“Mos e bëj Shqipërinë Kurban!”- Shkrimtarja Elvira Dones mbështet protestat në Tiranë, thirrje Ramës: Lëre vendin të marrë frymë! Je gabimi më i madh që bëmë në 2013

Jun 11, 2026 | 19:01

Shkrimtarja e njohur shqiptare, Elvira Dones, ka reaguar në mbështetje të protestave masive që prej 12 ditësh po zhvillohen në Tiranë, ku mijëra qytetarë kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Elvira Dones

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Dones shprehet se po i ndjek me emocion protestat dhe i cilëson si një “mrekulli” tubimet e qytetarëve që kanë dalë në shesh për të ngritur zërin e tyre.

“Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional.  Nuk kam fjalë të mënçura, pasi shumë pena të ndritura në Shqipëri e në diasporë kanë shkruar bukur, kthjelltë. Nuk do të dija të shkruaja më mirë… Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe”, shkruan ajo.

Dones ndalet edhe te kryeministri Rama, duke ngritur pyetjen: “Si fle Edi Rama?”, ndërsa thotë se ai, “përpos arrogancës, gënjeshtrave e talljeve e bërbuzjes që u bën turmave në sheshe, përpos akuzave të komploteve ndërkombëtare, është në vështirësi, edhe se më mirë vdes se t’ia pranojë vetes”.

Shkrimtarja kujton gjithashtu mbështetjen që i kishte dhënë Ramës në vitin 2013, duke e cilësuar sot atë zgjedhje si një zhgënjim.

“Edi Rama, në 2013 të besuam. Unë mes  shumë të tjerëve, duke shpresuar në një tjetër Shqipëri. Personalisht mendoj se ishte gabimi më i madh që bëra”, shprehet ajo.

Në fund të reagimit të saj, Dones i bën thirrje kryeministrit të largohet dhe t’i hapë rrugë ndryshimit.

Tani të ftoj ta lësh vendin të marrë frymë. Forca jote aktuale është një opozicion qesharak, i cili të përshtatet.  Por, Rama, lëre Shqipërinë të bëjë gabime të tjera. Nuk ke të drejtën të bësh Shqipërinë Kurban për ambicien tënde të sëmure”, përfundon shkrimtarja.

Postimi i plotë:

Nuk di si fle e si zgjohet Kryeministri shqiptar; nuk kam si ta di.

Platoni, në veprën e tij “Republika” përqaste gjumin me botën e hijeve dhe iluzioneve, duke sugjeruar se mendja gjatë gjumit sjell në sipërfaqe refleksione të realitetit, më shumë (apo në vend) të së vërtetës. Gjatë fjetjes, subkoshienca – e cila gjatë ditës normalisht shtyp e nënshtron natyrën bestiale të individit – gjatë natës nuk na lë të qetë. E vërteta dhe perceptimi vetjak i realitetit janë gjithmonë në luftë mes tyre.

E mora larg e larg. Por larg jam, fizikisht, këto javë, nga vendlindja e edhe nga Zvicra, vendi adoptiv. Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional.

Nuk kam fjalë të mënçura, pasi shumë pena të ndritura në Shqipëri e në diasporë kanë shkruar bukur, kthjelltë. Nuk do të dija të shkruaja më mirë.

Por ja, e kam me këtë punën e gjumit. Si fle Edi Rama? Përpos arrogancës, gënjeshtrave e talljeve e bërbuzjes që u bën turmave në sheshe; përpos akuzave të komploteve ndërkombëtare. Është në vështirësi, edhe se më mirë vdes se t’ia pranojë vetes. Hamendësoj se edhe skllevërit e administratës së tij janë në sëkëlldi, por më mirë bëjnë sepuku se të marrin guximin t’i thonë bosit: Po shkojmë në vetvrasje.

Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe.

Ata njerëz flenë mirë: nipat e mi flenë mirë, të moshuarit dhe brezi i ri i palidhur nga zinxhirët e partive flenë mirë..

Kush po proteston fle mirë, pasi e di që po bën diçka për vendin, sepse kur thika të ka kaluar tej e tej nuk ke më ç’të humbasësh. Por mund t’i thonë vetes se aty ishin. Protestojnë sfilitur nga ulja e kokës; sfilitur nga të qënit konsideruar flora e fauna.

Edi Rama, në 2013 të besuam. Unë mes  shumë të tjerëve, duke shpresuar në një tjetër Shqipëri. Personalisht mendoj se ishte gabimi më i madh që bëra. Errare humanum est. Shqipja jote dikur, Rama, ishte brilante. Ti ishe njeriu jashtë skemave; edhe ekscentrizmi yt na u duk i denjë për një tjetër Shqipëri.

Tani Edi Rama edhe shqipja jote është varfëruar. Kur të dëgjoj e lexoj më kapin mornicat.

Tani të ftoj ta lësh vendin të marrë frymë. Forca jote aktuale është një opozicion qesharak, i cili të përshtatet.

Por, Rama, lëre Shqipërinë të bëjë gabime të tjera.

Nuk ke të drejtën të bësh Shqipërinë Kurban për ambicien tënde të sëmure.

Elvira Dones

© Panorama.al

Te lidhura