Në kulmin e protestës, Edi Rama një tjetër qokë!

Jul 17, 2026 | 8:05

NGA GRIGELS MUÇOLLARI

GRIGELS MUÇOLLARI

Në kulmin e protestave, revoltës qytetare dhe marshimit kundër korrupsionit, arrogancës dhe mënyrës se si qeveria funksionon në shërbim të klientëve dhe miqve të Edi Ramës, vjen një tjetër njoftim nga Korporata e Investimeve Shqiptare për një qokë të re.

Bëhet fjalë për një nga zonat më të bukura dhe më strategjike të bregdetit shqiptar, një truall në rrethrrotullimin e Palasës, që propozohet t’i jepet një investitori privat për ndërtimin e hoteleve. Në këmbim, qeveria do të marrë disa ambiente me funksione publike.

Pyetja është e thjeshtë: pse duhet të jepet një pronë publike me vlerë të jashtëzakonshme për të siguruar godina për policinë, zjarrfikësen apo Gardën? Pse këto objekte nuk ndërtohen drejtpërdrejt nga shteti, me fondet e mbledhura nga taksat e qytetarëve, pikërisht për investime publike?

Problemi nuk është mungesa e parave. Problemi është se çdo investim shndërrohet në një mekanizëm për shpërndarjen e pronës publike në favor të klientëve të pushtetit. Projekti është ende në fazën e shpall jes. Megjithatë, duke parë mënyrën se si janë zhvilluar procedura të ngjashme në të kaluarën, është e vështirë të mos lindë dyshimi se fituesi është përcaktuar paraprakisht. Kjo do të bëhet e qartë shumë shpejt.

Me këtë projekt të ri, Edi Rama konfirmon edhe një herë se jo vetëm nuk dëgjon zërin e qytetarëve, të cilët prej 46 ditësh protestojnë kundër qeverisjes së tij, por vepron në drejtimin e kundërt të asaj që ata kërkojnë.

Në vend që të ndalojë praktikat e kontestuara, ai i thellon ato, duke vazhduar t’u shërbejë interesave të tij dhe të rrethit të ngushtë, përmes shpërndarjes së pasurive publike të shqiptarëve.

/GazetaPanorama

© Panorama.al

Te lidhura