NGA FLORJAN KALAJA
Liria e shprehjes, pavarësisht rëndësisë së jashtëzakonshme që ka në planin personal, në shoqëri dhe në demokraci, ka kufizimet e saj ligjore, qoftë në drejtimin civil, administrativ apo penal. Liria dhe kufizimet ligjore të saj diktohen nga njëra anë prej tensionit dhe ekuilibrit të drejtë që duhet të ekzistojë ndërmjet lirisë personale të vetërealizimit në shoqëri dhe të drejtës së kujtdo për reputacion dhe dinjitet.
Abuzimi me keqbesim lirinë e shprehjes mund të shkaktojë kryerjen edhe të veprave penale, sikurse është kundërvajtja penale e “Fyerjes” dhe e “Shpifjes”, e cila e do të jetë objekti i këtij artikulli. Sigurisht që konteksti i trajtimit të saj do të jetë mbi risitë që janë propozuar nga grupi i punës në projektin e Kodit të ri Penal, të prezantuar nga Ministria e Drejtësisë në mbledhjen e Korrikut të vitit 2025. Tashmë po mbushet një vit nga prezantimi publik i këtij projekti me kaq shumë drit-hije.
Paraprakisht më duhet të sqaroj se, megjithëse ka ngjashmëri apo shkaqe për t’i ngatërruar apo mbivendosur faktet e faligjshme që i gjenerojnë, ligji penal material në Shqipëri tradicionalisht, që nga Kodi Penal i vitit 1927 e deri në Kodin Penal në fuqi, ka dalluar dhe rregulluar më vete veprën penale të “Fyerjes” dhe veprën penale të “Shpifjes”. Në Kodin Penal në fuqi vepra penale e “Fyerjes” rregullohet në nenin 119 dhe vepra penale e “Shpifjes” rregullohet në nenin 120.
Fyerja nuk përkufizohet në mënyrën se si është hartuar norma, duke u mjaftuar vetëm me parashikimin se është kundërvajtje penale dhe se dënohet vetëm me gjobë. Ndërkohë “Shpifja”, përveç se parashikohet se është kundërvajtje dhe se dënohet vetëm me gjobë, edhe përkufizohet, duke u rregulluar se është përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacioni tjetër, duke e ditur që janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit. Praktika gjyqësore dhe jurisprudenca relevante, kombëtare dhe ndërkombëtare, pavarësisht mos përkufizimit në ligj të veprës penale të “Fyerjes” dhe të “Shpifjes”, ka arritur ndër dhjetëvjeçarë të paqësojë pikëpamjet dhe të unifikojë kuptimin e këtyre veprave penale dhe gjithashtu edhe dallimin e tyre.
Në këtë mënyrë tek vepra penale e “Fyerjes” përfshihen komentet, fjalët, veprimet apo shprehjet që cenojnë dinjitetin e personit tjetër por që në thelb përfaqësojnë sulme vlerësimesh dhe opinionesh me karakter subjektiv ndaj personalitetit, të materializuara në çdo veprim që shpreh përbuzje, tallje, përçmim dhe diskretitim të qëllimshëm të figurës së një personi. Nga ana tjetër vepra penale e “Shpifjes” përmbledh veprimet e kundërligjshme të përhapjes së informacioneve me karakter objektiv që dihet se janë të rreme dhe që realizohen me qëllim cenimin e nderit, dinjitetit, personalitetit, vlerësimit dhe reputacionit të një personi.
Thënë ndryshe dhe krejt thjeshtë, do të jetë teorikisht në fushëveprimin e veprës penale të “Fyerjes” shprehja “ai është kafshë”, duke qenë se paraqet një sulm ndaj dinjitetit të një subjekti me karakter subjektiv dhe ofendues, dhe se do të jetë në fushëveprimin të veprës penale të “Shpifjes” shprehja “ai është i dënuar”, duke qenë se teorikisht paraqet një fakt objektiv dhe i vërtetueshëm por që dihet se është i pavërtetë dhe se është bërë qëllimisht për të cenuar integritetin dhe reputacionin e një personi të caktuar. Pavarësisht këtyre dallimeve formale, të dyja format e sulmeve kriminale ndaj reputacionit dhe dinjitetit të një subjekti substancialisht kanë qëllime të njëjta, ruajtjen e integritetit personal të kujtdo subjekti. Çdo shpifje njëkohësisht është edhe fyerje dhe çdo fyerje është edhe shpifje në kuptimin e zakonshëm dhe të përditshëm human të këtyre akteve të gabuara.
Por dallimet formale juridike janë gjithsesi të rëndësishme sa i takon kualifikimit të drejtë ligjor faktit penal, zbatimin e parimit të ligjshmërisë në përcaktimin e fajësisë dhe dënimin e një personi, përcaktimit të barrës së provës në proces dhe në specifikat respektive të konkluzionit gjyqësor nëse ka fakt penal apo jo. Ndërkohë rezulton se në projektin e Kodit të ri Penal është rregulluar në të njëjtën mënyrë parashikimi i këtyre veprave penale. Kështu është parashikuar vepra penale e “Fyerjes”, konkretisht neni 863, dhe vepra penale e “Shpifjes”, konkretisht neni 865. Ato janë kundërvajtje penale dhe në format e zakonshme të realizimit të tyre dënohen vetëm me gjobë.
Nga ana tjetër rezulton se, ndryshe nga Kodi Penal në fuqi, pika 1 e nenit 863 të projektit të Kodit të ri Penal, ka marrë përsipër të përkufizojë se çfarë do të thotë “Fyerje” për qëllimet e ligjit penal, duke parashikuar se: “1. Për qëllim të ligjit penal, përbën fyerje çdo veprim, fjalë ose shprehje që cenon dinjitetin e një personi tjetër, ose dëmton vetëvlerësimin e viktimës. Fyerje e rëndë do të vlerësohet të jetë veprimi, fjala apo shprehja që për shkak të natyrës, pasojave, rrethanave në të cilat është bërë apo zakoneve të mira që prek, përbëjnë shqetësim për opinionin publik.”
Ndërkohë saktësohet akoma më shumë se çfarë do të thotë “Shpifje” sipas ligjit penal. Pika 1 e nenit 865 të projektit të Kodit të ri Penal parashikon ndër të tjera se: “1. Përhapja e qëllimshme e deklaratave rreth një fakti specifik të rremë dhe ofendues, si dhe/apo çdo informacioni tjetër të rremë, që cenojnë nderin, vetëvlerësimin apo degradojnë reputacionin e personit apo institucionit …” Deri këtu nuk ka asgjë që nuk shkon. Përkundrazi, grupi i punës meriton dafina për këtë reflektim të munguar nga viti 1995 në ligjin penal shqiptar për “Fyerjen” dhe gjithashtu edhe për ripërkufizimin e “Shpifjes”. Ajo që më nxiti të shkruaj këto rradhë është një rregullim rishtar në historinë e ligjit penal shqiptar, që grupi i punës ka propozuar të ketë “Kushtetuta Negative” e vendit sa i takon veprës penale të “Fyerjes”.
Bëhet fjalë për pikën 7 të nenit 863. Kjo pjesë e dispozitës parashikon se: “7. Personi i akuzuar për fyerje përjashtohet nga përgjegjësia në rastin kur provon të vërtetën mbi veprimet ose shprehjet e drejtuara kundër zyrtarëve publikë për fakte që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës ose kryerjen e kundërvajtjeve administrative.” Fillimisht kur e lexova mendova se ka një gabim material të mendjes dhe dorës së shkruesve të kësaj norme, duke qenë se kumti i rregullit normativ të këtij paragrafi natyralisht dhe logjikisht, sipas vetë përkufizimeve të pikës 1 të nenit 863 dhe pikës 1 të nenit 865, nuk ka lidhje me veprën penale të “Fyerjes” por ka lidhje me veprën penale të “Shpifjes”.
Por jo, nga rileximi konstatova se shkruesit e këtij rregulli kanë këmbëngulur qëllimisht që ky paragraf të lidhet me veprën penale të “Fyerjes”, pasi në ligjëratë të drejtë citohet se “7. Personi i akuzuar për fyerje …” Më tej rezulton se një rregull i tillë normativ mungon në shtatë pikat e nenit 865 të këtij projekti ku rregullohet vepra penale e “Shpifjes”.
Pra thënë ndryshe dhe thjeshtë grupi i punës ka parashikuar se barrën e provës për të provuar se i fyeri është apo jo “kafshë” e ka personi i akuzuar si fyes. Më tej grupi i punës hesht rreth rregullimit të së njëjtës çështje në nenin 865 dhe kjo heshtje implicisht nënkupton se barrën e provës për të provuar të pavërtetën e informacionit objektiv të përhapur qëllimisht për sulm ndaj reputacionit të një subjekti, konkretisht në shprehjen “ai është i dënuar”, në veprën penale të “Shpifjes” e ka pala e dëmtuar apo ajo që sjell akuzën private në gjyq. Të dyja këto konkluzione, qoftë ekspliciti dhe impliciti, janë tërësisht të gabuara, qoftë konceptualisht dhe juridikisht.
Megjithatë problemet e kësaj mënyre të të konceptuari të përgjegjësisë penale nuk mbarojnë vetëm këtu. Së pari duhet të kuptohet se nuk nuk ka vend për pikën 7 në nenin 863 apo nuk ka vend për një parashikim të tillë në veprën penale të “Fyerjes”. Nuk mund të ekzistojë barrë prove për të provuar vërtetësinë objektive të një informacioni që është ekskluzivisht subjektiv dhe si i tillë i paverifikueshëm objektivisht. Për vlerësimet negative si opinione apo ofendime nuk mund të eksiztojë barra e provës për të provuar objektivitetin e tyre. Një barrë e tillë prove është e pamundur dhe nuk ka kuptim as të një logjike njerëzore mesatare dhe normale dhe jo më pastaj juridike.
E vetmja barrë prove logjike dhe juridike në këto raste është të provohet mirëbesimi i autorit të deklaratës që akuzohet se përbën fyerje. Së dyti, duhet të kuptohet se paragrafi i 7 i nenit 863 nuk e ka vendin tek vepra penale e “Fyerjes” por tek vepra penale e “Shpifjes” dhe se konkretisht do të duhet të ishte parashikuar si paragrafi 8 i nenit 865 në projektin e Kodit të ri Penal. Pikërisht tek faktet e paligjshme penale të përhapjes së qëllimshme të informacioneve me karakter objektiv, që dihet se janë të pavërteta, do të duhet të ekzistojë barra e provës së të akuzuarit për të provuar vërtetësinë e gjithësa ka përhapur si informacion me karakter objektiv. Një barrë e tillë prove është e mundur dhe e arsyeshme humanisht dhe juridikisht, duke konfirmuar sakaq edhe gjithë kumtin e jurisprudencës së GJEDNJ ndër dekada mbi zbatimin e drejtë të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private) dhe 10 (liria e shprehjes) të KEDNJ.
Së treti, edhe sikur grupi i punës të ndreqë këtë gabim konceptual dhe ta zhvendosë pikën 7 nga neni 863 në pikën 8 të nenit 865 të projektit të Kodit të ri Penal, sërisht norma është e gabuar pasi nuk është e plotë, duke patur parasysh gjithësa ka artikuluar ndër dekada jurisprudenca e GJEDNJ lidhur me nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private) dhe 10 (liria e shprehjes) të KEDNJ. Për ta demostruar këtë më duhet të sjell një nga shumë pak mirësitë e ligjit të mbrapshtë, konkretisht Ligjit 8/2026, konkretisht nga ndryshimet e nenit 120 të Kodit Penal mbi veprën penale të “Shpifjes”.
Ndër të tjera kësaj norme iu shtua ky parashikim: “Për qëllimet e këtij neni, “përhapje me mirëbesim” do të thotë përhapje që plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin e tretë të këtij neni dhe kryhet në përputhje me rregullat etike e profesionale të gazetarisë, mbi baza faktike e të arsyeshme. Vlerësimet, opinionet, komentet, kritikat ose interpretimet, edhe kur janë therëse, të ekzagjeruara ose fyese, nuk konsiderohen shpifje në kuptim të këtij neni, përveç nëse përmbajnë, shprehimisht ose të nënkuptuara pretendime, fakte, të dhëna apo informacione objektivisht të rreme.” Pikërisht ky rregull mungon në paplotësinë dhe keqrregullimin e pikës 7 të nenit 863, që në të vërtetë duhet të ishte pika 8 e nenit 865 të projektit të Kodit të ri Penal.
Kjo do të thotë se norma duhet të parashikonte se nuk ka vepër penale të “Shpifjes” kur i akuzuari provon se informacioni i përhapur është i vërtetë dhe/ ose kur i akuzuari provon se përhapja e informacionit eventualisht të pavërtetë është bërë në mirëbesim, që do të thotë sipas gjithësa ka përshkruar paragrafi i fundit i nenit 120 të Kodit Penal në fuqi me ndryshimet e Ligjit nr. 8/2026, i lartcituar. Së katërti, me keqardhje rikonstatoj se here pas here projekti i Kodit të ri Penal përshkohet nga një filozofi johumane dhe antidemokratike ndaj prezumimit të pafajësisë dhe ndaj pafajësisë së të gjykuarve si të pandehur. Një pjesë e këtyre konstatimeve janë trajtuar në shkrimin “Dilema mbi Kodin e ri Penal (41)”, konkretisht në shkrimin me titull “Vulnerabiliteti i pafajësisë”, ku ndava gjetjen se shkruesit e pikës 3 të nenit 155 të projektit të Kodit të ri Penal e kanë hartuar këtë rregull me prezumimin se në të gjitha proceset penale gjykohen fajtorët dhe se procesi penal zhvillohet vetëm për të individualizuar dënimin.
Të njëjtët shkrues kanë përsëritur të njëjtën logjikë prezumimi fajësie në hartimin e pikës 7 të nenit 863 e këtij projekti, ku kanë parashikuar se përmbysja e barrës së provës nga i akuzuari passjell përjashtimin nga përgjegjësia penale. Duhet të mbahet parasysh se përjashtimi nga përgjegjësia penale është privilegj ligjor që i akordohet nga ligji fajtorit ndaj akuzës penale apo faktit penal historik, konkretisht dhe për shembull bashkëpunëtorit të drejtësisë, i cili rezulton fajtor tej çdo dyshimi të arsyeshëm por në të njëjtën kohë gjykata vendos ta përjashtojë atë nga dënimi penal, duke patur parasysh kontributin e dhënë për suksesin e procedimit penal.
Ky shembull mjafton për të kuptuar se logjikisht, konceptualisht dhe juridikisht ka dallim me mungesën e përgjegjësisë penale për shkak të pafajësisë me përjashtimin nga përgjegjësia penale si pasojë e një nga privilegjeve penale që ligji parashikon. Kjo mënyrë e formulimit të rregullit të pikës 7 të nenit 863 të projektit të Kodit të ri Penal sjell konkluzionin e prezumimit ligjor absolut të fajësisë së të akuzuarit në veprën penale të “Fyerjes”, e cila në fakt dhe në ligj duhet të ishte rregullim i veprës penale të “Shpifjes” dhe se e ka vendin në pikën 8 të nenit 865 të këtij projekti.
Ky keqrregullim dhe keqkonceptim i veprës penale të “Fyerjes” dhe veprës penale të “Shpifjes” më bën të rimendoj edhe një herë vlerësimin që kam mbajtur më parë, konkretisht se projektit të Kodit të ri Penal i nevojitet retushimi sistematik. Në të vërtetë çdo shkrim e më shumë në këtë maratonë të ndodhur në episodin e 43-të më bën të kuptoj se keqrregullimi juridik konceptual i normave të prezantuara në fundkorrikun e vitit 2025 është i vështirë të çbëhet dhe të normalizohet vetëm nga retushimi, qoftë ky edhe sistematik.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












