Presidenti i SHBA, Donald Trump i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të largojë trupat izraelite nga Siria dhe Libani, sipas medias amerikane Axios, e cila citoi zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.
Tre muaj para zgjedhjeve që konsiderohen vendimtare si për mbijetesën e tij politike ashtu edhe për lirinë e tij personale, Netanyahu vështirë se do të vazhdojë me një tërheqje të konsiderueshme të forcave izraelite nga territoret që vendi i tij kontrollon në Siri ose do të miratojë vendosje të mëtejshme në Liban, përtej asaj që ai tashmë ka pranuar, vlerëson Axios.
Megjithatë, ndërhyrjet e Trump po rrisin presionin mbi kryeministrin izraelit. Forcat e Armatosura Izraelite (IDF) ende kontrollojnë zona të mëdha të Libanit jugor dhe Sirisë jugore, një prani që qeveria izraelite e konsideron të nevojshme për të parandaluar një sulm tjetër të ngjashëm me atë të 7 tetorit.
Zyrtarë të lartë të qeverisë izraelite janë në favor të ruajtjes së kontrollit mbi këto zona për një kohë të pacaktuar, ndërsa disa madje mbështesin krijimin e vendbanimeve hebraike.
Një zyrtar amerikan tha se Trump i vuri në dukje Netanyahut se prania e ushtrisë izraelite në territorin sirian po shkakton tensione dhe mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm.
“Ata nuk ju duan atje. Duhet të rivendosni forcat tuaja ”, thuhet se i tha Trump Netanyahut, sipas të njëjtit zyrtar, i cili shtoi se një mesazh i ngjashëm u përcoll edhe për Libanin.
Nga ana e saj, zyra e Kryeministrit izraelit tha në një deklaratë se “Kryeministri theksoi nevojën për të ruajtur zonat e sigurisë përgjatë kufijve të Izraelit”.
© Panorama.al












