Aktivisti Ilir Xhemalaj ka reaguar sërish për mungesën e një qëndrimi nga qeveria shqiptare ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila ka kërkuar spastrim etnik ndaj shqiptarëve.
Xhemalaj tha se kanë kaluar 72 orë pa një reagim zyrtar nga institucionet shqiptare, ndërsa sipas tij, heshtja e qeverisë ka nxitur deklarata të tjera nga zyrtarë serbë.
“Nga heshtja e qeverisë sonë, marrin guxim akoma më shumë. Zoti Daçiç, sivëllai i këtij që e priti në Beograd, sot deklaroi se ajo kishte të drejtë dhe jo vetëm kaq, por tha që shqiptarët duan të largohen në shtetin e tyre, në Shqipëri”, tha ai.
Xhemalaj kërkoi që autoritetet shqiptare të shpallin “non grata” ministren serbe, presidentin Aleksandër Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë serbë.
Ilir Xhemalaj: U bënë 72 orë dhe po ngryset dita e tretë, por akoma nuk kemi një reagim të qeverisë shqiptare për zonjën Snezhana Paunoviç, e cila kërkoi spastrim etnik për shqiptarët.
Jo vetëm kaq, por nga heshtja e qeverisë sonë, marrin guxim akoma më shumë. Zoti Daçiç, sivëllai i këtij që e priti në Beograd, sot deklaroi se ajo kishte të drejtë dhe jo vetëm kaq, por tha që shqiptarët duan të largohen në shtetin e tyre, në Shqipëri. Jo, more zotëri! Ne jemi autoktonë aty, nuk jemi si ju. Qeveria jonë duhet ta kuptojë që në këtë shesh ka dalë kjo rini.
Është hapur një kapitull i ri për një Shqipëri që nuk përkulet, që nuk fal. Për një Shqipëri që nuk jep më as det dhe as tokë askujt. Dua ta kuptojnë mirë, shqiptarët janë këtu dhe tradhtarët janë aty (në qeveri). Edhe një herë kërkojmë shpalljen non grata të ministres serbe, të Vuçiçit, Daçiçit, dhe kujtdo tjetër që guxon të bëjë pis shqiptarët.
© Panorama.al











