Hoxhaj në debutim: Ja emocionet që përjetova
Mbrojtësi i krahut të majtë në ndeshjen e djeshme që Partizani luajti ndaj Skënderbeut, ishte 18-vjeçari Nertil Hoxhaj.
I emocionuar pas takimit, në një intervistë për mediat ai ka thënë se ndihet mirë që u bë pjesë e ekipit të parë.
Nertil, keni debutuar me ekipin e parë në ndeshjen e fundit të sezonit. Si e përjetuat këtë 90- minutësh?
Fillimisht pata emocione, por ndihma e shokëve të ekipit, stafit dhe trajnerit më ndihmuan jo vetëm që të kaloja emocionet, por edhe që të përshtatesha me lojën e skuadrës. Kjo ishte një ndihmë shumë e madhe për mua dhe e vlerësoj aktivizimin tim, pikërisht në një ndeshje vendimtare për objektivat e klubit.
Ju vjen keq që debutimi nuk shkoi siç duhet, pasi titulli s’u arrit?
Më vjen shumë keq, pasi të gjithë, lojtarë, staf, tifozët dhe çdo njeri që është pjesë e Partizanit apo dashamirës i Partizanit këtë takim po priste, ku synohej fitimi i titullit. Dihet që kur kjo gjë nuk arrihet, zhgënjimi është i madh.
Pas këtij aktivizimi mund të themi se jeni bërë edhe pjesë e ekipit të parë…
Ky është një nder i madh për mua dhe ndihem i nderuar dhe për këtë gjë falënderoj trajnerin Agostineli, i cili më dha besimin në këtë takim, si dhe trajnerin tim te moshat, Genc Tomori, pasi falë tij unë jam këtu. Gjithashtu dua të falënderoj edhe shokët e skuadrës që më mbështetën shumë gjatë gjithë javës në stërvitje dhe në ndeshje.
E ardhmja juaj pa dyshim që është te Partizani apo keni synim tjetër?
Shpresoj që të vazhdoj këtu ku jam tani, pasi kjo është edhe një ëndërr për mua.













