Rama: Nuk do bëj debat me Bashën, ai të shkojë në gjyq

Apr 14, 2011 | 9:43

Kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, përjashtoi dje çdo mundësi për të zhvilluar një debat publik me kandidatin e tij Lulzim Basha.Në një intervistë në emision “Debat” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Plus”, Rama foli gjithashtu edhe për planin e tij për kryeqytetin, deklaratat e Kastriot Islamit dhe marrëdhëniet me KQZ-në.
Zoti Basha ju ka respektuar, deklaroi në hapje të fushatës se nuk jeni armiku i tij…
Po kush është ai? Ai s’ka lidhje fare se çfarë respekton apo nuk respekton me fjalë. Është një shkelës i njohur i ligjit në të gjithë ministritë ku ka shkelur. Sot është përpara domosdoshmërisë që të japë llogari përpara gjyqit për vrasjet e 21 janarit. Përpara se sa llogaria përpara gjyqit do të vijë si një domosdoshmëri për të zbardhur deri në fund atë krim shtetëror, duhet të kishte ardhur përgjegjësia politike sepse edhe ministri i Brendshëm i Ben Aliut dha dorëheqjen, pasi pushkët e shtetit vranë demonstruesit në Tunizi. Ndërsa ministri i Brendshëm i Saliut jo vetëm që nuk dha dorëheqjen, por tani kërkon që qytetarët e Tiranës të japin votën.
Do ju ftoj të dyve përballë në këtë studio të bëni një debat…
Këtë mund ta harrosh që sot, sepse ai mund të bëjë debat vetëm në sallën e gjyqit për të gjitha ato arsye për të cilat është konsideruar si i pandehur nga Prokuroria, në një proces tërësisht të korruptuar dhe të analizuar nga Kontrolli i Shtetit dhe është nga ana tjetër i pandehur i opinionit publik për masakrën e 21 janarit.
Kundërshtarët tuaj ju akuzojnë për betonizimin e Tiranës…
1 % e sipërfaqes së Tiranës është ndërtuar me lejet tona të ndërtimit, 1%. E dini se sa? 5% e të gjithë ndërtimeve në Tiranë janë? 5%. E çfarë betonizimi i ka ndodhur Tiranës në këto vite? Në këto vite Tiranës i ka ndodhur krejt diçka tjetër. Këto vite Tiranës i janë hapur të gjitha arteriet e frymëmarrjes dhe qarkullimit. Në këto vite Tirana ka sot pas një pune kolosale 55 mijë pemë më shumë.
Zoti Basha po e bën këtë fushatë derë me derë, shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, ditët e fundit jeni duke shkuar ju në gjurmët e tij?
Këto janë interpretime gazetareske që ju vlejnë juve, për t’i dhënë pak emocion një gare që s’ekziston, sepse Tirana e ka bërë zgjedhjen e saj, Tirana e ka gjetur rrugën e saj dhe Tirana është e garantuar në zhvillimin e saj. Zbritja ime rrugë më rrugë e derë më derë është ajo që modestisht unë kam sjellë në politikën shqiptare që në vitin 2000. Fushatat elektorale rrugë më rrugë e derë më derë janë fushata që janë të zakonshme për mua, siç janë bërë të zakonshme për të gjithë sot. S’ka asnjë ndryshim strategjie dhe s’ka asnjë zotëri me këtë emër në garë me mua. Në garë është Saliu, i cili kërkon të grabisë Tiranën, ashtu siç po grabit të gjithë Shqipërinë, i cili kërkon të bëjë me Tiranën atë që po bën me Shqipërinë, por ta harrojë.
Sekretari për Çështjet Elektorale në PS, Kastriot Islami, ka deklaruar që ju do ta humbisni këtë radhë Tiranën me 2 mijë vota, keni ndonjë koment?
Kastrioti ka ikur në një drejtim të paditur dhe unë nuk kam marrë më lajme prej tij, faleminderit që herë pas here më njoftoni ju për vendndodhjen, për mua nuk përbën asnjë problem.
A do të ndikojë LSI në rezultatin tuaj në Tiranë?
Ndjesë pastë! Më mirë le të flasim për qytetin dhe për mënyrën se si shohim zhvillimin e qytetit, sepse ishte shumë pasiononte pjesa që po diskutonin sesa të flasim për Ilirin. Iliri sot është në sytë e të gjithë shqiptarëve gishti me pështymë që kthen fletën për të marrë llokmën e ditës, por nuk besoj se ka njeri të zakonshëm të këtij vendi që gdhihet në mëngjes me ankthin e çmimeve që do të kthehet në pazar dhe kthehet në darkë me ankthin e punës që do të gjejë nesër që të pranojë se ekziston më ndonjë LSI. Fatkeqësisht, ajo parti e lindur në kushte të një historie të caktuar brenda të majtës dhe PS-së, për të sjellë një mesazh të ri dhe për të dhënë një hapësirë të re, është katandisur në një shprehje të rrugaçërisë së pushtetit, të parasë dhe presionit të parasë të pushteti.
Keni marrë garanci nga ndërkombëtarët për këtë proces elektoral, cilat janë pikat e garancisë për këtë proces elektoral?
Saliu ka përgjegjësinë e organizmit dhe garantimit të zgjedhjeve. Ne e dimë shumë mirë në çfarë zgjedhjesh të rrezikuara po hyjmë. Asgjë nga ato që duhet të bëheshin, nuk janë bërë. Ne jemi të vetëdijshëm se sot shqiptarët janë shumë më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e votës, si arma e vetme që ka qytetari për të ndëshkuar qeverinë. Për të ndryshuar qeverinë. Saliu, Iliri është mirë ta mësojnë se çfarë do të ndodhë në rast se e prekin votën, jo më një lëvizje qytetare për hapjen e kutive, por një lëvizje e mirëfilltë për rivendosjen e demokracisë, ku ne do t’i kërkojmë popullit të dalë në rrugë dhe të dëbojë qeverinë. Të gjithë barrën që ka përsipër ta mbajë, zgjedhjet të mos i prekë dhe të pranojë rezultatin.
Nëse nuk cenohet vota dhe ju fitoni zgjedhjet lokale, do të vazhdojë jeta normale politike në vend dhe nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme?
Zgjedhjet e parakohshme ne i kemi kërkuar dhe do t’i kërkojmë çdo ditë. Kjo nuk diskutohet.
Nëse zgjedhjet janë me standarde?
Zgjedhjet e parakohshme janë një domosdoshmëri për të larguar një orë e më parë regjimin e kusarisë dhe të matrapazllëkut nga qafa e Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk ka lidhje kjo me preket apo s’preket vota. Nëse zgjedhjet nuk bëhen me standardet, ne do të kërkojmë dëbimin e qeverisë nga populli, sepse qeveria ndalon demokracinë në punën e saj.
Nëse vota numërohet drejt dhe ju do t’i humbisni këto zgjedhje, do ta jepni dorëheqjen nga kreu i PS-së?
Kjo është një nëse, si ai proverbi. Unë nuk merrem fare me këto ‘nëse’ dhe nuk e konsideroj fare opsionin e humbjes së këtyre zgjedhjeve, sepse nuk ekziston. Ne kemi sondazhe, ne kemi një njohje të imët të të gjithë territorit, ne e kemi fitoren e plotë më 8 maj. Puna jonë e përditshme dhe mesazhi ynë konstant intensivisht për qytetarët është se vota e 8 majit është arma juaj për t’u çliruar nga të këqijat që bëhen zinxhir me zanafillë të keqen e madhe të vjedhjes së votës, dhe për t’i hapur rrugë një qëndrueshmërie zhvillimi, duke filluar që nga procesi politik.
Zoti Rama, gara nuk është vetëm në Tiranë…
Në Tiranë s’ka garë, në vende të tjera ka vende që ka edhe garë, s’ka garë në Tiranë.
Po të mos ishte që të mos kishte garë, ju nuk dilnit rrugë më rrugë…
Unë dal derë me derë, për të vazhduar komunikimin dhe për të vazhduar rrugën me qytetarët në të vetmen rrugë. Po nuk dal rrugë më rrugë, se ka ndonjë garë me Saliun. Saliu në Tiranë ka vetëm llogari për të dhënë, nuk ka vota dhe pëlqim për të marrë, ka llogari për të dhënë për vrasjet me pushkët e shtetit në bulevard. Ka llogari për të dhënë për kusarinë e pandalshme dhe të pafre.
Një nga strukturat kyçe që ka rëndësi në garancinë e këtij procesi është KQZ. Ju e keni kritikuar kryetarin e këtij komisioni, zotin Arben Ristani, i cili është në atë pozicion falë votës së PS? Jeni bërë pishman që ia keni dhënë votën?
Unë nuk hyj tek njerëzit që nuk bëhen pishman. Sigurisht që hyj tek njerëzit që reflektojnë shumë seriozisht mbi gjërat që bëjnë në funksion të së ardhmes, jo në funksion të së shkuarës. Ajo që ne kemi bërë në funksion të së ardhmes në atë kohë për të ndryshuar tërësisht natyrën e procesit politik duke e çkonfliktualizuar procesin dhe duke hapur një rrugë për mirëkuptim dhe konsensus, ka qenë një qasje e ndërgjegjshme për të mirën e vendit, dhe me pasionin e shpresën te koha, koniunktura ndërkombëtare në të cilën Shqipëria hyri me hyrjen në NATO-n dhe rruga për në BE ishin të mjaftueshme për një reflektim tërësor të klasës politike dhe për një qasje të re nga ana e palës tjetër. Rezultoi se Saliu e keqpërdori deri në abuzim dhe shpërdorim të Kushtetutës, të ligjeve dhe të detyrës, këtë kontribut tonin dhe këtë terren konsensusi, pjesë e së cilës ishte dhe ngritja e një KQZ me shumicë të qeverisë dhe me pakicë të opozitës, dhe pa një sërë mekanizmash bllokues, që në të shkuarën nuk e kishin lehtësuar këtë punë të komisionit. Fakti është që KQZ sot është një institucion i komprometuar që drejtohet nga një njeri që është shumë më tepër një gangster, sesa një funksionar publik.
Është e rëndë kjo. S’mund t’ia thoni këtë një kreu të një institucioni si KQZ-ja?
Është shumë më tepër një gangster, është një dorë e papërgjegjshme që lëviz në bazë të interesave të drejtpërdrejta abuzive të pushtetit për procesin zgjedhor sesa një funksionar publik që i shërben Kushtetutës, ligjit dhe qytetarëve.

 

ALFRED PEZA

© Panorama.al

Te lidhura