriut nga sendet materiale, është një proces social gjithëpërfshirës, i cili bashkë me të mirat, vlerat pozitive si shfaqje të rritjes së nivelit të jetesës, ka të bashkëshoqëruar edhe anën tjetër, atë të shfaqjes si instrument me efekte personale toksike e shfaqjen e relacioneve sociale me natyrë psikovampire.
Realitetet duhet t’i shikojmë me optikën e duhur, duke shmangur çdo tendencë asketike, prirje barazitariste të konsumit personal. Personalisht mendoj se është shumë pozitiv fakti që në këto tri dekada e gjysmë, raportet e vjetra të njeriut me konsumin janë gati të përmbysura. Një “revolucion” shpirtëror e material ka diktuar faktin, që realiteti ynë social, raportet e njeriut me konsumin kanë pësuar transformime të thella, si nga ana cilësore por dhe sasiore materiale. Por duhet parë edhe ana tjetër e problemit, ajo e raporteve të njeriut me konsumin dhe lidhjet shpesh paradoksale të shoqërisë me konsumin.
Sepse koha që jetojmë në mënyrë evidente duket se i ka intoksikuar raportet normale, të natyrshme dhe utilitare të konsumit human me nevojat artificial, prirjet ekzisbicionale të njeriut thelbësisht materialist e konsumist. Në shoqërinë shqiptare ka kohë që shfaqet një grup social që është i “verbuar” nga konsumizmi, që jeton me koncept të reduktuar ultramaterialist, të reduktuar në kuptimin e kufizuar të jetës si “strukturë profane”, e përfshirë totalisht mes sendesh, duke kënaqur egon dhe dëshirat hedonistike, nga njëra anë, por duke reduktuar kuptimin themelor të esencës së jetës, duke shpërfillur tërësinë metafizike, raportet etike dhe nevojat e tjera ekzistenciale të jetës personale, duke e vlerësuar vlerën e jetës vetëm në sasinë e sendeve që konsumon dhe nivelin e “mbetjeve në koshin e plehrave”. Por duhet parë edhe ana tjetër patologjike e kësaj sindrome konsumistike dhe pasojat e saj sociale dhe individuale. Sociologët e modernitetit e kanë evidentuar këtë patologji, e cila tashmë është bërë virale edhe për shoqërinë tonë, shoqëruar me tipologjinë e ngjashme të shkaqeve të shfaqjes dhe pasojave të përjetuara si individ dhe shoqëri.
“Shpenzimi i madh dhe i kotë konsiderohet gjithmonë një lloj marrëzie, çmendurie, keqfunksionimi të instinktit…”. Jean Baudrillard, “Shoqëria e konsumit”, f. 53
Koha tregon se kamja, pasuria konsumi nuk janë të vetmit tregues që flasin apo tregojnë mirëqenien e një njeriu apo familjeje. Shikimi mekanik i konsumit vetëm nga madhësia e shifrave konsumistike, nuk është gjithnjë i saktë dhe sintetikisht i sigurt, për të treguar thelbin e nivelit të mirëqenies. Sepse “…shifrat nuk flasin për veten e tyre dhe nuk kundërshtojnë njëra tjetrën kurrë. Vetëm interpretimet flasin, ndonjëherë pro dhe ndonjëherë kundër shifrave”. Jean Boudrillard, “Shoqëria e konsumit”, f. 68
Ideja se konsumi është i vetmi tregues që tregon dhe flet për homogjenizimin e komuniteteve të kamuar apo të varfër, nuk është gjithnjë i vërtetë, në kushtet kur vetë konsumi është bërë likuid dhe kjo ka interferuar në dinamikën antiegalitariste të “ideologjisë së konsumit” strikt në shoqërinë e sotme shqiptare. Nëse e thellojmë analizën e fenomenit të patologjisë së konsumizmit, duket qartë që tashmë edhe ne jemi në kushtet e plota të “shoqërisë së konsumit” masiv. Kjo është arsyeja objektive që janë të shfaqura dy tendenca të forta konsumistike, të cilat pas anës materiale, dukjes kanë edhe atë që është më thelbësore, madje me theksim social ideologjik.
Është fjala për shfaqjen e dy tendencave, në dukje të kundërta, por që kanë aftësi të bashkëjetojnë në nivel social, të adoptohen dhe shfaqen si simbiozë sociale evidente edhe në jetën individuale. Sepse nga njëra anë në shoqërinë tonë është evidente tendenca progresive, dëshira frenetike materialiste e njeriut që kërkon status material të diferencuar, e cila është paralelisht me tendencën për t’u për t’u përshtatur me këtë realitet, qoftë kur është normal apo kur shfaqet eksentrik e patologjik. Ky është realiteti i shoqërisë së konsumit, që realiteti ynë e ka vënë përballë me dy realitetet dhe dy logjika individuale. Njëra e re dhe moderne, që ka të bëjë me nevojat e diferencimit social dhe tjetra, që shfaqet si recidiv i kërkesave barazitariste të shoqërisë së konsumit egalitar të kohës së socializmit barazitarist.
Jetojmë në kohëra të reja kur “shoqëria jonë mendon dhe flet si një shoqëri konsumi”, ka thënë filozofi francez Jean Boudrillard. Sipas tij, koha ka krijuar një bivalencë sociale të shoqërisë me konsumin sepse “…për aq sa ajo konsumon, ajo konsumohet si shoqëri e konsumit, në ide”. Shoq Konsumit f. 309)
Bodrijar thotë se “…ne kemi një përkufizim elementar të konsumitpërkufizim moral i bazuar mbi dobinë e detyrueshme të të mirave. Kjo kohë nuk e ka qejf moralistin, asketikun apo puritanin e konsumit të kontrolluar dhe të realizuar me masë dobie, sepse në një shoqëri të lirë, liberale politikisht dhe të personalizuar në sjellje dhe të individualizuar në dëshira, kemi “individin privat që nuk e respekton më këtë lloj ligji të moralshëm…i cili i hedh të mirat e tij apo i shkëmben ato sipas kapriços dhe modës…”. ( Shoqëria e konsumit f. 53)
Të kuptohemi, duke analizuar efektet pozitive dhe kundërefektet negative të prirjes konsumistike, nuk e kemi fjalën për t’i bërë ditirambe njeriut asket apo qytetarit me natyrë egalitariste, që mohojnë kënaqësitë e konsumit individual e të diferencuar “sipas kuletës”, apo atyre që ankohen dhe qëndrojnë pasivë në “pritje të Godosë”, me shpresën për ndonjë shoqëri me konsum unik, të barabartë e të standardizuar. Kjo është e pamundur, por nga ana tjetër, është jo më pak shqetësues, edhe tendenca gjithnjë në thellim e konsumit keqfunksionues dhe monoton. Sepse njeriu nuk është “makineri biologjike” që lufton vetëm për konsum.
Ai është njeri dhe si qenie sociale, lufton për kuptimin e jetës materiale brenda kushteve të përbashkëta të jetës shoqërore. Problemi është të dallohet jeta njerëzore, së pari si ekzistencë sociale, pa e reduktuar atë thjesht në konsum material, duke normalizuar konsumin dhe shmangur efektet toksike të luksit vulgar, të padobishëm.
Albert Kamy, metaforikisht njeriun e zhytur në konsumin e pakontrolluar, të tepërt e pasiv, e krahason si njeri me “feçkë prej derri”. Por njëherësh pa harruar të vërtetën e madhe që tashmë jemi dhe jetojmë në një shoqëri të lirë të konsumit privat.
/GazetaPanorama
© Panorama.al












