Është shoqëruar me tensione dhe debate të forta mes fermerëve dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Maliqit, për shkak të dëmshpërblimeve të munguara për përmbytjet e krijuara në këtë zonë në nëntori të vitit 2025.
Prezentë në mbledhje ishin edhe fermerë e zonës, të cilët debatuan me drejtuesit e kësaj bashkie, lidhur me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e para.
Sipas tyre, numri i fermerëve të prekur është i madh dhe dëmet janë shumë të konsiderueshme në prodhimet bujqësore të cilat iu janë shkatërruar.
Julian Guri, një prej fermerëve te Bashkise se Maliq, ju bën thirrje fermerëve për rezistencë. “Asnjë nuk duhet të lëvizi që këtu, ne duam përgjigje konkrete, le të vijë kush të dojë, çfarë do bëhet. Ku janë dëmshpërblimet?”, thotë fermeri.
Më tej, në shenjë proteste fermerët goditën edhe tavolinat. Kërkuan dëmshpërblimet, pasi sipas tyre kjo situatë sa vjen dhe rëndohet. Fermerët kërkojnë përgjigje konkrete.
“Nuk duam shpresa të kota. Turp, turp!”.
“Me polici hajde na nxirrni, se ne nuk ikim që këtu. Asnjë s’do lëvizë nga këtu, lajmëroni kë të doni, duam përgjigje konkrete. Kam 1 muaj e gjysmë që kur ju kam lajmëruar, keni matur edhe tokat po dëmshpërblimet ku janë? Do na jepen apo jo që të dimë të vazhdojmë me protesta se rrugë tjetër ska. Ne duam përgjigje, ça do bëni me ne?!”- u shpreh Julian Guri.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Maliq, e zhvilluar gjatë ditës së sotme, janë shënuar tensione dhe debate të forta. Seanca ishte thirrur për të diskutuar bilancin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e nëntorit dhe reshjet e ditëve të fundit, por mbledhja është shoqëruar me mungesë të theksuar të këshilltarëve, si nga maxhoranca ashtu edhe nga opozita.
Të pranishmit në mbledhje kanë ngritur shqetësimin se bashkia nuk ka përcjellë pranë qeverisë dokumentacionin e nevojshëm për nisjen e procedurave të dëmshpërblimit. Kjo situatë është konsideruar nga fermerët si mungesë serioziteti dhe tallje me problemet e tyre.
Zona e Maliqit renditet ndër më të prekurat nga përmbytjet në qarkun e Korçës, veçanërisht në sektorin e bujqësisë. Sipas të dhënave të fundit, rreth 3 600 hektarë tokë bujqësore e mbjellë ndodhen ende nën ujë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike për fermerët e zonës.
© Panorama.al













