Pogradeci huazon Begajn dhe Shehajn nga Flamurtari

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Janar 24, 2012 | 11:58

Pogradeci huazon Begajn dhe Shehajn nga Flamurtari

Pogradeci ka huazuar 2 futbollistë nga Flamurtari: mbrojtësin Halim Begaj dhe sulmuesin Ardit Shehaj, të cilët priten që t’i bashkohen skuadrës në Antalia. Me grupin në Turqi është bashkuar dhe mesfushori serb, Puanoviç, i cili nuk u aktivizua gjatë gjithë fazës së parë. Odiseja e blerjeve nuk do të përfundojë me kaq, pasi presidenti Shkëmbi kërkon që të marrë dhe dy futbollistë të tjerë në formë huazimi ose dhe t’i blejë. Më afër është Skënderbeu, i cili mund të afrojë ndonjë futbollist cilësor. Hapat që bëri Pogradeci, po tregojnë dhe për seriozitetin që do të kenë ata në fazën e dytë. Ndërkohë kompletimi i skuadrës e ka qetësuar teknikun Ylli Çekiçi, i cili ka mundësi që brenda javës të krijojë dhe grupin e plotë duke pasur dhe ditë në dispozicion për të mundësuar formacionin bazë. Sakaq Pogradecit në vijim i duhet që të përballojë në mesin e muajit shkurt dy takime brenda javës, ku në datën 8 shkurt do përballet me Skënderbeun në Korçë, një takim i prapambetur dhe në datën 11 kur fillon dhe zyrtarisht faza e kampionatit do të luajë ndaj Kastriotit. Zgjidhja e ngërçit të merkatos me ardhjen e Begajt, Shehaj, duke bashkuar këtu dhe Paunovic do ta shtyjë stafin e teknikut Çekiçi që të ndërtojë dhe strategjinë për fazën e dytë të kampionatit, ku ajo do të konsistojë kryesisht jo vetëm në mbijetesë, por largimit sa më shpejt nga zona e rënies nga kategoria. Pritet që mbas ditës së enjte të ketë dhe një planifikim të ndeshjeve miqësore me ekipe që ndodhen në afërsi të Pogradecit, duke ju dhënë mundësi futbollistëve për t’u provuar dhe njëkohësisht për t’u pozicionuar në vendin e duhur.

TANUSHI
“Po stërvitemi në temperatura normale dhe mbi të gjitha në kushte të shkëlqyera. Jemi përpjekur që t’i zbatojmë me përpikëri udhëzimet e drejtuesve tanë dhe do të hyjmë në një sfidë të vërtetë, jo të barabartë, mbasi jemi të detyruar që të zhvillojmë ndeshjet jashtë fushës sonë dhe kjo, sigurisht, është një minus për ne. Kemi një farë shprese se ndoshta dënimi edhe mund të ndryshojë. Edhe unë kam planet e mia individuale, kryesisht në repartin e sulmit ku luaj”.
Pëllumb Starova






www.minuta90.com