I riu Ardesjan Binjakaj u bëri thirrje qytetarëve, punonjësve të administratës dhe policëve që t’i bashkohen protestës, duke thënë se shumë prej tyre, sipas tij, janë të detyruar të mbështesin pushtetin për shkak të punës.
Ai bëri thirrje për punonjësit e administratës, duke deklaruar se ata janë mashtruar nga sistemi dhe mendojnë se mbijetesa e tyre varet nga shërbimi ndaj pushtetit.
“Janë mashtruar, janë gënjyer nga ky sistem. U është bërë një lloj “lavazhi truri” dhe mendojnë se e vetmja mënyrë për të mbijetuar është t’i shërbejnë pushtetit”, tha ai, ndërsa shtoi se janë ata, qytetarët, që duhet t’i zgjojnë.
“Ata ende nuk janë zgjuar dhe është detyrimi ynë moral që t’i zgjojmë. T’u tregojmë se sa bukur mund të ëndërrojmë dhe sa e bukur mund të jetë Shqipëria kur shqiptarët janë të lirë”, u shpreh i riu.
I riu Ardesjan Binjakaj: Dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, bashkëatdhetarëve, njerëzve që nuk janë në këtë shesh, të gjithë atyre që me shpirt janë këtu, por fizikisht nuk munden.
Dua t’u drejtohem edhe policëve, të cilët detyrohen të mbrojnë pushtetin, jo sepse duan. Qytetarë, ata thjesht bëjnë punën e tyre. Ne duhet t’i trajtojmë si bashkëatdhetarët tanë. Ata janë vëllezërit dhe motrat tona, prindërit tanë. Ata thjesht po bëjnë detyrën e tyre.
Përveç policëve, dua t’u bëj një thirrje edhe punonjësve të administratës, sepse edhe ata janë punësuar aty dhe thjesht po ushtrojnë detyrat e tyre. Janë mashtruar, janë gënjyer nga ky sistem. U është bërë një lloj “lavazhi truri” dhe mendojnë se e vetmja mënyrë për të mbijetuar është t’i shërbejnë pushtetit.
Ata ende nuk janë zgjuar dhe është detyrimi ynë moral që t’i zgjojmë. T’u tregojmë se sa bukur mund të ëndërrojmë dhe sa e bukur mund të jetë Shqipëria kur shqiptarët janë të lirë.
Për të gjithë njerëzit që na ndjekin nga kamerat, për të gjithë ata që na dëgjojnë, na shohin kur marshojmë nëpër rrugët e Tiranës, për diasporën dhe për të gjithë njerëzit që na shohin në mediat sociale: ejani në protestë.
© Panorama.al











