Tirana shpërdoron edhe në Krujë. Magani: Më bindi loja, por kam rezerva për gjykimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2014 | 12:46

Tirana shpërdoron edhe në Krujë. Magani: Më bindi loja, por kam rezerva për gjykimin

Kastrioti-TiranaKASTRIOTI-TIRANA 0-0
GOLA: S’ka
KASTRIOTI: Kukrika, Caca, Xhafa, Sheta, Abraham, Çela (Muçollari 74′), Daja (Doku 69′), Bratiç, Ferraj, Manuka (Turdiu 61′), Popoviç; Trajner: R.Ndreu.
TIRANA: Lika, Kërçiku (Deliç 71’), Muça, Vrapi, Pashaj, Taku, Karabeci, Çota (Gilberto 46′), Korreshi, Kahata, Morina; Trajner: G.Magani.
KARTONË TË VERDHË: Bratiç 13′, Caca 53′, Daja 55’/ Taku 22′, Vrapi 41′
VËZHGUES: Arjan Mali (Patos)
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
GJYQTARET: K.Meta, E.Biçaku, R.Avdo (Tiranë)

MINUTAT
16′ Ekzekuton Ferraj, topi arrin te Caca, që ka depërtuar deri në zonën e miqve, por gjuajtja e tij me kokë përfundon vetëm mbi traversë.
27′ Ferraj pason për Popoviç, që gjuan me gjysmë kthesë, por Lika është i vëmendshëm dhe largon rrezikun.
28′ Aksion i Tiranës nga krahu tjetër me një gjuajtje të Koreshit, që përfundon në korne, por tiranasit pretendojnë edhe për prekje me dorë të Shetës, por gjyqtari nuk mendon kështu.
36′ Abraham fiton një goditje dënimi. Gjuan saktë Ferraj, Popoviç me kokë, por topi përfundon jashtë.
39′ Tirana përgjigjet me kombinimin mes Karabecit dhe Muçës, gjuan ky i fundit, por Kukrika largon rrezikun.
40′ Aksioni më i mirë krutanëve nis nga Ferraj, që pason te Manuka, por për çështje centimetrash Lika largon riskun.
47′ Daja rrezikon, por gjuajtja e tij përfundon drejtpërdrejt në duart e Likës.
50′ Krutanët insistojnë me Manukën, i cili në afërsi të vijës fundore gjuan në portë në pozicion shumë të prirët nga e majta, por Lika pret në kohë.
52′ Kundërsulm i Tiranës, Gilberto fiton dyluftimin me Cacën, por gjyqtari ndal lojën pasi konstaton faull ndaj sulmuesit, aksioni ndërkohë vazhdon dhe Koreshi shënon, por goli nuk u quajt, pasi më parë ishte ndalur loja.
55′ Lika nuk lejon as Dajën të shënojë, ku ky gjuan fort pas një asist të Popoviç.
59′ Caca gjuan fort, topi kalon gjithë zonën e Tiranës dhe përfundon jashtë kuadratit.
66′ Morina në vijën e zonës së rreptësisë gjuan një trajektore që përplaset në traversë.
70′ Gilberto merr një pas nga Morina dhe gjuan, e Kukrika pret.
82′ Gilberto është përsëri i rrezikshëm dhe gjithnjë me një asist të Morinës, duke drithëruar tifozërinë krutane.
90′ Morina tregohet egoist, gjuan vetë, kur kishte mundësi pasimi, por topi i tij pritet nga Kukrika.
91′ Gilberto gjuan, por për fatin e krutanëve jashtë kuadrati.
93′ Kapiteni Caca bën një gjuajtje të rreptë nga krahu i djathtë, duke ia bërë siç thuhet të gjithë hyzmetin, por në të njëjtën mënyrë i përgjigjet edhe Lika, duke fluturuar e nxjerrë topin në korne dhe duke neutralizuar kështu rrezikun.

Vetëm “X” në Krujë. Tirana e nis vitin aty ku e la: vazhdon të mos fitojë dhe të vuajë para porte. Megjithatë vlen të theksohet se u dhanë sinjale të qarta kthese, teksa edhe blerjet e reja dëshmuan se mund të bëjnë diferencën. Një barazim 0-0 i ka lënë të pakënaqura të dyja skuadrat. Si Kastrioti dhe Tirana morën nga një pikë. Një rezultat që nuk kënaq asnjë palë, nisur edhe nga gjendja e tyre në renditje. Si bardheblutë edhe krutanët u futën në fushë me ide të qarta për të rrëmbyer një fitore, por në fund askush nuk ia doli, pasi takimi u mbyll sikundër edhe nisi. Ndeshja u nda në dy tablo, me një pjesë të parë të dominuar nga vendësit, ndërsa e dyta prej miqve. Sa i përket gjykimit, linte për të dëshiruar në shumë raste kryesori Kridens Meta me vendime që kanë vend për diskutim.
Pjesa e parë Ndeshja nis e qetë, madje minutat e para nuk sjellin asnjë episod për t’u shënuar, përpos ndonjë përpjekjeje nga të dyja kampet, por që nuk përbën rrezikshmëri. I pari rast i pastër vjen nga vendësit, konkretisht në të 16- ën minutë, kur portieri Lika vihet seriozisht në provë. Ekzekuton Ferraj, topi arrin te Caca, që ka depërtuar deri në zonën e miqve, por gjuajtja e tij me kokë përfundon vetëm mbi traversë. Tirana vazhdon përpjekjet e saj, por pa gjetur rrjetën. Në të 28-ën, aksion i bardhebluve nga krahu tjetër me një gjuajtje të Koreshit, që përfundon në korne, por tiranasit pretendojnë edhe për prekje me dorë të Shetës, vetëm se gjyqtari nuk mendon kështu. Me kalimin e minutave loja rritet, por janë sërish krutanët që rrezikojnë duke krijuar në shumë raste panik në zonën e Tiranës. Reagimi i bardhebluve është i vakët dhe vlen të përmendet vetëm një rast i Gentian Muçës në të 38-ën, që gjuan nga një distancë e largët, por pret portieri Kukrika. Në fund, krutanët kanë një rast të shkëlqyer me Manukën në të 40-ën, i cili gjuan brenda zonës, por bën mrekullinë Ilion Lika duke shpëtuar ekipin nga një gol i sigurt. Me rezultat të bardhë mbyllet pjesa e parë.
Pjesa e dytë Pjesa e dytë nis shpejt me zëvendësim, teksa Çota i lë vendin Gilbertos. Hyrja e brazilianit në fushë ndryshon lojën e Tiranës, pasi kombinimet e tij me Morinën krijojnë raste të rrezikshme për gol, aq sa Morina godet dhe shtyllën pas një veprimi akrobatik. Në minutën e 70-të Gilberto merr një asist nga Morina dhe gjuan, e Kukrika pret. Braziliani është përsëri i rrezikshëm dhe gjithnjë me asist të Morinës, duke drithëruar tifozërinë krutane. Në minutën e fundit është Morina që duke u treguar tepër egoist gjuan, por topi i tij pritet nga Kukrika. Raste të shumta për bardheblutë të shpërdoruara, ndërsa hyrja e Ivan Deliç i jep epërsi Tiranës, ndërkohë që krutanët humbasin avantazhin e krijuar në mesfushë. Minutat e fundit sjellin raste të pastra për të dy ekipet, teksa në njërën anë Deliç ka një mundësi të artë, por gjuajtja e tij përfundon shumë larg kuadratit. Sakaq në minutën e fundit të shtesës, në të 93-ën, për krutanët ishte një gjuajtje e Cacës nga distanca, por Lika kundërpërgjigjet me një pritje perfekte duke ruajtur të paprekur portën e tij.

MË I MIRI
Gilberto spikati në fushë. Pasi u aktivizua, ai i dha ritëm lojës së bardhebluve, të cilët u bënë disa herë të rrezikshëm në portën e Kastriotit. Sakaq, edhe Lika meriton notë të lartë, pasi shpëtoi disa herë katërkëndorin e tij. Për t’u vlerësuar edhe Ferraj, i cili u shfaq tepër i lëvizshëm, sidomos në pjesën e parë.

MË PAK AKTIVI
Mirel Çota dhe Francis Kahata kanë qenë larg pritshmërive gjatë përballjes së djeshme në Krujë. I pari, i cili këtë herë ka luajtur në krahun e djathtë të sulmit, jo si zakonisht, nuk ishte efektiv. Ndërsa mesfushori kenian nuk dha asgjë në fushë, madje në shumë pak raste mbajti edhe kontrollin e topit.

“Ndeshje e bukur, nuk do rrezikojmë rënien”
Ramadan Ndreu ka mbetur i kënaqur nga loja e skuadrës së tij. Nisur edhe nga afrimet e fundit, si dhe pjekuria që Kastrioti tregoi në fushë, trajneri shfaq bindjen se ata do të mbijetojnë. Pas takimit, për mediat ai deklaroi se: “Zhvilluam një ndeshje të mirë në kompleks. Në pjesën e parë kryesisht treguam vlerat tona më të mira, ndërsa në 45-minutëshin pas aktivizimit të brazilianit Gilberto, Tirana ndryshoi shumë lojën, çka na vuri në vështirësi. Megjithatë, mendoj se ishte një rezultat pozitiv. Kemi bërë ndryshime të shumta pas merkatos së janarit, që të na japin garancinë për të vazhduar deri në fund, pasi dihet që ky kampionat do të jetë tejet i luftuar. U ndamë me një pikë, që nuk është se na shërben fort, ndaj si ne edhe bardheblutë dolëm të humbur. Këtë e bazoj te pozitat që kemi në renditje dhe fakti që luajmë për mbijetesë. Megjithatë, asgjë nuk është mbyllur. Janë 48 pikë në lojë dhe mendoj se gara është e hapur”.

“Më bindi loja, kam rezerva për gjykimin”
Gugash Magani ka rezerva për gjykimin. Nuk do të nxitohet, por nga ajo që pa në fushë shfaq sinjale pakënaqësie, teksa mendon se arbitri me vendimet e tij ndikoi në rezultat. “Jam i kënaqur me ekipin dhe me lojën që zhvilluam sot (dje) në Krujë. Duhet të ishim më të kthjellët dhe të kishim shënuar, pasi i patëm mundësitë tonë të arta për të kaluar në avantazh. Nuk mundëm të aktivizonim disa lojtarë cilësorë në fakt, për shkak se nuk ishin ende në gjendje optimale, çka na penalizoi disi. Kam rezervat e mia për gjykimin e ndeshjes dhe kam fiksuar disa momente. Megjithatë, shpresoj të jenë gabime njerëzore, por nuk mund të jap një opinion korrekt pa ndjekur edhe njëherë pamjet në moviolë. Nëse pretendimet tona qëndrojnë, atëherë arbitri ka ndikuar keq në këtë ndeshje. Megjithatë, unë jam i bindur se skuadra, nëse do të luajë me këtë grintë si sot (dje) edhe në vazhdim, nuk do të rrezikojë rënien”, – tha trajneri.
MURAT ARUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"