EKSKLUZIVE/ Një jetë bomber, Salihi rrëfen “roveshatën” e fundit: Tirana më maturoi, ja keqardhja e karrierës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2019 | 21:55

EKSKLUZIVE/ Një jetë bomber, Salihi rrëfen “roveshatën” e fundit: Tirana më maturoi, ja keqardhja e karrierës

Hamdi Salihi. Nuk ka hyrje më të mirë sesa vetë emri që ka bërë histori në Shqipëri dhe përtej saj. Në Europë, por jo vetëm. Në Amerikë, kur nuk ishte as Bekam e Kaka dhe as nuk ishte përhapur moda e “milionave”.

Salihi

Bomberi shkodran, i jashtëzakonshëm në zonën e rreptësisë, profesionist për 15 vite karrierë si shembull me çdo ekip. I jashtëzakonshëm me Kombëtaren. Me këtë të fundit? Po, ka shumë histori apo ka marrë edhe nofkën “Gerd Myler”, 11 gola apo ngjarje.

Ka realizuar 208 të tillë me klubet si profesionist në 15 vite karrierë, por si kuqezi mjaft të kujtoni ekzekutimin e skemës në Norvegji, atë që e kishte përgatitur ai që më vonë i la… keqardhjen më të madhe në karrierë.

salihii

Për mbyllje edhe roveshata e fundit në karrierë: “Kisha vendosur shumë kohë përpara që futbollin ta lija me këmbët e mia dhe jo duke u zvarritur, apo që të më detyrojë dikush të iki. Prandaj, mendova se ky është momenti i duhur”, tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” Hamdi Salihi. Sot, shkodrani do të zbresë për herë të fundit në fushë me Viener Nojshtad në Ligën e dytë austriake.

Pse vendosët të lini futbollin?

Në karrierën time kam pasur fatin që të shikoj raste nga më të ndryshmet me lojtarë që kanë mbyllur aktivitetin sportiv. Kisha vendosur shumë kohë përpara që futbollin ta lija me këmbët e mia dhe jo duke u zvarritur, apo që të më detyrojë dikush të iki. Prandaj, mendova se ky është momenti i duhur për të realizuar atë që kisha dëshiruar gjithmonë.

Çfarë ju tha vajza e madhe kur i treguat vendimin?

Vajza, të them të drejtën, u gëzua sepse i thashë që do të kem më shumë kohë që të rri dhe të luaj me të.

Po familja?

Familja ka qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe dhe gjithçka në jetë e kam bërë duke u konsultuar me familjarët e mi. Kështu që edhe këtë vendim e kam marrë bashkë me ta. Pra, edhe ata ishin në një mendje me mua, që është momenti i duhur për këtë vendim.

salihi-600

A ndiheni i plotësuar?

Ndihem me fat dhe i plotësuar sepse nuk e kam harruar asnjëherë gjatë jetës sime se nga ku e kam filluar dhe cilat kanë qenë ëndrrat e mia. Prandaj, besoj se ato janë realizuar në masën 100%.

A do bëheni trajner në të ardhmen?

Unë e kam vendosur që t’i futem asaj rruge, por nëse do të bëhem apo jo trajner do ta tregojë koha, nëse do t’ia dal.

A keni ndonjë peng në karrierë?

Peng? Hmmm (mendohet…) Jo, të them të drejtën, nuk kam asnjë peng. Por, kam vetëm keqardhje që nuk isha pjesë e ekipit kombëtar në vitin 2016 në “Euro 2016”.

Jeni takuar me De Biazin edhe më pas, çfarë ju ka thënë?

Jam takuar me të, por nuk kemi diskutuar asnjëherë rreth asaj gjëje. Madje, nuk kemi diskutuar as përpara dhe as kur ka ndodhur ajo gjë. Ka qenë një vendim i tiji dhe kaq ka mjaftuar për mua.

Salihi-Kombetarja-470x283

Nëse e shihni edhe një herë videon, do ta shënonit atë shansin e humbur të Gashit ndaj Zvicrës?

Të them të drejtën, në karrierën time ka pasur raste që i kam humbur edhe unë. Kanë qenë mundësi edhe më të thjeshta shënimi sesa ajo e Gashit. Prandaj, nuk mund të them me bindje se mund ta shënoja atë.

Cili është goli më i bukur që keni bërë?

E kam të vështirë që t’i ndaj sepse të them të drejtën janë shumë. Mirëpo, mund të veçoj golin ndaj Norvegjisë me Kombëtaren, roveshatën ndaj Partizanit dhe kundër Makabi Haifas në Izrael.

Po më i rëndësishmi?

Unë për vete, golat më të rëndësishëm do të rendisja ata me Skënderbeun kundër Milsamit. Gola që i siguruan për herë të parë në histori një ekipi shqiptar të jetë në elitën e futbollit europian.

Cili është trajneri më i rëndësishëm që keni pasur në jetë?

Mund të them pa dyshimin më të vogël Artan Bushati. Është trajneri që më ndihmoi që të kaloj nga të rinjtë në ekipin e parë të Vllaznisë.

Po më i rrepti?

Peter Pakult, pa diskutim!

Po më i dashuri?

Josip Kuzhe, një trajner dhe një njeri i mrekullueshëm. Por, edhe Mirel Josa mund të futet gjithashtu në këtë listë.

salihi latifi

Çfarë do të bëni pa futboll?

Nuk e kam menduar asnjëherë veten pa futboll. Besoj se do të jem prapë në futboll, por thjesht shpresoj që të kem të njëjtin sukses që kam pasur si lojtar.

Cili është kundërshtari më i fortë që keni hasur në karrierë?

Ka shumë dhe vështirë se mund t’i ndaj, por pa dyshim që Nevil Dede është njëri nga këta.

Cila ka qenë zgjedhja e gabuar në karrierën tuaj?

Ndoshta kalimi nga Vllaznia te Panionios. Kur mendoja se isha gati për diçka më të madhe, por nuk rezultoi ashtu.

Po e duhura?

Vendimi për t’u bërë pjesë e Tiranës. Ekip që më ndihmoi të formohem dhe rritem shumë si lojtar dhe si njeri.

Ç’mendim keni për nofkën “Gerd Myler”?

(Qesh…) Është një nofkë, të cilën ma ka vendosur Oto Bariç. Ka qenë dhe mbetet një kompliment shumë i madh për mua. Aq më shumë kur e mendoj se nga kush ka ardhur.

Cila është vuajtja më e madhe që keni duruar si futbollist?

Ndoshta kjo që po përjetoj këto momente. Largimi nga të luajturit futboll.

Po gëzimi më i madh?

Dita kur arrita që të vesh për herë të parë fanellën e ekipit kombëtar. Është një ëndërr për çdo fëmijë që luan futboll.

A e keni ende fiksim numrin 14 në fanellë?

Fiksim nuk e kam më, por kam menduar gjithmonë se është numër fati për mua.

A është e vështirë të grisësh një karton të kuq?

Vështirë nuk është fare në fakt (Qesh…). Mirëpo, është një nga veprimet më të gabuara që kam bërë në jetën time në sport.

A do të donit të trajnonit Vllazninë një ditë?

Tani që mbarova me futbollin e luajtur, normalisht që kam filluar që të mendoj edhe për dëshirat dhe ëndrrat si trajner. Të trajnoj Vllazninë është nga më të bukurat që kam për momentin.

Cila ka qenë ëndrra e madhe kur luanit futboll?

Ëndrra më e madhe ka qenë që të vesh fanellën e Vllaznisë. Diçka që e ëndërroja çdo ditë, deri në momentin që arrita ta kem realisht një.

A është i pasur tani Salihi?

Ndihem shumë i pasur tani sepse kam një familje të mrekullueshme. Njerëzit e afërt janë të gjithë të shëndetshëm dhe të lumtur. Gjithashtu, falë edhe futbollit, kam krijuar aq shoqëri dhe miqësi në të gjithë botën, sa më bëjnë që të ndihem edhe më i pasur.

A keni qarë ndonjëherë së fundmi për faktin se latë futbollin?

Të them të drejtën, jo. Jam shumë i bindur në veprimin që kam marrë dhe shumë i lumtur dhe gjithashtu gati për fillimin e diçkaje të re.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"