NGA ADRI NURELLARI
Ka një kategori njerëzish që më argëton pa masë. Janë ata që nuk kanë dalë kurrë në asnjë protestë për ndonjë kauzë, nuk kanë ngritur ndonjëherë zërin ndaj pushtetarëve apo s’kanë marrë asnjë kosto personale, por kanë standardet më të larta në univers për mënyrën se si duhet rrëzuar kjo qeveri nga ‘Revolucioni i Flamingove’.
Fillon repertori i tyre: protesta është shumë e vogël; mandej kaq numra nuk mjaftojnë, ku e kanë Kushtetutën dhe planin pesëvjeçar; ku e kanë liderin; ku e kanë qeverinë në hije; pse janë kaq të butë; pse janë kaq të ashpër; duhet dhunë; jo, duhet më shumë kreativitet. Pastaj vjen kryevepra si përfundimi shkencor: “Rama s’ka rënë ende, pra protesta s’ka vlerë”. Dhe pesë minuta më vonë: “Po pse na thërrasin edhe ne të çohemi nga kafja? Pse na fusin në siklet? Na iku shkuma e makiatos duke parë live-in në Facebook”.
Domethënë, protesta duhet të fitojë… por pa i shqetësuar fare spektatorët. Në fund del se më e vështirë se të përballesh me qeverinë, është të kalosh provimin e komentatorëve. Në fakt, ky lloj cinizmi nuk është analizë politike, por thjesht një mekanizëm vetëmbrojtës. Duke e shpallur protestën ‘të dështuar’ apo ‘jo perfekte’ që në nisje, ata i japin vetes leje morale për të mos bërë asgjë. Është më komode të thuash ‘nuk shkoj se nuk më mbushin mendjen’, sesa të pranosh ‘nuk shkoj se nuk kam guxim apo leverdi’.
Këta njerëz kërkojnë që protesta të jetë perfekte përpara se ata të bashkohen. Por asnjë lëvizje në histori nuk ka lindur e përsosur; ajo piqet dhe strukturohet rrugës, pikërisht nga pjesë marrja e njerëzve. Të kërkosh një opozitë apo protestë të përsosur që nga divani, është si të refuzosh të hysh në palestër derisa të kesh trupin e një atleti. Është një sabotim logjik i maskuar si kërkesë llogarie. Natyrisht, secili ka të drejtë të zgjedhë si angazhohet, ose edhe të mos angazhohet fare.
Por është e vështirë të mos buzëqeshësh kur ata që nuk kanë marrë asnjëherë përsipër peshën e veprimit apo të ballafaqimit me pushtetin, kërkojnë përsosmëri nga ata që po e bëjnë. Ky pozicion të garanton diçka të jashtëzakonshme: të kesh të drejtë në çdo skenar. Nëse protesta dështon, ata mburren me parashikimin: ‘E thashë unë që ishte kot’. Nëse protesta arrin diçka dhe sjell ndryshim, ata janë të parët që përfitojnë nga liria, demokracia apo të drejtat e fituara, pa lagur këmbët.
Është parazitizëm politik në formën e tij më të pastër. Pikërisht këtë e përshkroi Theodore Roosevelt në fjalimin e tij të famshëm “Njeriu në Fushë” mbajtur në Sorbonë në 1910. “Nuk është kritiku ai që ka rëndësi; as ai që tregon se ku u pengua njeriu i fortë, apo se si ai që vepron mund t’i kishte bërë gjërat më mirë. Merita i takon atij që është në arenë; atij, fytyra e të cilit është mbuluar me pluhur, djersë dhe gjak; që përpiqet me gjithë shpirt; që gabon, që dështon herë pas here, sepse nuk ka përpjekje pa gabime dhe mangësi, por që vazhdon të veprojë; që njeh entuziazmin e madh dhe përkushtimin e madh; që e shpenzon veten për një kauzë të denjë; që, në rastin më të mirë, në fund shijon triumfin e një arritjeje të lartë dhe, në rastin më të keq, edhe nëse dështon, të paktën dështon duke guxuar me kurajë.
Kështu, vendi i tij nuk do të jetë kurrë mes atyre shpirtrave të ftohtë e frikacakë që nuk njohin as fitoren dhe as humbjen”. Kjo është arsyeja pse të protestosh do të thotë të gabosh, të mësosh, të korrigjohesh, të sulmohesh, të shpifin ndaj teje, të humbësh kohë, energji e qetësi dhe të mbash kosto personale.
Është komode ta shohësh ndeshjen nga divani me telekomandë në dorë dhe t’iu shpjegosh futbollistëve si fitohet finalja. Ai që nuk bën asgjë, sigurisht që nuk bën as gabime, por kjo nuk e bën domosdoshmërish gjykatësin më të mirë të atyre që po marrin përsipër mbi kurriz barrën dhe pasojat e veprimit. Fatmirësisht, historinë nuk e kanë ndryshuar kurrë komentatorët, por ata që kanë hyrë në fushë.
© Panorama.al












