NGA PASKAL MILO
Bota sot po përjeton një kthesë historike në shumë fusha dhe veçanërisht në zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe të Inteligjencës Artificiale (AI).Ndikimi i këtyre ndryshimeve është epokal dhe global.Njerëzimi bashkëkohor është dëshmitar i këtij transformimi, i cili ka sjellë përfitime të mëdha e të gjithanshme si një e mirë publike globale dhe ka hapur perspektiva zhvillimi që mëndja njerëzore nuk i imagjinonte vite më parë.
Por në të njëjtën kohë ky revolucion teknologjik dhe i IA ka sjellë sfida të mëdha për njerëzimin, rreziqe të njohura e të panjohura, për shëndetin, mjedisin, klimën, ushqimin, sigurinë, paqen ndërkombëtare, etj. Këto sfida që gjithnjë e më shumë po bëhen më të dukshme e më të kuptueshme kanë ngjallur shqetësime të skajshme deri në kufijtë e dyshimeve serioze për ardhmërinë e jetës njerëzore në tokë.Por deri tani më tepër i është kushtuar vëmëndje dhe investime projekteve novatore duke patur parasysh përfitimet dhe më pak rreziqeve që rrjedhin nga marramëndja teknologjike.
Revolucioni i Inteligjencës Artificiale dhe ndikimi i tij global ka sjellë në rend të ditës nevojën për regulla ndërkombëtare, për qeverisje konsensuale globale me pjesëmarrje e kontribute aktive të aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara e vendet në zhvillim.Kjo Qeverisje është e nevojshme për të shmangur ose administruar rreziqet që mund të gjenerojnë nga përdorimi ushtarak i IA, nga dezinformimi, nga privatësia, diskriminimi algoritmik e nga pabarazitë teknologjike.
Fuqitë e Mëdha dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë përtej interesave ekonomike që sigurohen nga revolucioni i IA i kanë vendosur arritjet teknologjike jo vetëm në shërbim të prioriteteve të tyre kombëtare e strategjike por edhe në funksion të ndryshimit të rendit ndërkombëtar e të qeverisjes globale.Në krye të tyre qëndrojnë Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Të dy vendet janë lidere në IA, kanë qasjet e tyre në zhvillimin dhe rolin e saj, kanë pika takimi por edhe një konkurencë gjeopolitike e vizione të ndryshme për qeverisjen globale të saj.
Në qasjen e Shteteve të Bashkuara IA është një teknologji strategjike, më e rëndësishme e shekullit XXI, vendimtare për fuqinë ekonomike, ushtarake dhe diplomatike të vendit.Objektivi strategjik amerikan është të ruaj epërsinë globale të Shteteve të Bashkuara në zhvillimin e IA duke nxitur kërkimin shkencor, investimet private dhe zhvillimin e modeleve të avancuara. Për administratën amerikane IA është një komponent kyç i sigurisë kombëtare që përdoret në mbrojtjen kibernetike, në analizën e inteligjencës, në mbështetjen e vendimmarrjes ushtarake, në modernizimin e forcave të armatosura dhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
IA përdoret nga Shtetet e Bashkuara edhe si një instrument ndikimi ndërkombëtar.Ato synojnë të udhëheqin hartimin e standarteve globale, të forcojnë bashkëpunimin teknologjik me aleatët, të mbrojnë zinxhirët e furnizimit për gjysëm përçuesat, qëndrat e të dhënave dhe infrastrukturën dixhitale si dhe të kufizojnë transferimin e teknologjive të ndjeshme te rivalët startegjikë.Shtetet e Bashkuara mbështesin zhvillimin e regullave ndërkombëtare për IA por preferojnë një model që nxit inovacionin dhe shmang pengesat regullatore që konsiderohen si të panevojshme, promovojnë transparencën, respektojnë të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike dhe mbështetet në bashkëpunimin me partnerët dhe organizatat shumëpalëshe.
Iniciativa kineze për Qeverisjen Globale të IA siç është e njohur u shpall nga Presidenti Xi Jinping në tetor 2023.Ajo përfaqëson dokumentin e parë gjithëpërfshirës të politikës së jashtme të Kinës që paraqet vizionin e saj për zhvillim, siguri dhe qeverisje ndërkombëtare të IA.Objektiv kryesor i saj është krijimi i një sistemi global të qeverisjes së inteligjencës artificiale, i mbështetur në bashkëpunimin shumëpalësh dhe në kordinimin ndërkombëtar.Qasja kineze synon të promovojë zhvillimin e përgjegjshëm të IA, të forcojë sigurinë e saj, të minimizojë rreziqet që lidhen me përdorimin e saj dhe të sigurojë që përfitimet e kësaj teknologjije të shpërndahen në mënyrë të drejtë ndërmjet të gjitha shteteve.Ajo gjithashtu e shikon IA si një e mirë publike që duhet të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, mirëqënien sociale dhe përparimin e njerëzimit.
Parim themelor prej nga udhëhiqet Iniciativa kineze është respektimi i sovranitetit të shteteve, barazia sovrane dhe e drejta e çdo vendi për të zhvilluar dhe përdorur inteligjencën artificiale sipas kushteve të veta kombëtare.Qasja kineze thekson drejtësinë, përfshirjen dhe përfitimin e ndërsjelltë, kundërshton diskriminimin teknologjik, politizimin e bashkëpunimit shkencor dhe përdorimin e teknologjisë si instrument presioni gjeopolitik.Ajo kërkon respektimin e të drejtës ndërkombëtare, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e IA për qëllime keqdashëse nga organizatat terroriste dhe grupet kriminale. Për zbatimin e Iniciativës së saj, Kina vlerëson përdorimin e mekanizmave shumëpalëshe.
Në mënyrë të veçantë mes tyre i jepet rëndësi Kombeve të Bashkuara si platforma më legjitime për hartimin e regullave globale të IA.Iniciativa kineze nxit shkëmbimin ndërkombëtar të njohurive, bashkëpunimin shkencor, zhvillimin e standarteve teknike, ndërtimin e kapaciteteve kombëtare dhe promovimin e teknologjive me burim të hapur (open source), kur kjo është e përshtatshme dhe e sigurt.Ajo gjithashtu mbështet dialogun ndërmjet qeverive, organizatave ndërkombëtare, sektorit privat dhe komunitetit shkencor për të ndërtuar një sistem efektiv të qeverisjes globale. Një nga elementët dallues të Iniciativës kineze është theksi që ajo vendos mbi nevojat e vendeve në zhvillim.Dihet që këto vende janë të prapambetura në raport me Fuqitë e Mëdha dhe ekziston një hendek teknologjik.
Për të mos e thelluar më tej këtë hendek, qasja e Kinës propozon masa lehtësuese për akses të këtyre vendeve në teknologjitë e IA, transferimin e njohurive, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe mbështetjen për ndërtimin e infrastrukturës dixhitale. Iniciativa nuk është një dokument i izoluar teknik, por pjesë e strategjisë më të gjërë diplomatike të Kinës për reformimin e qeverisjes globale.Ajo paraqitet si një dimension i ri i diplomacisë kineze përmes të cilit synohet të kontribuohet në hartimin e normave ndërkombëtare, në zgjerimin e bashkëpunimit me Jugun Global dhe në forcimin e rolit të Kinës si aktor normativ në rendin ndërkombëtar.Qasja kineze përfaqëson një model alternativ të qeverisjes të teknologjive të avancuara.
Ajo kombinon zhvillimin teknologjik me parimet e sovranitetit shtetëror, bashkëpunimit shumëpalësh dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.Në të njëjtën kohë Iniciativa pasqyron ambicjen e Kinës për të marrë pjesë aktive në përcaktimin e standarteve dhe institucioneve që do të rregullojnë përdorimin global të inteligjencës artificiale në dekadat e ardhshme. Modeli kinez i ndërtimit të arkitekturës shumëpolare të qeverisjes globale ndodhet në një konkurencë strategjike me modele perëndimore por veçanërisht me atë të Shteteve të Bashkuara.
Ato ndajnë mjaft ide dhe praktika të përbashkëta por njëkohësisht edhe dallime mes tyre.Këto të fundit të përkthyera në terrenin konkret të konkurencës reflektojnë synime divergjente me karakter ekonomik, strategjik, tregtar e normativ.Kjo konkurencë strategjike për IA është si dy anët e një medaljeje, ose siç shkruanin para një muaji dy ekspertë, Joe Ngai dhe Nick Leung, është “si dy anët e Taichi-së, jo thjeshtë rivalitet, por një balancë dinamike”. Siç u theksua edhe më parë, Shtetet e Bashkuara e shohin IA si teknologji vendimtare për sigurinë kombëtare dhe për ruajtjen e epërsisë teknologjike ndaj rivalëve strategjikë.Për këtë arsye ato kanë bërë dhe bëjnë investime kolosale për zgjerimin e qëndrave masive të të dhënave e për kërkim shkencor mbështetur në konceptin e modeleve pronësore (closedsource), të kompanive të mëdha private.
Kina ka një filozofi tjetër, të shprehur në Iniciativën për Qeverisje Globale të IA dhe Planit të Veprimit për Qeverisjen Globale të IA të vitit 2025.Ajo e trajton IA si instrument të modernizimit kombëtar, të zhvillimit ekonomik dhe të ngritjes së saj si fuqi teknologjike globale.Kina promovon një koncept tjetër, atë të open source që mbështet jo vetëm zhvillimin teknologjik por edhe përhapjen e teknologjisë dhe krijimin e një ekosistemi global përdoruesish për modelet e saj.Ky koncept e paraqet atë si një aktor normative me ndikim në hartimin e regullave globale të IA.
Konkurenca midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është garë për të kontrolluar teknologjitë bazë të IA-së: modelet e mëdha gjuhësore, gjysëmpërçuesit e avancuar, qëndrat e të dhënave, algoritmet, talentin shkencor dhe infrastrukturën kompjuterike.Shtetet e Bashkuara sipas deklaratës të Presidentit Donald Trump në Samitin e NATO-s në Ankara në 8 korrik ndodhen përpara Kinës në IA, në çipat më të fuqishëm dhe në ekosistemin e inovacionit privat.Kina nga ana e saj ka një treg të madh, mbështetje të forte shtetërore, kapacitete të konsiderueshme të të dhënave dhe një strategji të qartë për vetë-mjaftueshmëri teknologjike.
Një nga dimensionet më të rëndësishme të garës teknologjike është ajo që njihet si “lufta e çipave”.Shtetet e Bashkuara zbatojnë një politikë të rreptë në eksportin e çipave të avancuar dhe paisjeve për prodhimin e tyre drejt Kinës.Synimi i tyre është të ngadalësojnë zhvillimin e kapaciteteve kineze në IA, sidomos në modelet më të avancuara.Për aq sa është bërë e njohur, kjo çështje u bisedua në takimin e nivelit të lartë me rastin e vizitës së fundit të Presidentit Trump në Pekin, por gjithçka mbetet e panjohur për shkak të ndjeshmërisë së lartë dhe të hermetizmit diplomatik. Konkurenca teknologjike nuk është vetëm çështje e marrëdhënieve dypalëshe por ka edhe një dimension ndërkombëtar.
Modeli amerikan kërkon të përforcojë epërsinë teknologjike si komponent gjithnjë në rritje për të ruajtur hegjemoninë unilateraliste në rendin ndërkombëtar.Kina e kundërshton këtë monopolizim teknologjik amerikan përmes qasjes së saj sovraniste e zhvillimore.Ajo synon të krijojë një ekosistem global të IA përmes një strategjije gjeoekonomike dhe gjeopolitike ku zgjerimi i përdorimit global të modeleve kineze nëpër botë e veçanërisht në Jugun Global krijon rrethana që influencon në standartet dhe qeverisjen ndërkombëtare të IA.
Qeverisja globale po hyn në një fazë transformimi të thellë, të nxitur nga ndryshimet në shpërndarjen e fuqisë ndërkombëtare, revolucioni teknologjik dhe shfaqja e sfidave që tejkalojnë kapacitetet e shteteve të veçanta.Në këtë kontekst, vizioni kinez për arkitekturën e qeverisjes globale përfaqëson një përpjekje për të reformuar institucionet dhe normat ekzistuese në drejtim të një sistemi shumëpolar, më gjithpërfshirës dhe më përfaqësues. E ardhmja e arkitekturës globale të qeverisjes së IA nuk ka gjasa të ndërtohet mbi dominimin e një modeli të vetëm, por mbi një proces negocimi, kompromisi dhe bashkëjetese ndërmjet vizioneve të ndryshme normative.Vizioni kinez është pjesë e debatit të gjërë rreth evolucionit të sistemit ndërkombëtar.
Pavarësisht dallimeve me qasjet perëndimore ai ka sjellë në vëmëndjen e komunitetit ndërkombëtar çështje thelbësore që lidhen me reformimin e institucioneve globale, përfshirjen më të madhe të Jugut Global dhe nevojën për rregulla të reja në epokën e transformimit teknologjik.Mënyra se si këto vizione do të konkurojnë, do të bashkëpunojnë ose do të ndërthuren në vitet e ardhshme, do të përcaktojnë tiparet e arkitekturës së re të qeverisjes globale.
/GazetaPanorama
© Panorama.al












