NGA DR. JORGJI KOTE
Prishja e parakohshme e Marrëveshjes së Armëpushimit me Iranin vërtetoi parashikimin, që në vend të çonte drejt një paqeje të qëndrueshme, ajo rezultoi thjesht një pauzë midis dy luftërave. Një ndër shkaqet kryesore të këtij dështimi ishte se SHBA-të e filluan dhe e vazhduan procesin e luftës dhe të paqes me Iranin pa “tru” diplomatik dhe për pasojë, pa durimin e duhur strategjik. Mungesa e mendimit diplomatik dhe e durimit strategjik, komponentë jetikë për suksesin afatgjatë në politikën e jashtme janë dy deficite të mëdha me pasoja serioze në veprimtarinë dhe imazhin e administratës së tanishme amerikane.
Shkaku i këtyre dy mungesave të mëdha shpjegohet me faktin se nisur nga e kaluara e suksesshme afariste, Trump kërkon kudo ujdi të shpejta fitimprurëse. Mirëpo këto ai i sheh jashtë rolit të diplomacisë, të cilën ai nuk e ka fare për zemër; ca më pak konsultimet, samitet dhe forumet diplomatike, sidomos ato shumëpalëshe. Madje, është alergjik, sidomos ndaj OKB-së, çka e tregon edhe tërheqja e SHBA-ve nga 33 organizata të saj gjatë Presidencës së tij. Ashtu siç pohon eksperti i njohur Nicholas Westcott, Trump po i shkel parimet dhe procedurat e diplomacisë tradicionale, duke i zëvendësuar ato me postime në “Truth Social”, me ujdi, ultimatume, forcë, fasadë, pushtet, para dhe bujë. Ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij, Trump i nënvleftëson, përçmon dhe përjashton diplomatët dhe ambasadorët e karrierës nga proceset dhe ndërmjetësimet ndërkombëtare të krizave dhe konflikteve të nxehta.
Rikujtojmë se Presidenti Nixon mbante pranë “Princin” e politikës së jashtme dhe sidomos të “diplomacisë së ecejakeve”, emblematikun Henry Kisinger. Jimy Carter dhe të tjerë pas tij kishin këshilltar një analist dhe njohës të rrallë të marrëdhënieve ndërkombëtare si Zbigniew Brzezinski. Ndërsa Presidenti Clinton dhe Obama kishin kryekëshilltarë diplomatikë dhe të sigurisë kombëtare ambasadorë të shquar si “buldozerin e diplomacisë së krizës”, ambasadorin e ndjerë Richard Holbrooke dhe atë që cilësohej si “gjenerali me pesë yje” i diplomacisë amerikane, 95- vjeçarin Thomas Pickering, njohës brilant i Lindjes së Mesme, etj.
Ndërsa Presidenti Trump nuk ka dhe as nuk do të ketë pranë personalitete të tillë rrezatues në diplomaci, me përjashtim të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio. Ndaj, sapo hyri në Zyrën Ovale, ai shkurtoi plot 1300 diplomatë në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ndërkohë, i ka zëvendësuar negociatorët dhe ndërmjetësuesit profesionistë me përfaqësues të biznesit nga rrethi familjar.
Kështu, në të 4 krizat e deritanishme janë të njëjtët ndërmjetësues, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, përkatësisht miku dhe dhëndëri i vet, të dy partnerë të ngushtë biznesi. Janë vërtet afaristë të zot, por që nuk ia kanë haberin nga diplomacia, truket, kleçkat dhe kulisat e këtij zanati të veçantë, që kërkon shkollë dhe përvojë në terren. Aq e vërtetë është kjo sa edhe Putini është mërzitur nga ecejaket e dy ndërmjetësuesve amerikanë, duke kërkuar që në vend të tyre, të ngrihen ekipe negociatorësh që të vijojnë me bisedime në mënyrë të rregullt dhe jo me fushata. Këtë padurim strategjik, profesorët e shquar të kësaj fushe, Thomas Jäger dhe Philipp Gassert e quajnë kështu: “Trump fillon një veprim pa ditur fundin. Ai vepron në mënyrë impulsive, pa mendim diplomatik, pa durim strategjik, pa plan dhe pa një qëllim të caktuar”.
Mirëpo, mungesa e trupës dhe trurit diplomatik të nevojshëm për bisedime dhe demarshe të gjata në kohë, me plot kapriçio dhe sfida ka bërë që administrata dhe vetë Presidenti Trump të shfaqin mungesë të theksuar të durimit strategjik në krizat dhe konfliktet e deritanishme. Kjo i ka çuar në ngutje dhe nxitim, me probleme dhe pasoja të njohura në performancën dhe rezultatet e tyre. Ngutin dhe padurimin e parë strategjik Trump e shfaqi përpara se të rihynte në Zyrën Ovale gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale dy vite më parë. Pa asnjë konsultim me diplomatë dhe ambasadorë, ai u zotua në mënyrë të përsëritur se do ta vendoste paqen midis Rusisë dhe Ukrainës brenda 24 orëve! Diçka e pamundur, sado i plotfuqishëm dhe magjik të jetë Trumpi.
Më vonë e shtyu deri në 3 muaj dhe pastaj dihet historia se si e la në mes të rrugës, madje duke barazuar agresorin me viktimën. Duke ngushëlluar të tjerët dhe veten me shprehjen se “po të isha unë president, Putini nuk do ta kishte filluar luftën”, ndonëse dihet se fraza “sikur të isha/ kisha..” nuk ka vend në realpolitikë. Kjo ndodhi sepse Trump injoroi çdo fakt dhe faktor gjeopolitik dhe diplomatik, duke u dhënë pas transaksionalizmit për të siguruar ujdi të majme me Moskën. Mirëpo, Putini nuk është i interesuar për ujdi, sado fitimprurëse, por për të realizuar synimin strategjik, rikrijimi i perandorisë sovjetike/ cariste, ku Ukraina për shumë shkaqe mbetet për Rusinë dilema hamletiane “të jesh apo të mos jesh”! Ndërkohë, pa mbaruar punë me Rusinë dhe në vijim të përpjekjeve për armëpushimin në Gaza, krejt papritur Trump shpalli kërkesën ultimative për ta blerë nga Danimarka/BE-ja ose ndryshe do ta pushtonte edhe me forcë Groenlandën, çka e ka përsëritur sërish edhe në fillim të muajit korrik.
U desh ndërhyrja e vendosur politike dhe ushtarake e BE-së që ai të hiqte dorë prej saj. E njëjta gjë ndodhi më vonë me procesin e paqes në Gaza. Me padurim të pashpjegueshëm, ai veproi me urgjencë për të mbyllur sa më shpejt marrëveshjen. Kështu, më 22 janar u ftuan me nxitim në Davos për nënshkrimin e dokumentit shumë kryetarë shteti dhe qeverish. Ndonëse tri javë më vonë u zhvillua me shumë bujë ceremonia zyrtare e nënshkrimit në Uashington, por me prani të kufizuar dhe me paqartësi të mëdha politike, organizative dhe financiare.
U krijua një bord i diskutueshëm, me familjarë dhe miq të Trump-it dhe vetë ai u vu në krye për gjithë jetën, me fuqi vetoje dhe pagesën 1 miliard dollarë për anëtarësimin mbi tre vjet. Për pasojë, Bordi i Paqes u etiketua si OKB-ja paralele ose private e Trump. Ndërkohë, u injorua mandati i KS të OKBsë, që ishte vetëm për menaxhimin e gjendjes në Gaza dhe jo global siç e reklamoi Trumpi, duke e demonizuar OKB-në për dështime, pavarësisht nga gjynahet e vetë SHBA-ve si lidere e OKB-së.
Se sa larg procedurave diplomatike të krijimit të organizatave ndërkombëtare është Bordi i Paqes, le të shohim historikun e OKBsë, shembull i mendimit diplomatik dhe durimit strategjik, edhe pse në kushtet e Luftës së II Botërore. Ideja për krijimin e OKB-së u hodh më 12 qershor 1941 në një takim në Londër dhe u realizua 4 vite më vonë, më 25 prill 1945 me çeljen në San Francisko të Konferencës inauguruese të OKB-së.
Synimi i saj i qartë strategjik ishte t’i mbante të bashkuara 50 dhe më vonë 193 vendet anëtare, të shmangte tragjedi si dy luftërat botërore, të bëhej garante e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në botë. Falë ndihmesës së të gjitha vendeve anëtare që përbëjnë OKB-në u krijua dhe konsolidua rendi i ri botëror shumëpalësh i bazuar jo më në “të drejtën e forcës”, por në “forcën e së drejtës ndërkombëtare”. Përparësitë dhe rezultatet mbresëlënëse të OKB-së shpjegohen me numrin e madh, 193 shtete anëtare, dokumenteve të njohura ndërkombëtarisht, të cilave u referohen shtetet e ndryshme, burimet njerëzore dhe financiare dhe imazhit të tyre.
Fakt është se asnjë institucion tjetër nuk garanton dot paqen dhe sigurinë në botë pa autoritetin detyrues të KS të OKB-së. Mendoni për një çast se sa shumë probleme do të ishin akumuluar në fushën e ekonomisë, financave dhe tregtisë ndërkombëtare pa Bankën Botërore, FMN-në dhe OBT-në; apo në fushën e projekteve zhvillimore teknike e shkencore pa PNUD-in dhe në luftën kundër krimit të organizuar, narkotrafikut, pa INTERPOL! Po për paqeruajtjen kush mund të japë me shumë garanci se sa “helmetat blu” të dislokuara në pikat valuese të konflikteve kudo në botë? Po sëmundjet dhe epidemitë në botë si mund të luftoheshin pa ndihmesën e OBSH-së? Po aq e vështirë do të ishte menaxhimi i azilit dhe emigracionit pa rolin e IOM-t, i bujqësisë dhe ushqimit pa FAO-n, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore pa UNESCO-n dhe kujdesi ndaj miliona fëmijëve të varfër pa UNICEFIn! Dhe lista vazhdon. Dhe këto janë agjenci të OKB-së, që është “ku e ku” me Bordin e Paqes.
Ja pse, falë përvojës 80-vjeçare, OKB-në është shumë më mirë dhe më e lehtë ta rinovosh, reformosh dhe çimentosh, se sa ta revokosh, rrënosh dhe çmontosh. Nguti strategjik amerikan u shfaq sërish kur gjatë kohës që po merrej me sistemimin e paqes dhe armëpushimit në Gaza, SHBA-të filluan negociatat diplomatike me Iranin; të cilat po ecnin normalisht, por befas, nën ndikimin e Izraelit dhe pa u konsultuar as me aleatët europianë, më 28 shkurt Trump urdhëroi fillimin e bombardimeve ajrore ushtarake kundër Iranit. I nxitur nga suksesi i luftës së vjetshme 12-ditore dhe me mendimin se fitorja ushtarake do ishte e lehtë dhe “blitz” falë supremacisë së padiskutueshme amerikane, sipas Trump kjo luftë nuk do të zgjaste më shumë se 3–4 javë.
Mirëpo në përfundim të saj, pranohet gjerësisht se SHBA-të nuk realizuan dot asnjë nga objektivat madhore ushtarake dhe politike. Vërtet që vranë mbi 400 drejtues të lartë politikë dhe ushtarakë të regjimit, përfshirë edhe Kamenein, por prapë nuk e përmbysën dot regjimin e mullahëve, madje ai u bë edhe më i ashpër dhe më homogjen. Edhe objektivat e tjera ushtarake ata i realizuan pjesërisht, si shkatërrimin e flotave ajrore, detare dhe bazat raketore; ndërkohë, dështuan të konfiskonin dhe shkatërronin uraniumin e pasuruar dhe ushtritë rezervë të Iranit, Huthët dhe Hizbollahun në Liban. Me fjalë të tjera, suksesi i tyre ushtarak ishte vetëm taktik, ndërsa në planin strategjik ata praktikisht dështuan. Rasti më i freskët i padurimit strategjik u shfaq muajin e kaluar, kur Trump e njoftoi “duke dalë huq” plot 39 herë nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit! Pa pritur as 19 qershorin, datën e fiksuar zyrtare në Zvicër, por e nënshkroi dokumentin papritur më 17 qershor në Francë, në Versajën mbretërore.
Nisur nga sa sipër, me të drejtë në SHBA dhe gjetkë u shtrua pyetja që përse u desh ndërhyrja ushtarake kundër Iranit me kosto aq të lartë njerëzore, materiale dhe financiare? Sepse ky dokument, që demokrati dhe kandidati i mundshëm presidencial në vitin 2028 Rahm Emanuel e quan “Memorandum i moskuptimit” mund të ishte nënshkruar pa asnjë ngut në bisedimet e ndërprera në Gjenevë. Gjithsesi, nga këndvështrimi realpolitik, me nënshkrimin e këtij Memorandumi, SHBA-të gjetën zgjidhjen dhe rrugëdaljen më të mirë nga një gjendje “as luftë as paqe”.
Sepse vazhdimi dhe përshkallëzimi i luftës do ta shtonte akoma më shumë pakënaqësinë e amerikanëve edhe brenda MAGA, duke shkaktuar kosto të papërballueshme politike, ekonomike dhe ushtarake edhe për vetë SHBA-të. Ca më tepër, kur zgjedhjet për Kongresin në Nëntor janë vetëm 3 muaj larg.
© Panorama.al












